Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën e sotme plenare pesë projektligje të rëndësishme, pjesë e paketës së shtatë ligjeve prioritare për reformën në drejtësi.
Kryetari i komisionit të posaçëm parlamentar të reformës në drejtësi, z. Fatmir Xhafaj tha se reforma në drejtësi është një proces i pakthyeshëm dhe i sigurt, për të fituar besimin e qytetarëve.
Z. Xhafaj tha se procesi që solli ndryshimet kushtetuese nuk ka qenë një proces i lehtë politik, por ai është ndërtuar përmes zbatimit të parimeve të gjithëpërfshirjes, transparencës dhe konsultimit me të gjithë aktorët.
“Procesi i reformës në drejtësi nuk ka patur si qëllim që të përmbushi ndonjë interes politik. E them me përgjegjësi publike se kemi qënë të angazhuar dhe më në fund me ndryshimet kushtetuese të miratuara në Korrik dhe me paketën e ligjeve që po kalojmë sot, ia kemi dalë që realizojmë një reformë drejtësie në interes të qytetarit dhe jo në interes të politikës. Me miratimin e ligjit të Veting-ut dhe sot të këtyre projektligjeve, ne po hedhim një tjetër hap të rëndësishëm për të rikthyer besimin te institucionet e drejtësisë, shpresën se në këtë vend mund të ketë një drejtësi të barabartë për të gjithë, shpresën për t’ju kthyer qytetarëve drejtësinë e munguar, drejtësinë e mohuar në vite”, u shpreh Z. Xhafaj.
Nënkryetari i komisionit të posaçëm parlamentar të reformës në drejtësi, z. Oerd Bylykbashi akuzoi kryeministrin Edi Rama se prishi marrëveshjet politike edhe me faktorin ndërkombëtar. Z. Bylykbashi theksoi se qeveria bëri të gjitha përpjekjet për kapjen e sistemit të drejtësisë, por ishte këmbëngulja e opozitës ajo që bëri të mundur paprekshmërinë e sistemit.
“Para 22 korrikut ishte marrëveshja e pashkruar dhe e konfirmuar. se kushtetuta e 7 ligjet organike do të dakordësoheshin sipas frymës së neneve kushtetuese por edhe sipas germës. Opozita kishte garanci bllokimin 94 votave për të grisur atë draft. Opozita arriti objektivat e moskapjes dhe dhamë dakordsinë që më 22 korrik të miratohet reforma me kusht që të vijonte dakordësia Kjo sallë duhet të kishte të njëjtin entuziazëm edhe sot pas datës 21 korrik", u shpreh z. Bylykbashi.
Në emër të grupit parlamentar të PDIU-së,znj. Mesila Doda kërkoi prej palëve politike konsensus për miratimin e ligjeve prioritare.
“Kundërshtitë ndaj këtyre ligjeve që kemi sot përpara për të votuar janë të gjitha kundërshti meskine, të cilat në fund përfundojnë në emra të përveçëm. Janë pengesa, të cilat gjithsecili nga ne, nëse do kish patur dëshirën e mirë mund t’i kapërcente duke pirë një kafe rreth një tryeze bisedimesh. Por, këtu është e keqja. Ne nuk ulemi, sepse nuk dëshirojmë marrëveshje. Për sistemin e drejtësisë, por edhe për sektorë jetikë e që tejkalojnë ndasitë partiake si arsimi apo shëndetësia palët kundërshtare duhet të ulen dhe të hartojnë strategji shumëvjeçare që s'duhet t'i prekë asnjë forcë politike, kushdo që të fitojë pushtetin. Kjo, sepse kundershtitë politike po i ktheni në eksperimente me njerëzit, me sistemin, me fëmijët, të rinjtë e të moshuarit dhe ndërkohë ju vazhdoni të ndiheni po aq krenar që i ktheni hallet e shqiptarëve në baltë për njëri-tjetrin. Në asnjë rast klasa politike e këtij vendi nuk ka dashur të zgjidhë mosmarrëveshjet, të gjitha palët janë të interesuar që kjo histori të vazhdojë rrëshqansi sikur të jenë zvarranikë”, tha znj. Doda.
Në emër të grupit parlamentar të LSI-së, z. Petrit Vasili tha se miratimi i ligjeve i shërben rikthimit të besimit të qytetarëve te drejtësia dhe se shkelësi i ligjit dhe i korruptuari, nuk mund të kenë mbrojtje dhe as mund të kenë përkatësi politike.
“Nuk kemi kë të bindim më për domosdoshmërinë e reformës. Kemi thënë me bindje të plotë që shumica e qytetarëve shqiptarë e duan këtë reformë. Kjo ishte një e vërtetë e madhe të cilës iu përgjigjëm me ndryshimet kushtetuese më 21-22 korrik, të cilat tashmë janë një realitet i pandryshuar. Tanimë vullnetin, dëshirën për të bërë reformë mund ta shprehim vetëm e vetëm duke ecur përpara me miratimin e instrumenteve përkatës në mënyrë që reforma të jetë një realitet. Pavarësisht se ditën e sotme ne shkëmbyem retorika mjaft të ashpra me njëri-tjetrin, unë mendoj që e vetmja gjë që nuk duhet të shterojë kurrë, nuk duhet të jetë dhe nuk duhet të shterojë as vullneti, as dëshira dhe as përgjegjshmëria e lartë politike, por edhe shoqërore për të ecur në rrugën e mirëkuptimit, pasi ka akoma hapësira shumë të mëdha për të eksploruar për të gjetur mirëkuptim për një arsye shumë të thjeshtë, mirëkuptimi i gjerë ndërton reformë solide, të besueshme nga të gjithë qytetarët që nuk janë të një ngjyre politike”, tha z. Vasili.
Në emër të grupit parlamentar të PD-së, z. Gent Strazimiri tha se kundërshtimi i ligjeve të reformës në drejtësi lidhet me mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve pasi mazhoranca kërkon të kapë sistemin e drejtësisë.
“Kjo pjesë këtu nuk do të votojë me kurajo 5 ligjet që shokët e Partisë Socialiste i propozojnë përsëri. Kanë qenë amerikanë, janë amerikanë, edhe atëherë kur Amerika nuk kishte ambasador këtu. Është për ndjesinë që shqiptari ka për marrëdhëniet, që asnjë burokrat as nuk e prish marrëdhënien me SHBA. Është një marrëdhënie shpirtërore. Sot ne kërkojmë që këto pesë ligje të konfrontohen me atë Kushtetutë . Ku është e keqja këtu që këto pesë projektligje të konfrontohen në Kushtetutë. Kushtetuta është i vetmi ligj që është i juaji. Çdo ligj tjetër që miratohet sot këtu është i grupeve të caktuara”, tha z. Strazimiri.
Në emër të grupit parlamentar të PS-së, znj. Vasilika Hysi u shpreh se paketa e shtatë ligjeve prioritare ku përfshihet edhe ligji për vlerësimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, është paketa e cila do të fillojë zbatimin e reformës në drejtësi.
“Miratimi i kësaj pakete është i domosdoshëm pasi çdo ndryshim i miratuar më 22 korrik nuk mund të bëhet realitet nëse parimet, standardet s’do të zbërthehen në këto ligje. Pa to nuk mund të fillojë rivlerësimi i gjyqtarëve dhe i prokurorëve dhe i gjithë njerëzve të tjerë të sistemit të drejtësisë, nuk mund të ngrihen institucionet përgjegjëse që do të shërbejnë për vetërregullimin e sistemit të drejtësisë, do fillojë krijimi i mekanizmave që kërkojnë qytetarët, një drejtësi eficence e të pakorruptuar”, tha znj. Hysa.
Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar” u miratua me 122 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim
Pas këtij votimi, deputetët e opozitës u larguan nga salla e seancave plenare.
Më pas Kuvendi miratoi me 86 vota pro, një abstenim dhe asnjë kundër një sërë projektligjesh si, projektligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”; projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”; projektligji “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” ; projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.