Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Reformës në Drejtësi u diskutua drafti i projektligjit “Për funksionimin dhe organizimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.
Përfaqësuesit e Ekspertëve të Nivelit të Lartë të Grupit të Gjyqësorit, vendas dhe të huaj, bënë një parashtrim të risive të këtij projektligji të cilat synojnë rregullimin e mënyrës së organizimit dhe funksionimit të Prokurorisë; kushtet dhe procedurën për emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm si dhe iii marrëdhëniet e Prokurorisë me institucionet e tjera shtetërorë, me subjekte të tjera publike ose private dhe me publikun, etj.
Më konkretisht, Ekspertët sqaruan se projektligji krijon decentralizimin e sistemit të prokurorisë duke rishikuar mënyrën e organizimit të brendshëm të sistemit të prokurorisë, me qëllim garantimin e pavarësisë funksionale të prokurorit në vendimmarrjen për çështje konkrete, duke ruajtur njëkohësisht qëndrueshmërinë e organit të prokurorisë dhe uniformitetin e veprimtarisë së saj.
Kjo garantohet përmes mundësisë së nxjerrjes së udhëzimeve të karakterit të përgjithshëm nga Prokurori i Përgjithshëm dhe drejtuesit e prokurorive, të cilët kanë përgjegjësi ligjore për mbarëvajtjen e punës në prokurori, si dhe dhënies së udhëzimeve, jo të detyrueshme, lidhur me çështje konkrete.
Gjithashtu, projektligji I diskutuar në mbledhjen e sotme të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, përcakton kushtet, kriteret dhe procedurat për përzgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm si dhe parashikon ngritjen e seksioneve të specializuara në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në prokuroritë pranë gjykatave.
Për të lehtësuar punën dhe për të rritur transparencën ndaj qytetarëve, projektligji përcakton rregulla të detajuara për të siguruar që shpërndarja e çështjeve prokurorëve të kryhet në mënyrë që të përmbushë kërkesat për paanshmëri dhe objektivitet në shpërndarjen e çështjeve, duke marrë njëkohësisht në konsideratë edhe nevojën për maksimizim të eficencës së veprimtarisë së saj
Një vëmendje të madhe i është kushtuar në këtë draft edhe përcaktimit të qartë i rolit vendimmarrës të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për çështje të statusit dhe karrierës së prokurorëve, në përzgjedhjen dhe propozimin e kandidaturave për Prokuror të Përgjithshëm dhe në garantimin e rregullshmërisë së procesit të përzgjedhjes së tij.