Sot ka qenë një nga mbledhjet më të rëndësishme për shkak se ka filluar diskutimit nen për nen i një projektligji të ri që flet për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Sikurse dhe kam thënë dhe në daljet e mëparshme, ky projektligj rregullon statusin e gjyqtarit dhe prokurorit në një formë të re, ndryshe nga ç’është rregulluar deri më sot.
Sot kemi diskutuar mënyrën e rregullat dhe kriteret e kandidimit në Shkollën e Magjistraturës, pra për magjistratët e rinj. Kriteret që duhet të përmbushin. Njëkohësisht ka pasur një diskutim shumë efikas profesional lidhur me emërimet e magjistratëve të rinj. Kriteret e emërimit. Qoftë si gjyqtarë apo prokurorë, por edhe për disa pozicione të reja që nuk kanë qenë më parë. Që sot të jesh këshilltar në Gjykatën e Lartë, apo në Gjykatën Kushtetuese apo në pozicione të tjera, sipas projektligjit duhet të jesh magjistrat.
Njëkohësisht pati një diskutim frytdhënës midis ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë me anëtarët e komisionit lidhur me kriteret e emërimit të prokurorive dhe gjyqtarëve, me zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe të anëtarëve jo gjyqtarë në Gjykatën e Lartë.
Por njëkohësisht edhe me rolin dhe transparencën e këtyre rregullave në përzgjedhjen e kandidatëve që më pas i dekreton Presidenti i Republikës.
Gjithashtu ne sot arritëm që të diskutonim edhe disa çështje të tjera që lidhen me transferimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Risia është që me këtë projektligj, gjyqtarët dhe prokurorët nuk mund të transferohen pa pëlqimin e tyre, por njëkohësisht dhe detyrimi që ka Këshilli i Lartë gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për t’i gjetur gjyqtarëve vendin që është i përshtatshëm, jo vetëm me tre preferencat që ata paraqesin, por dhe me kualifikimin e tyre, me formimin.
Nga ana tjetër, me këtë projektligj merr fund njëherë e përgjithmonë rastet kur disa gjykata dhe prokurori kanë gjyqtarë dhe prokurorë profesionistë dhe në vende të tjera, profesionalizmi lë për të dëshiruar.
Projektligji parashikon mundësinë e komandimit, skemën e delegimit ose të lëvizshmërisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve nga një gjykatë në një gjykatë tjetër për nevojat e gjykatës, pa dëmtuar nivelin e pagës.
Pra, duke ruajtur nivelin e pagës dhe të gjithë privilegjet që gjyqtari ka në gjykatë ose prokurori në prokurorinë nga vjen.
Fjala që përdorim nuk do jetë më gjyqtarë, por do jetë magjistratë, si për gjyqtarin dhe për prokurorin. Ndërkohë që ditën e mërkurë do të vijojmë me pjesën tjetër të projektligjit. Është vlerësimi i gjyqtarëve dhe i prokurorëve, janë masat disiplinore dhe me atë që do të bëhet me gjyqtarët dhe prokurorët të cilët janë aktualisht në detyrë.