“Edukimi Ligjor dhe Profesionet e lira”, ishin dy temat objekt diskutimi në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë.
Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë, pranë këtij komisioni, zhvilloi një dëgjesë konsultimi publik për komponentët kryesorë të dokumentit “Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri – 2015” dhe të tërheqjes së opinioneve rreth Strategjisë për Reformën në Drejtësi.
Të pranishëm ishin gjyqtarë, prokurorë, avokatë, noterë, përmbarues, ndërmjetës, pedagogë e studentë të Universitetit “Ismail Qemali” si dhe përfaqësues të OJF-ve të qarkut të Vlorës.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton, theksoi se konsultimi e bën reformën të efektshme dhe të qëndrueshme, duke e plotësuar atë me njohuri dhe përvoja të vërteta.
Sipas z. Wilton , konsultimi e bën reformën të besueshme dhe mbi të gjitha legjitime.
“Dua të nënvizoj se Shqiptarët janë zotëruesit e kësaj reforme. Përpjekja për të zhvilluar sistemin e drejtësisë të së nesërmes duhet të zotërohet nga vendasit. Konsultimi nuk është vetëm detyra e qeverisë apo parlamentit. Është detyra e të gjithëve, e shoqatave dhe OJQ-ve profesionale, medias dhe qytetarëve dhe, mbi të gjitha, e qytetarëve – të kërkojnë një mundësi dhe ta përdorin maksimalisht. Një gjë e tillë është veçanërisht e rëndësishme në rastin e reformës së shtetit të së drejtës. Sistemi i drejtësisë nuk është për avokatët dhe gjyqtarët; ai është për qytetarët”, tha z. Wilton.
Në vijim të fjalës së tij, Zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri u shpreh se profesionistët e pavarur ligjorë kanë një rol jetësor në sistemin e drejtësisë, ku një nga rolet më të rëndësishme të tyre është mbajtja e çështjeve dhe njerëzve jashtë gjykatave. “Noterët përgatisin instrumentet dhe transaksionet ligjore me përpikëri, në mënyrë që të mos krijohen përplasje, ndërsa avokatët ndihmojnë klientët që të shmangin daljen në gjyq. Praktikuesit duhet të jenë të arsimuar sipas standardeve të larta dhe duhet të rifreskojnë arsimimin e tyre për tu përditësuar me sistemin ligjor shqiptar i cili po zhvillohet në mënyrë të shpejtë”, tha z. Robert Wilton.
Kryetarja e Grupit të Punës për Edukimin ligjor dhe arsimin Juridik, znj. Aurela Anastasi dhe Kryetari i Grupit të punës për Profesionet e lira, z. Maksim Haxhia prezantuan aspektet kryesore të Dokumentit Analitik të Reformës në Drejtësi, për komponentin ku analizohet Edukimi Ligjor dhe Profesionet e Lira në Shqipëri. Gjithashtu, u kërkua kontributi konkret nga aktorët e sistemit të drejtësisë për Strategjinë e Reformës.
“Reforma në fushën e avokatisë është fokusuar në disa drejtime: E para në rritjen e personalitetit profesional, etiko- moral dhe të imazhit të avokatëve, jo vetëm në udhëheqjen e prezantimit në proceset gjyqësore, por dhe në marrëdhëniet me administratën shtetërore dhe në marrëdhëniet me kolegët dhe me profesionet e tjera. Gjithashtu një problem tjetër që ne kemi vënë në fokus të reformës është edhe problemi që ka të bëjë me trajnimet profesionale të fokusuara në trajnimin fillestar dhe në trajnimin vazhdues.
Problem tjetër është pretendimi që brezat e rinj kanë në lidhje me klasifikimin e avokatëve në dy grupe, avokatë që përfaqësojnë çështjen në shkallë të parë dhe të dytë dhe avokatë që e gjykojnë në shkallë të parë , të dytë, të tretë dhe në Kushtetuese. Një aspekt tjetër është dhe problemi i ndihmës ligjore falas dhe avokatëve kryesisht’, tha z. Maks Haxhia.
Mendimet dhe sugjerimet e takimit janë mbajtur shënim nga organizatorët për t’u trajtuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë. Ata ftuan studentët dhe pedagogët, si dhe përfaqësuesit e grupeve të interesit që të jenë aktivë me propozime dhe mendime përmes faqes online të Reformës në Drejtësi, www.reformanedrejtesi.al, apo dhe kontakteve të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën. Ndërkaq, sipas kalendarit të miratuar, konsultimet publike do të vijojnë në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë, në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, në Universitetin “Eqerem Çabej”, Gjirokastër, në Universitetin “Nehemia”, Pogradec dhe Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër.