Reforma në Drejtësi e domosdoshme për përparimin e Shqipërisë dhe të ardhmen e saj në BE

Në kuadër të prezantimit dhe të konsultimit publik mbi paketën e ndryshimeve kushtetuese, u zhvillua sot në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë tryeza përmbyllëse qendrore për diskutimin mbi çështjet e “Drejtësisë Kushtetuese”. Kryefjala edhe e kësaj tryeze ishte domosdoshmëria e reformës në drejtësi për progresin e Shqipërisë dhe të ardhmen e saj në Bashkimin Europian.

Në prani të personaliteteve të fushës së drejtësisë në vend, ekspertëve, gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, përfaqësuesve të shoqërisë civile, por edhe pedagogëve të fushës së drejtësisë, përshëndetën z. James Walsh, Zëvendës Sekretar Shteti, Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Narkotikët, Departamenti i Shtetit, SHBA; SH.T.Z.  Hellmut Hoffmann,  Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë; SH.T.Z. Bernard Fitoussi, Ambasador i Republikës së Francës si dhe z. Bashkim Dedja, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.                                     

Z. James Walsh, Zëvendës Sekretar Shteti, Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Narkotikët, Departamenti i Shtetit, SHBA tha se kjo reformë është e nevojshme jo vetëm për përparimin e Shqipërisë drejt së ardhmes së saj në Bashkimin Evropian, por gjithashtu edhe për krijimin e një sistemi të qëndrueshëm drejtësie për popullin shqiptar. “Këto reforma  janë të nevojshme për të ardhmen e Shqipërisë si një shtet që qeveriset nga shteti ligjor dhe do ti forcojë rezultatet tuaja ekonomike si një demokraci më e fortë dhe e gjallë”, - tha z. James Walsh.

SH.T.Z.  Hellmut Hoffmann,  Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë theksoi rëndësinë e reformës në drejtësi në çuarjen përpara të procesit të integrimit europian. “Është e qartë për të gjithë sesa varen nga reforma e gjyqësorit hapat e mëtejshëm të Shqipërisë drejt BE. Raporti i fundit i Komisionit nuk lë asnjë dyshim për këtë. Jemi duke kërkuar për zgjidhje të logjikshme rreth të cilave ka një konsensus sa më të gjerë gjë që do të siguronte dhe votat e duhura në parlament. Miratimi i një reforme të kuptimtë do të ishte një hap i parë dhe i vendosur për të ndërtuar besimin në gjyqësor ”, - tha z. Hoffmann.

SH.T.Z. Bernard Fitoussi, Ambasador i Republikës së Francës tha se “për të vazhduar  rrugën e saj drejt integrimit evropian, Shqipëria duhet të përmbushë pesë prioritetet kyçe, ndër të cilat reformën në drejtësi, për ta bërë të paanshme, transparente dhe efikase”, - si dhe vuri në se “kontributi im modest synon që t’ju bëjë juve të mundur të ndiqnin reflektimin tuaj”.

Sa i përket procesit të konsultimit publik për reformën në drejtësi, Z. Rainer Deville, vuri në dukje rëndësinë e tij për përthithjen e mendimeve të ekspertëve dhe të shprehjes së këndvështrimeve të tyre, por, duke iu referuar disa publikimeve dhe diskutimeve të fundit të media lidhur me shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ai kërkoi vëmendjen e medias për të qenë një faktor i rëndësishëm në këtë proces për informimin me saktësi dhe me cilësi të gjithë diskutimeve që bëhen rreth ndryshimeve kushtetuese, duke mos i lënë vendin keqkuptimeve.

Në vijim të diskutimeve, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, z. Bashkim Dedja tha se në Shqipëri ka nevojë të rritet besimi i qytetarëve tek sistemi drejtësisë. “Reformën po e kërkojnë vet shqiptarët për të rritur besimin tek institucionet e Drejtësisë. Ndryshimet kushtetuese duhet të jenë shumë të kujdesshme dhe të garantojnë pavarësinë e institucioneve. Ndryshimet duhet t’i shërbejnë forcimit të pjesës së shëndoshë të sistemit gjyqësor.                        

Ish-Presidenti, z . Aldred Mosiu vlerësoi punën e bërë deri më tani nga ekspertët e nivelit të lartë vendas dhe të huaj. “Është bërë një punë e mirë. Ne nuk na kanë munguar dijet dhe Kushtetuta, por kur ka ardhur puna për implementimin e tyre, këtu kemi çaluar”, çfarë sipas z. Moisiu e ka burimin tek mentaliteti i politikanëve”.  Edhe ish-Presidenti Bamir Topi përgëzoi ekspertët për punën e bërë, ndërsa bëri thirrje që procesi të vijojë të jetë jashtë influencave të politikës.

Më pas, vendi iu la diskutimeve dhe pyetjeve ekspertëve të spikatur në fushën e drejtësisë të pranishëm në këtë takim, si  dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe të grupeve të interesit, të cilat  u mbajtën shënim nga organizatorët, për t’u trajtuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë.

Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë ftuan të pranishmit që të jenë aktivë me propozime dhe mendime edhe përmes faqes on-line të Reformës në Drejtësi, www.reformanedrejtesi.al, apo dhe kontakteve të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën.