Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Florian Raunig, i pranishëm në diskutimin mes anëtarëve të Komisonit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë dhe studentëve, pedagogëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile në qytetin e Shkodrës, theksoi rëndësinë themelore që ka krijimi i kulturës së shtetit të së drejtës. Ai shprehu kënaqësinë e përfshirjes në një dialog kombëtar mbi reformën në drejtësi, ku njeri prej komponentëve është dhe arsimi ligjor.
Anëtarët e Komisonit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe Grupi Ekspertëve të Nivelit të Lartë, të cilët kanë punuar në hartimin e dokumentit “Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri – 2015”, ditën e martë, më 16 qershor 2015, ishin prezentë në një seancë konsultimi publik në mjediset e Universitetit “Luigj Gurakuqi” në qytetin e Shkodrës. Në auditor ishin studentë dhe pedagogë nga degët e fakultetit Juridik të këtij universiteti, si dhe përfaqësues nga organizatat lokale joqeveritare dhe media. Fillimisht të pranishmit u njohën me disa nga aspektet kryesore të Dokumentit Analitik të Reformës në Drejtësi, fokusuar më shumë në kapitullin ku jepet një pasqyrë e hollësishme e problematikës, dinamikës dhe infrastrukturës së edukimit ligjor dhe arsimit juridik në Shqipëri.