Komisioni i Posaçëm “Për Reformën në Sistemin e Drejtësisë” diskutoi mbi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8417, datë 21.10.1998,"Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar.
Të pranishëm në mbledhje ishin ekspertë të nivelit të lartë, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara z. Donald Lu si dhe Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, znj. Romana Vlahutin.
Në fjalën përshëndetëse, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara z. Donald Lu theksoi se në këto momente Shqipëria po shpreson në realizimin me sukses të Reformës në Drejtësi dhe se SHBA do të jenë përkrah vendit tonë në përmbushjen e këtij detyrimi. Duke shprehur besimin edhe në integritetin, njohurinë, paanshmërinë politike të dy ekspertëve ndërkombëtarë, OPDAT dhe EURALIUS, Z. Lu i kërkoi anëtarëve të Komisionit të Posaçëm që të votojnë pro Reformës në Drejtësi.
Ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin deklaroi se tashmë ka ardhur momenti që të kalohet në një tjetër proces të reformën në drejtësi, miratimin e saj. Znj. Vlahutin tha se pavarësisht disa pengesave kryesisht politike për miratimin e reformës, tashmë ato duhet të kapërcehen në të mirë të interesit të qytetarëve.
Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, z. Fatmir Xhafaj shprehu besimin se Parlamenti do të miratojë së shpejti këtë projekt kushtetues. “ Kuvendi do i japë mbështetjen e duhur me votë këtij procesi, sepse nuk është reformë as për SHBA-të, as për BE-në por për qytetarët shqiptarë që meritojnë një sistem drejtësie të paanshëm e të barabartë”, tha z. Xhafaj.
Më pas, ekspertët e nivelit të lartë prezantuan para komisionit projektin e ndryshimeve kushtetuese.