Sot Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi ka shqyrtuar nen për nen një nga projektligjet më të rëndësishme, atë të organizimit të pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë.
Mbledhja siç e shikoni ka zgjatur pasi është një nen shumë i rëndësishëm i cili fut disa kritere të reja në organizimin e sistemit të gjyqësor në Republikën e Shqipërisë.
Kemi pasur një diskutim konstruktiv me ekspertët vendas dhe ndërkombëtar dhe projektligji i sjellë prej tyre ka pësuar edhe disa përmirësime me qëllim që të rritet aksesi i qytetarëve tek drejtësia, por të rritet edhe profesionalizmi i punonjësve të gjykatës dhe i vetë gjyqtarëve.
Pati një diskutim të gjatë lidhur me formimin e administratës gjyqësore, pasi administrata gjyqësore sot është e pakualifikuar, nuk ka ndonjë formim fillestar apo vazhdues ekstra para se të fillojë punë. Por kemi futur rregulla të reja dhe një status të ri.
Punonjësit e administratës së gjykatave do të kenë statusin e punonjësit civil gjyqësor. Pra sikurse rregullon ligji i “Nënpunësve civilë” statusin e punonjësve të administratës publike, kështu do të rregullohet edhe statusi i nënpunësve të administratës së gjykatave. Kjo i jep rëndësi të madhe pasi do të kemi punonjës më të kualifikuar, më profesionistë për të cilën shoqëria dhe shteti do të investojnë më shumë.
E dyta diskutuam gjerë e gjatë lidhur me kompetencat që do të kenë degët e gjykatave me qëllim që të rritet aksesi, por njëkohësisht të respektohet profesionalizmi, të respektohet specializimi dhe cilësia dhe shpejtësia e gjykimit.
Diskutimet të veçantë kemi pasur edhe në lidhje me kompetencat që ka gjykata.
Me këtë ligj merr fund njëherë e përgjithmonë që drejtimin e gjykatës e bën vetëm kryetari i gjykatës. Por krijohet këshilli i gjykatës i cili do të përbëhet nga kryetari, zëvendëskryetari, kancelari, por njëkohësisht i jepet shumë rëndësi mbledhjes së gjyqtarëve.
Pra të gjithë gjyqtarët janë vendimmarrës në disa çështje shumë të rëndësishme nëpërmjet mbledhjes së përgjithshme të tyre. Gjithashtu kemi pasur diskutim për një figurë të re që futet në sistemin gjyqësor. Gjyqtarët e gjykatës së shkallës së parë do të kenë të drejtën që të kenë këshilltarë ligjorë, por jo atë të asistentit që kanë sot që përdorin thjesht për shkresa, për të arsyetuar për të zbardhur vendime, por duke pasur një status edhe më të lartë. Dhe për këtë arsye kërkohet që dhe formimi i tyre të jetë i lartë.
Kur pritet që të kalojë në tërësi ky projektligj?
Në fakt ne kemi lënë 2-3 çështje të hapura me ekspertët e nivelit të lartë vendas dhe ndërkombëtarë, sidomos në lidhje me komunikimin dhe kompetencat e Këshillit të Lartë Gjyqësor, me Shkollën e Magjistraturës, me Ministrinë e Drejtësisë për formimin fillestar vazhdues të stafeve. Njëkohësisht ne kemi kërkuar që të ketë disa rregullime të statusit të këshilltarëve ligjorë ose të asistentëve ligjorë dhe sapo këto të jenë gati do të kalojnë edhe në tërësi.
Duke pasur ecurinë e deritanishme kur mund të themi që mund të mbarojë e gjithë paketa që do të shoqërojë ndryshimet kushtetuese? A mund të arrihet afati i 15 korrikut?
Unë mendoj që po mund të arrihet me këtë ritëm. Në përgjithësi është bërë një punë shumë e mirë nga ekspertët e nivelit të lartë vendas dhe ndërkombëtarë. Për shembull unë sot e kam ndjerë këtë lehtësi si relatore e këtij projektligji që ishte shumë i avancuar. Ka futur disa koncepte të reja dhe një edukatë të re. Ndërkohë që këtë javë kemi edhe projektligjin për statusin e gjyqtarit dhe të prokurorit i cili është paraqitur nga ekspertët. Do ketë një relacion dhe njëkohësisht diskutimin nen për nen brenda kësaj jave, ndërkohë që po ecet edhe me projektligjet e tjera.
Këtë e ka bërë të ditur sot për mediat znj. Hafizi, deputetja Hafizi. Po mblidhen firmat nga deputetë për zgjedhjen e presidentit nga populli, për ndryshimin e Kushtetutës duke i dhënë qytetarëve mundësi të jenë të përfshirë, deri tek nisma nga ana e tyre për ndryshim kushtetues?
Në fakt nuk është se nuk është diskutuar në rast se Kushtetuta do të preket dhe në pjesë të tjera apo jo, sepse edhe kjo çështje është diskutuar në Komision, por mandati i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi është lidhur me organizimin e sistemit gjyqësor dhe me rolin e presidentit në kuadër të sistemit gjyqësor dhe për këtë arsye është lënë mënyra e zgjedhjes së tij. Unë nuk mund të flas dot sepse nuk jemi të mandatuar. Çdo deputet ka të drejtë të bëjë nisma ligjore për ndryshimet kushtetuese, ju e dini që duhet të kesh 28 firma.
Data 21 korrik është parashikuar për miratimin e draftit të reformës në drejtësi. Ndërkohë në projekt-kalendar nuk ishin vendosur 7 ligjet bazë të reformës në drejtësi...
Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi vepron sipas Rregullores së Kuvendit si Komisionet e përhershme parlamentare. Ne në mbledhjen e komisionit kemi miratuar një kalendar me afate të prezantimit të nismës, të diskutimit në parim dhe të diskutimit nen për nen dhe të miratimit në tërësi. Ne jemi të ngarkuar të respektojmë vendimet e Kuvendit dhe besimin që na ka dhënë Kuvendit. Kështu po punojmë intensivisht natë e ditë për të përmbushur dhe respektuar afatet e përcaktuara në kalendarin e miratuar në mbledhjen e komisionit të posaçëm.