Projektligji për Provimin e Shtetit si dhe për Edukimin Ligjor të Publikut ishin në fokus të tryezës së konsultimit me Grupin e Edukimit Juridik.
Në pjesën parë të Tryezës u bënë prezantime nga ekspertët e Nivelit të Lartë të Grupit të Gjyqësorit, Prof. Dr. Aurela Anastasi, Prof. Dr. Marjana Semini, Arthur Graham (Këshilltar i Lartë për Çështjet e Gjyqësorit, prezenca e OSBE-së në Shqipëri) si dhe Dr.Richard Regner (Ekspert, Misioni EURALIUS IV, BE), duke bërë një ekspoze të përmbledhur të përmbajtjes së projektligjeve për Provimin e Shtetit si dhe për Edukimin Ligjor të Publikut.
Projektligji "Për provimin e shtetit për profesionin e juristit"' ka për qëllim të përcaktojë rregullat e organizimit dhe funksionimit të provimit të shtetit. Qëllimi i tij është të garantojë që çdo i diplomuar në drejtësi që synon të punësohet në të ardhmen si avokat, prokuror, gjyqtar, noter, avokat në Avokatinë e Shtetit, nëpunës civil në administratën publike në nivel qendror dhe vendor dhe përmbarues të ketë përvetësuar një nivel minimal të njohurive dhe të kuptuarit të ligjit, të sistemit ligjor dhe institucional të Republikës së Shqipërisë nëpërmjet një provimi të centralizuar, të unifikuar, transparent, objektiv dhe të paanshëm.
Ndërsa objektivat e Edukimit Ligjor të Publikut janë promovimi i respektimit të ligjit, kur njerëzit dinë rregullat themelore që rregullojnë aktivitetet e tyre të përditësimit në marrëdhëniet familjare, punësimin dhe përgjegjësisë civile. ELP përforcon marrëdhëniet e biznesit me personat fizikë dhe juridikë. kur njerëzit dhie shoqëritë hyjnë në transaksione me njëri-tjetrin, me ide të qartë për angazhimet, detyrimet dhe kushtet reciproke, si edhe duke njohur burimet dhe përgjegjësitë e tyre në rast mospërmbushjeje.
Pas prezantimit, sugjerime dhe komente nga pedagogë, avokatë, noterë, gjyqtarë dhe prokurorë u bënë lidhur me organizimin e Provimit të Shtetit si dhe për Edukimin Ligjor të Publikut.