Strategjia e Reformës në Sistemin e Drejtësisë dhe Plani i Veprimit për zhvillimin e strategjisë për reformimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri janë hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë me asistencën e Sekretariatit Teknik, në përmbushje të fazës së dytë të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë. Bazuar në çështjet dhe problematikat e identifikuara në Analizën e Sistemit të Drejtësisë, Strategjia përcakton objektivat e përgjithshëm dhe specifikë të reformës në sistemin e drejtësisë si dhe ndërhyrjet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore për realizimin e këtyre objektivave. Këto dokumente janë miratuar në parim me vendimin nr.15, datë 30.07.2015 të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë dhe do të shërbejnë si dokumente orientuese për fazën e tretë, fazë kjo e cila përkon me hartimin e paketës së amendamenteve kushtetuese dhe ligjore. Ato mbeten të hapura për komente dhe propozime për përmirësimin e tyre. Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë të vazhdojë të organizojë procesin e konsultimit publik dhe konsultimin me ekspertizën ndërkombëtare si dhe të vlerësojë e reflektojë përfshirjen e tyre në këto dokumente.