Zhvillohet mbledhja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi.

Projekti i amendamenteve kushtetuese (draft i rishikuar) dhe opinionet e grupeve politike parlamentare, i dërgohen për mendim Komisionit të Venecias.

-Komisioni i Posaçëm “Për Reformën në Sistemin e Drejtësisë” diskutoi mbi projektin e amendamenteve kushtetuese (drafti i rishikuar), propozuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë (vendas dhe të huaj).

Të pranishëm në mbledhje ekspertë të nivelit të lartë prezantuan para komisionit projektin e ndryshimeve kushtetuese. Bashkëkryetari i grupit të punës për reformën kushtetuese, Eksperti i Nivelit të lartë, Prof. Sokol Sadushi prezantoi pikat kryesore të draftit dhe sqaroi çështjet që kanë të bëjnë kompetencat e tribunalit dhe të përbërjes së Këshillit të Emërimeve, të Gjykatës së Lartë Administrative, Gjykatën Kushtetuese, Prokurorit të Përgjithshëm si dhe me strukturën e posaçme për veprat antikorrupsion. Z. Sadushi theksoi se drafti i amendamenteve kushtetuese është përgatitur mbi bazën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

 

Nënkryetari i komisionit z. Eduart Halimi në fjalën e tij e cilësoi draftin jo plotësisht në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias, pasi sipas tij, nuk janë marrë parasysh kërkesat e opozitës e cila vlerëson se janë të paktën 11 pika që nuk kanë gjetur reflektim nga Raporti i Komisionit të Venecias. Z. Halimi theksoi se drafti duhej hartuar sëbashku me ekspertë të opozitës dhe të mazhorancës, sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Spartak Braho kërkoi konsensus dhe se ndërhyrjet në Kushtetutë duhet të jenë sa më minimale. Z. Braho propozoi që Komisioni duhet të vazhdojmë punën pa ndërprerje sipas një itinerari me disa stacione, “stacioni i parë është puna e ekspertëve, stacioni i dytë Komisioni, stacioni i tretë është Venecia vajtje-ardhje disa herë”, tha z. Braho.

Në konkluzion të kësaj mbledhje, Kryetari i komisionit, z. Fatmir Xhafaj, veçoi: “Është shumë e rëndësishme që të gjithë biem dakord dhe shprehim vullnetin politik si ligjvënës se reforma në drejtësi është themelore për procesin e integrimit, por mbi të gjitha për demokracinë në Shqipëri, shtetin e së drejtës dhe qytetarët shqiptarë. Së dyti, biem dakord se projekti që kemi na ka dhënë një bazament të shëndetshëm, me të cilin të gjithë ndajmë shumë të përbashkëta, por edhe me disa rezerva që u prezantuan këtu politikisht, pasi kemi dhe këndvështrime të ndryshme për çështje të veçanta nga pikëpamja e leximit që i është bërë rekomandimeve të Komisionit të Venecias”.

Në fund të mbledhjes, anëtarët e Komisionit të Posaçëm “Për Reformën në Sistemin e Drejtësisë” miratuan me konsensus vendimin që t’i paraqesin Komisionit të Venecias kërkesën për opinion lidhur me tekstin e rishikuar të amendamenteve kushtetuese të propozuara nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë, mbështetur në raportin e ndërmjetëm të Komisionit të Venecias, së bashku me opinionet e opozitës dhe të LSI-së.