Sfidat me të cilat është ndeshur sistemi i drejtësisë që nga miratimi i Kushtetutës kanë qenë nga më të ndryshmet, si për nga karakteri i tyre, ashtu dhe nga shkaqet që kanë gjeneruar shpeshherë situata të vështira në mirëfunksionimin e sistemit si një i tërë.
Shprehje e nevojës për reformë është fakti se vetë sistemi ynë shoqëror gjatë këtyre 16 vjetve, që prej miratimit të Kushtetutës së Republikës, ka njohur zhvillime të dukshme, zhvillime që kanë nevojë të mbështeten nga reforma të vazhdueshme edhe të sistemit të drejtësisë.
Dinamika e zhvillimit të shoqërisë në aspektin ekonomik dhe shoqëror, si dhe problematikat e shfaqura brenda sistemit kanë sjellë si prioritet kyç nevojën për përshtatje të legjislacionit të institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë me pritshmërinë e shoqërisë shqiptare kryesisht në elemente të tilla që ndikojnë në rritjen e integritetit të sistemit, në pavarësinë, efiçencën, besueshmërinë, transparencën, llogaridhënien dhe përgjegjshmërinë e tij.
Gati i gjithë korpusi i normativës ligjore, që rregullon funksionimin e institucioneve të lartpërmendura, të cilat përbëjnë sistemin e drejtësisë, kanë qenë objekt i ndryshimeve të herëpashershme apo dhe ribërjes së tyre, siç është rasti i ligjit për organizimin dhe funksionimin e sistemit gjyqësor i vitit 2008, i cili ishte produkt i një konsensusi të gjerë politik parlamentar.
Perceptimi dhe besimi i qytetarëve për funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe performancës së aktorëve institucionalë, por jo vetëm, të këtij sistemi ka kapur nivele gjithmonë e më të ulta vitet e fundit.
Raportet monitoruese të partnerëve ndërkombëtarë dhe strukturave të tyre përfaqësuese, organizatave ndërkombëtare dhe atyre lokale, si dhe sondazhet e kryera, nxjerrin nivelin e besueshmërisë së qytetarëve te sistemi i drejtësisë në vlerat më të ulta, me një trend përkeqësues, duke konstatuar si dukuri serioze negative një shtrirje endemike të fenomenit të korrupsionit.
Korrupsioni, keqfunksionimi, mungesa e integritetit, profesionalizmit, pavarësisë, efiçencës, besueshmërisë, transparencës, llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së sistemit tashmë janë identifikuar dhe pranohen gjerësisht si fenomene dëmtuese, që duhet të jenë në fokus të kësaj reforme të thellë, me qëllim ndryshimin e situatës në sistemin e drejtësisë në vend.
Lufta kundër këtyre fenomeneve në sistemin e drejtësisë përbën sfidën thelbësore për konsolidimin e barazisë së qytetarëve para ligjit dhe çrrënjosjen e kulturës së pandëshkueshmërisë, që sot është mbizotëruese.