Në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë u organizua sot tryeza e konsultimit publik me temë “Reforma në drejtësi dhe të drejtat e grave”.
Të pranishëm në këtë tryezë ishin Sh. T .Z. Donald Lu, Ambasadori i SHBA në Shqipëri, TBC, Jan Rudolph, Kryetar i Sektorit ekonomik dhe politik i BE, Ambasadorja e Holandës në Shqipëri Dewi van de Weerd si dhe znj. Majlinda Bregu, Kryetare e Këshillit Kombëtar të Integrimit si dhe përfaqësues të shoqërisë.
Në prani të ekspertëve të nivelit të lartë dhe të ftuarve të tjerë, mbajti një fjalë përshëndetëse Ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu i cli vuri në dukje edhe njëherë se reforma në sistemin e drejtësisë i jep Shqipërisë një mundësi për të luftuar korrupsionin për të rivendosur besimin tek shqiptarët dhe për tu dhënë shpresë njerëzve se ndryshimi po vjen.
Ambasadori i SHBA-ve vlerësoi rëndësinë e diskutimit të kësaj reforme me qytetarët.
“E dimë se propozimi i tanishëm i reformës duhet të përfshijë ndryshime të rëndësishme për të reflektuar ide më të mira nga Komisioni i Venecias, ekspertët e opozitës, gjyqtarët, prokurorët, juristët dhe publiku i ndërgjegjshëm”, tha z. Lu.
Ambasadorja e Holandës në Shqipëri Dewi van de Weerd deklaroi se një sistem i bazuar në meritë është shumë i rëndësishëm, por edhe një balancë gjinore nuk do të jetë një luks në luftën kundër korrupsionit.
Znj. Bregu deklaroi se reforma e drejtë në drejtësi, është hapi i parë për t’ i mos mohuar drejtësinë askujt.
“Sistemi ynë aktual i drejtësisë dhe i mbrojtjes nga dhuna, zinxhiri i reagimit ka nevojë urgjente për shkundje. Për shkundje kanë nevojë institucionet, policia, që është pika e parë e kontaktit me një grua të dhunuar, mjeku i ambulancës, qendrës shëndetësore apo spitalit ku paraqitet gruaja e dhunuar, prokurori i cili ngre akuzën, gjyqtari që jep vendimin, psikologu pranë gjykatës i cili ftohet si ekspert sidomos kur ka fëmijë në mes, shërbimi social shtetëror”, tha znj. Bregu.
Prof. Aurela Anastasi, përfaqësuese e Rrjetit kundër Dhunës me Bazë Gjinore e Trafikimit, (me mbështetjen e UNDP) dhe njëkohësisht eksperte e Grupit të ekspertëve të nivelit të lartë për Reformën në Drejtësi, analizoi përmirësimin e legjislacionit shqiptar për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Gjatë takimit u diskutua në lidhje me legjislacionin penal, mbrojtja, mbështetja dhe kompensimi i viktimave të dhunës me bazë gjinore si dhe për legjislacionin civil për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe përmirësimi i procedurave gjyqësore.
Të pranishmit propozuan rritjen e shërbimeve mbështetëse për viktimat e dhunës me bazë gjinore.
Deputetja Silva Caka, njëherësh dhe anëtare e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi u shpreh se reforma në drejtësi është një proces pa kthim. “Unë besoj se reforma në drejtësi duhet të bazohet mbi parimin shtetit të së drejtës dhe nuk duhet bërë asnjë kompromis as me këtë parim dhe as me reformën në drejtësi. Dhe në këtë fazë reforma sigurisht që duhet të jetë një proces i palodhur konsultimi jo vetëm me ekspertë të nivelit të lartë por dhe me qytetarët”, theksoi znj. Caka.
Deputetja Vasilika Hysi, njëherësh dhe anëtare e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi tha se kjo tryezë plotëson dimensionin human që duhet të ketë reforma në drejtësi, pikërisht problemet e grave dhe dhunën në familje, në shoqëri, dhunime mbi bazë gjinore.
“Ajo që do të doja të theksoja është se aspekti i dhunës me bazë ligjore duhet të adresohet më mirë në kuadër të reformës në drejtësi”, tha znj. Hysi.