Është diplomuar në drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 1985. Ai ka qenë vizitor si kërkues ligjor në Universitetin e Georgetown, DC SHBA për periudhën 2003-2004. Nga viti 1986 -1993 ka punuar si gjyqtar në gjykatën e shkallës së parë si dhe si pedagog i së Drejtës Civile në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Nga viti 1993 – 1997 ka qenë anëtar i disa grupeve të punës që kanë punuar për hartimin e Kodit Penal, Kodit të Procedurës Penale, Kodit të Procedurës Civile dhe ligjeve organike të institucioneve të reja. Ai ka qenë anëtar i Komisionit për problemet e krimit në Evropë, në Strasburg ( 1994 – 1996) si dhe kryetar i Fondacionit të Çështjeve të Pajtimit” në Tiranë. Nga viti 1997 -2002 ka qenë Prokuror i Përgjithshëm i Shqipërisë. Nga viti 2002 ai është pedagog në Shkollën e Magjistraturës për lëndët penale. Prej vitit 2014 është anëtar i Komisionit Konsultativ në Ministrinë e Drejtësisë. Ai është autor i disa manualeve për gjyqtarët shqiptarë, prokurorët, policinë gjyqësore dhe juristët. Ai është gjithashtu autor i disa artikujve dhe teksteve si “Sistemi i së drejtës penale”, “Kundër dënimit me vdekje”, “Korrupsioni dhe Evazioni Fiskal” etj.