Komisioni pati në rend të ditës prezantimin e një projektligji shumë të rëndësishëm, ai “Për organet qeverisëse të pushtetit gjyqësor”, dhe njëkohësisht edhe diskutimin nen për nen të projektligjit “Për statusin gjyqtarit dhe të prokurorit”.
Projektligji i parë nuk ka ekzistuar deri më sot. Ne kemi pasur dispozita të shkëputura në ligje të veçanta. Aktualisht grupi i ekspertëve të nivelit të lartë ka përgatitur një projektligj shumë të mirë në opinionin tim dhe të kolegëve, pasi rregullohen katër institucione shumë të rëndësishme. Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësi dhe Këshilli i Lartë i Emërimeve. Ajo që do të doja të theksoja që në prezantim, por edhe në cilësinë e relatores, kam lexuar me vëmendje projektligjin i cili arrin në një fazë të tillë që siguron një pluralizëm të përbërjes së këtyre institucioneve kolegjiale.
E dyta, këto institucione, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor apo Këshilli i Lartë i Emërimeve nuk do të përbëhen vetëm nga gjyqtarë dhe prokurorë, por do të përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë të Tiranës dhe të gjithë shkallëve të nivelit gjyqësor. Përzgjedhja e tyre do të jetë jo më siç kemi pasur në përgjithësi që janë përfaqësuar nga titullarët, por do të kenë një përfaqësim të gjithë shkallëve të gjyqësorit dhe të prokurorisë në mënyrë proporcionale dhe do të ketë përfaqësues nga Tirana dhe nga gjykata dhe prokuroritë jashtë Tiranës.
Njëkohësisht është përdorur elementi i votimit. Më këtë projektligj rregullohen në mënyrë të detajuar procedurat e votimit, kriteret, transparenca e këtij procesi, e drejta e ankimimit, dhe mbi të gjitha, ajo që do të doja të theksoja, janë qartësuar mirë pozitat ose kompetencat e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, marrëdhëniet e tij me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, por njëkohësisht edhe të gjithë procedurat e hetimit të masave disiplinore dhe e dhënies së tyre apo dhe e ankimimit.
Ky projektligj shumë shpejt do të kalojë në diskutimin nen për nen, ndërsa sa i përket projektligjit të dytë, ky projektligj ishte diskutuar në parim në mbledhjen e kaluar. Sot ne kaluam në fillimin e diskutimit nen për nen lidhur me statusin e prokurorit dhe të gjyqtarit.
Grupi i ekspertëve sëbashku me komisionin diskutuan sot një pjesë të neneve. Ligji është i gjatë, është i rëndësishëm. Ka marrë kohën e tij. Është punuar që nga tetori i 2015-s nga grupi i ekspertëve dhe ne po punojmë me kujdes për të kaluar nen për nen këtë projektligj që në mendimin tonë është shumë i rëndësishëm.
Znj. Hysi si do të jetë mënyra e votimit të KLGJ dhe të KLP duke pasur parasysh debatin me opozitën sa i përket votave? A i lihet vend një ndryshimi të mundshëm nëse opozita arrin konsensusin me mazhorancën?
Në fakt projektligji për organet qeverisëse të pushtetit gjyqësor nuk ka të bëjë vetëm me mënyrën se si votohen anëtarët jo gjyqtarë dhe jo prokurorë në këto dy komisione, por është ligj shumë i detajuar. Është i pari në llojin e vet që rregullon në mënyrë shumë shteruese, kriteret, kushtet , procedurat, marrëdhëniet midis institucioneve. Aty janë diskutuar çështje dhe rregullohen çështje të tjera po aq të rëndësishme. Për aq kohë sa vazhdojnë negociatat, ajo është pikë të cilës ne mund t’i rikthehemi, por projektligji është shumë i gjerë se sa ajo që ju pyesni.
Në ligj si është...?
Në fakt, ligji rregullon në mënyrë të detajuar mënyrën se si do të zgjidhet përfaqësuesit dhe gjyqtarë, ato që vijnë nga avokatia, nga noteria, nga universiteti, nga pjesa e institucioneve të tjera siç është shoqëria civile. Meqenëse keni bërë shumë pyetje se si do të zgjidhen anëtarët gjyqtarë, projektligji sjell një formë që siguron një pluralizëm, një transparencë në proces, sepse të gjitha procedurat do të jenë transparente publike. Sjell një procedurë shumë të detajuar të nominimit të tyre, pra të thirrjes publike për të kandiduar, konkurrimit të tyre, të përzgjedhjes dhe të institucioneve që do të marri pjesë në përzgjedhjen e tyre.
Ajo që ka rëndësi sot dhe që mua më vjen mirë ta përmend, gjyqtarët, prokurorët, trupat pedagogjike, noterët, avokatët, si ata që jetojnë në Tiranë, edhe ata që i përkasin dhomave lokale të avokatisë dhe noterisë, do të votojnë. Pra zëri i tyre do të dëgjohet. Nuk do të mbetet përfaqësues ose njerëz që marrin shërbime nga sistemi i drejtësisë, që të mos kenë mundësinë të shprehen për përfaqësuesit e tyre në Këshillin e Lartë Gjyqësor apo në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Shtatët ligjet bazë kaluan dje në votim për t’u përfshirë në kalendarin e punimeve të Kuvendit. Do të jenë në votimin që do të bëhet më datë 21 korrik bashkë me reformën apo do të jenë ndoshta në seancën e fundit të këtij sesioni?
Unë jam një ndër ata 14 deputetë në Parlament, të cilët votuan për të futur projektligjet në kalendarin e punimeve të Kuvendit. Përsa i përket mënyrës se kur do të votohen bashkë me ndryshimet kushtetuese apo veçmas, këtë do ta tregojë praktika. Por ajo që dua të them është se këto janë të domosdoshme të kalojnë, si ndryshimet kushtetuese edhe paketa e shtatë ligjeve, me qëllim që ndryshimet kushtetuese të fillojnë të japin efektet e tyre.
A ekziston ndonjë mundësi që të shtyhet në sesionin e ardhshëm, të paktën votimi i shtatë ligjeve?
Çdo ditë ne po punojmë intensivisht, po u japim kohën e duhur pavarësisht se do të doja të theksoja se ekspertët kanë bërë një punë të jashtëzakonshme dhe kanë punuar qindra ekspertë dhe është konsultuar gjerësisht. Madje do të thosha që çdo projektligj që ne diskutojmë në variantin final siç ka ardhur në komision i shpërndahen në adresat elektronike gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve. Madje ata dinë dhe variantin final që ne jemi në diskutim me qëllim që të reflektojnë nëse kanë ndonjë shqetësim apo sugjerim. Ata mund të paraqesin komentet dhe sugjerimet e tyre, por nga ana tjetër do të njohin dhe projektligjin për të filluar kuptimin dhe zbatimin e tij.