Ju falenderoj për kontributin tuaj në gjithë këtë proces të gjatë dhe të vështirë, por përpara seancës kjo është mbledhja e fundit që do të dëshironim, por nuk besoj se kjo do të jetë e fundit! Mbledhja e sotme ishte një mbledhje proceduriale për të përgatitur raportin që do i paraqitet seancës në respekt të kërkesave që ka Rregullorja. Kjo është detyra numër një që do të duhej të bënim për t’i hapur rrugën pastaj shqyrtimit, ose respektimit të rendit të ditës, të përcaktuar për ditën e enjte, siç e bëri publik edhe Kryetari i Kuvendit. Si pikë e parë, rendi i ditës do të ketë projektligjin për ndryshimet kushtetuese.
Krahas kësaj kemi shqyrtuar dhe disa ndryshime që janë pjesë e projektit të propozuar, duke hequr një pjesë të neneve, që, nga grupet politike parlamentare, nga kolegë të ndryshëm deputetë, në të gjithë këtë diskurs politik të këtyre muajve janë konsideruar si dispozita që janë jo të lidhura drejtpërsëdrejti me detyrën, me mandatin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar dhe janë kryesisht nenet e kapitullit të parë që kanë të bëjnë me BE-në dhe me një sërë dispozitash të tjera që përfshihen tek ky kapitull dhe duke lënë ato dispozita që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me Reformën në Drejtësi.
Natyrisht kemi reflektuar dhe progresin e deritanishëm, pra atë që quhet formulën hibride në draftin kushtetues, në mënyrë që të jetë e përgatitur edhe kjo pjesë për shqyrtim dhe votim nga seanca plenare. Por një gjë është e qartë, është e sigurtë që negociatat vazhdojnë për të gjetur një zgjidhje lidhur me çështjen e vetingut, me formulën që ka të bëjë me formimin e komisioneve që do të realizojnë vetingun, me rolin e operacioneve ndërkombëtare të monitorimit, ashtu si dhe nene që kanë të bëjnë me formimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Ne shpresojmë dhe besojmë se do të gjendet një gjuhë e përbashkët në të gjithë këtë proces negociimi dhe ato çfarë do të jenë pjesë e këtij negociimi do të reflektohen pastaj në draftin kushtetues që do të votojë seanca.
Një nga nenet ishte ajo që ka të bëjë me diskriminimi gjinor që u hoq?
Janë disa nene, kërkesë e PDIU-së dhe disa grupeve të tjera por jo më shumë në kontekstin e nenit në vetvete, të përmbajtjes, por më shumë të faktit se disa nene nuk kishin lidhje drejtpërdrejtë me reformën. Ishte një përpjekje vullnetmirë nga ana jonë për të reflektuar një kërkesë, momentin historik të vendit për integrimin në BE , por dhe një sërë dispozitash të tjera që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Por, meqenëse u diskutua shumë çështja e mandatit, pra ka pasur a nuk ka pasur mandat komisioni, u la që këto dispozita të diskutohen në një kohë të mëvonshme, kur ta gjykojë Kuvendi të arsyeshme.
Pse nuk është e fundit?
Vazhdojnë përpjekjet për tí dhënë një zgjidhje dhe atyre pak çështjeve që ndajnë palët në këtë proces dhe shpresoj që opozita të reflektojë pozitivisht, të kuptojë momentin historik dhe përgjegjësinë historike të këtij projekti kushtetues të Reformës në Drejtësi dhe të mundë që bashkërisht të votojmë projektin në seancën plenare të ditës së enjte.
Përpjekja është e gjithanshme. Përpara pak minutash unë isha tek Kryetari i Kuvendit për ta informuar lidhur me mbledhjen e Komisionit. Kryetari i Kuvendit ka pasur një kontakt telefonik të drejtpërdrejtë me komisionerin Han dhe i ka kërkuar komisionerit, duke i shprehur angazhimin e Kuvendit që do të bëjë maksimumin për të gjetur një zgjidhje konsensuale ditën e enjte për votimin e projektit kushtetues, natyrisht i ka kërkuar komisionerit Han të kontaktojë dhe bashkëbisedojë dhe me Kryetarin e Partisë Demokratike në mënyrë që edhe ata të involohen aktivissht në orët në vijim në mënyrë që të gjendet një zgjidhje kompromisi.
A do të vijojnë negociatat?
Jo vetëm në dijeninë time, por edhe në dijeninë tuaj ky është një proces që është duke vijuar negociimi dhe besoj që do të mblidhen sot, do të mblidhen nesër, kjo ka pak rëndësi momenti kur do të mblidhen, por e rëndësishme është që të bëjë një përpjekje për të dakordësuar palët.
Ajo që më duhet të them unë dhe besoj që më takon që ta them është që shpresoj dhe besoj që edhe në këto orë të mbetura deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, grupet politike parlamentare do të kuptojnë dhe do të ndjejnë peshën dhe përgjegjësinë e tyre përballë qytetarëve, të cilët meritojnë të kenë një drejtësi krejt ndryshe nga kjo që kemi. Një drejtësi në radhë të parë për qytetarët dhe një drejtësi të barabartë për të gjithë.