Anëtarët e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë, pranë Komisionit të Posaçëm, zhvilluan në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, forumin rajonal të radhës.
Në vijim të konsultimeve publike për komponentët kryesorë të dokumentit “Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri – 2015”, në këtë takim u prezantuan aspektet kryesore për komponentin ku u analizua kuadri kushtetues në të cilin ushtrojnë veprimtarinë e tyre institucionet e sistemit të drejtësisë në vend.
Në këtë veprimtari ishin të pranishëm gjyqtarë, prokurorë, e avokatë nga qytetet e Shkodrës, Lezhës, Pukës, Laçit dhe Burrelit, si dhe pedagogë e studentë të Universitetit “Luigj Gurakuqi” dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Në fjalën e saj të mbajtur në këtë forum, Kryetarja e Prezencës së Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, znj. Romana Vlahutin kërkoi reformimin edhe të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa theksoi se janë të nevojshme edhe ndryshimet kushtetuese. “Reforma në drejtësi është kyçe për integrimin, ndaj dhe ajo kërkon një shumicë të cilësuar në Kuvend. Duhen të bëhen ndryshime në nivel kushtetues sa i takon korrupsionit. Gjyqtarët të jenë sa më transparentë. Mendoj se duhet reformuar edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Vetëm kështu mund të rikthehet besimi te qytetarët”, nënvizoi znj. Vlahutin. Në vijim të fjalës së saj, Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri vlerësoi se: “Me rëndësi është ndarja e pushteteve dhe performanca profesionale. Në Kushtetutë duhet jetë e qartë përgjegjësia e gjyqtarëve dhe prokurorëve. I duhet bërë e qartë qytetarëve domethënia e kësaj reforme. Është populli që duhet t’ia bëjë të qartë të zgjedhurve se ai po e kërkon këtë reformë”.
Më pas, vendi iu la diskutimeve dhe pyetjeve të grupeve të interesit, të pranishëm në këtë konsultim, të cilat u mbajtën shënim nga organizatorët, për t’u trajtuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë. Ata ftuan studentët dhe pedagogët, si dhe përfaqësuesit e grupeve të interesit që të jenë aktivë me propozime dhe mendime edhe përmes faqes on-line të Reformës në Drejtësi, www.reformanedrejtesi.al, apo dhe kontakteve të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën.