Reforma në drejtësi vlerësohet e domosdoshme për përparimin e mëtejshëm në integrimin në BE

Në kuadër të Reformës në Sistemin e Drejtësisë u zhvillua sot në Universitetin Europian të Tiranës tryeza për prezantimin dhe konsultimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese me studentë dhe pedagogë të pranishëm në këtë veprimtari. 

Në fjalën e saj përshëndetëse, Ambasadorja e Çekisë në Tiranë, znj. Bronislava Tomasova deklaroi se pa këtë reformë, nuk ka hapje të negociatave me BE-në. “Pasojat e mosarritjes së kësaj reforme janë shumë më serioze sesa dështimi në procesin e integrimit në BE. Nuk ka shtet pa një pushtet gjyqësor funksional. Kjo reformë nuk është e negociueshme për përparimin e mëtejshëm në integrimin në BE”, tha znj. Tomasova  duke shtuar se deklaratat e vullnetit për reformën të shprehura nga shumica dhe opozita, do të duhet të shndërrohen në veprime.

Më pas, vendi iu la diskutimeve dhe pyetjeve të grupeve të interesit, të pranishëm në këtë konsultim, të cilat  u mbajtën shënim nga organizatorët, për t’u trajtuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë.

Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë ftuan gjyqtarë, prokurorë, avokatë, përfaqësues të shoqërisë civile të pranishëm që të jenë aktivë me propozime dhe mendime edhe përmes faqes on-line të Reformës në Drejtësi, www.reformanedrejtesi.al, apo dhe kontakteve të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën.