A ka negociata z.Xhafaj për Reformën në Drejtësi?Negociata më e madhe për reformën në drejtësi është negociata me qytetarët shqiptarë dhe ajo që dua të them, dje patëm një sondazh i cili bënte publik një fakt shumë të njohur, por që e risillte në vëmendjen tonë, në vëmendjen e përgjegjësisë së klasës politike, në vëmendjen e Parlamentit shqiptar faktin që sot, shqiptarët në shumicën dërrmuese të tyre, e konsiderojnë Reformën në Drejtësi si imperative, e konsiderojnë reformën në drejtësi si një gjë jetike për fatet e tyre dhe për fatet e vendit. Ishte një lajm shumë pozitiv.
Ashtu siç ishte një lajm negativ fakti që sipas një sondazhi të kryer kompanitë gjermane e radhisnin interesin ose nevojën për të investuar në Shqipëri ndër vendet e fundit në rajon, dhe kjo duke pasur si shkak themelor edhe nivelin që ka sot drejtësia shqiptare. Ashtu siç është një lajm i keq ajo që po ndodh sot në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ku një grup i vogël që ka kapur prej fyti Këshillin po vazhdon të bëjë qokat e radhës për të bërë emërime në kundërshtim me tërë kriteret ligjore, emërime në përshtatje me interesat e urdhërdhënësve politikë dhe në përshtatje me interesat nepotike të anëtarëve të Këshillit të Drejtësisë dhe të kupolës që zotëron sot Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Por mbi të gjitha këto, siç e thashë dhe në fillim dhe në përgjigje të pyetjes suaj, ajo që është shumë e rëndësishme për ne, është fakti që shqiptarët çdo ditë e më shumë kanë kuptuar sepse e ndjejnë fort në jetën e tyre të përditshme, nevojën që ka reformimi rrënjësor i sistemit të drejtësisë. Ne sot kemi arritur në një moment shumë delikat. Reforma është në hapat e saj të fundit dhe kërkon padyshim një përgjigje në përputhje me interesat e vendit dhe të qytetarëve shqiptarë. Kjo është arsyeja që nuk ka nevojë për shumë negociata, por ka nevojë për më shumë vendimmarrje.
Dua t’ju them se ditën e premte, ora 10:00 do të thirret Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi për të vazhduar punën atje ku e ka lënë.
Nëse nuk ka një përgjigje nga opozita sepse rezultatet e sondazheve ju i dini që shqiptarët e duan reformën?
Unë besoj se edhe opozita do të duhet ta ketë lexuar mirë këtë mesazh publik. Unë besoj se gjithashtu edhe opozita e ka kuptuar që para interesave të politikës së ditës, para interesave për të bllokuar Parlamentin apo për të bërë politikë për çështje të tjera të caktuara, prevalon interesi që kanë qytetarët dhe e ardhmja evropiane e vendit.
Unë shpresoj dhe besoj që opozita ditën e premte në orën 10:00 do të zërë vendet e saj në Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi.
Pavarësisht se çfarë do publiku, z. Xhafaj, opozita ka votat në Parlament. Si do ta bënit për ta kaluar ?
Unë besoj që opozita do të jetë aty. Fakti që unë e kam thërritur komisionin, unë besoj. Nëse nuk ndodh, do të flasim ditën e premte.
Do të vazhdojë punën komisioni nëse opozita nuk do të vijë?
Do të flasim ditën e premte. Unë nuk mund të flas me nëse. Unë shpresoj fort që opozita të jetë aty. Unë jam duke bërë detyrën dhe gjithë këto ditë që nuk e kam thërritur komisionin kam përshtypjen që do të duhej ta kisha bërë.
A keni ndonjë sinjal nga opozita që do të vijë?
Sepse nuk ka kuptim të vazhdojë më shumë pa u mbledhur.
A jeni gati për një referendum siç z. Blushi ka deklaruar nëse vazhdon zvarritja për reformën në drejtësi?
Sot jemi te Komisioni i Posaçëm Parlamentar për të miratuar projektin për ta kaluar pastaj në seancë plenare. Nëse ligjvënësi me vullnet do ta çmojë se është e domosdoshme për ta çuar projektin kushtetues në një referendum popullor, kjo do të ishte padyshim e mirëpritur. Këtë nuk është se e them unë, këtë e kanë thënë dhe qytetarët shqiptarë në sondazh, mbi 80 për qind e qytetarëve besojnë.
Si do të bëhet kjo sepse duhet shumicë në Parlament?
Sipas Kushtetutës.
A është gati mazhoranca të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse ky është një ndër kushtet e opozitës?
Unë nuk e di se cili është pjesa më e rëndësishme, mandati i Rakip Sulit apo reforma kushtetuese në drejtësi për shqiptarët. Këtë ndajeni ju. Qytetarët e kanë ndarë. Për mua detyra është që të drejtoj Komisionin e Posaçëm Parlamentar, të mbledh komisionin dhe komisioni t’i përgjigjet shqetësimit legjitim të qytetarëve për të bërë reformën në këtë vend.