Në kuadër të Reformës në Sistemin e Drejtësisë u zhvillua sot në Shkodër tryeza rajonale për prezantimin dhe konsultimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese me gjyqtarë, prokurorë, avokatë, përfaqësues të shoqërisë civile të pranishëm në këtë veprimtari.
Në fjalën e saj përshëndetëse, ambasadorja e Republikës Çeke, znj. Bronislava Tomasova vlerësoi se kjo reformë është vendimtare jo vetëm për të ardhmen e Shqipërisë në BE, por ajo është thelbësore edhe për funksionimin e duhur të Shqipërisë si shtet.
Ambasadorja e Republikës Çeke vuri në dukje faktin që një shtet duhet të sigurojë drejtësinë për qytetarët e tij, gjë që sipas saj, sektori i drejtësisë patjetër duhet ta bëjë. “Ky është parimi kryesor i pushtetit gjyqësor në çdo shtet, një shtet i cili ofron shërbime për qytetarët..., një shtet i cili krijon një ambient të përshtatshëm për biznesin dhe investimet. Kjo është sërish e lidhur direkt me forcën e sundimit të ligjit dhe funksionimin e gjyqësorit”, tha znj. Tomasova. Ajo nënvizoi se lufta me efikasitet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, nuk është e mundur pa një sistem profesional, të pavarur, të përgjegjshëm dhe efikas të drejtësisë.
Duke vlerësuar rëndësinë e reformës në drejtësi për progresin e mëtejshëm të integrimit të Shqipërisë në BE, znj. Tomsasova u shpreh se “qëllimi në vetvete i kësaj reforme nuk është përmbushja e kushtit të BE-së për dhënien e një tjetër çmimi Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit në BE, por themelimi i një sistemi funksional të gjyqësorit, ku ndërhyrjet politike apo të tjera nuk do të jenë të mundura”.
Eksperti i Nivelit të Lartë, z. Gent Ibrahimi, sqaroi kompetencat që do të marrë Këshilli i Lartë i Gjyqësorit në kuadrin e një sistemi të pavarur nga politika.
Ndërsa Eksperti Ardian Vishaj prezantoi disa nga risitë që përmban projekti për amendamentet kushtetuese lidhur me drejtësinë penale.
Pas prezantimeve, të pranishmit u ftuan të japin mendimet e tyre përsa i përket amendimeve kushtetuese, të cilat u mbajtën shënim nga ekspertët.