Në Kryesinë e Kuvendit u zhvillua tryeza e parë konsultative me temë “Paketa e Projektligjeve për mirëqeverisjen, organizimin e gjyqësorit, dhe statusin e magjistratit”.
Qëllimi i kësaj tryeze ishte konsultimi i tre projektligjeve të shtyllës së gjyqësorit, të Reformës në Drejtësi, të projektligjeve “Për Organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë”, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në RSH”, dhe “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të RSH” me aktorët kryesorë të sistemit.
Tryeza e zhvilluar u përqendrua në marrjen e mendimeve, vërejtjeve dhe sugjerimeve të pjesëmarrësve, për tre projektligjet kryesore në kuadër të reformës, projektligje të përgatitura nga grupet e punës të përbërë nga Ekspertë të nivelit të Lartë dhe të Sekretariatit teknik pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë.
Në pjesën parë të Tryezës u bënë prezantime nga ekspertët e Nivelit të Lartë të Grupit të Gjyqësorit, znj. Agnes Bernhard, z. Gent Ibrahimi, znj. Marsida Xhaferllari dhe z. Ilir Panda, duke bërë një ekspoze të përmbledhur të përmbajtjes së projektligjeve për organizim e sistemit gjyqësor, mirëqeverisjes së sistemit gjyqësor dhe statusin e gjyqtarit dhe prokurorit.
Pas prezantimit, sugjerime dhe komente nga gjyqtarë dhe prokurorët dhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë u bënë lidhur me hartën gjyqësore që propozohet, pagat dhe përfitimet e tjera të gjyqtarëve dhe prokurorëve, zgjedhja e anëtarëve të organeve kolegjiale të sistemit të drejtësisë, buxheti gjyqësor, pozicioni i Ministrit të Drejtësisë, etj.
Në këtë tryezë, morën pjesë rreth 90 pjesëmarrës, gjyqtarë, prokurorë si dhe avokatë nga dhomat e avokatisë në vend.