Në vijim të konsultimeve publike për komponentët kryesorë të dokumentit “Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri – 2015” dhe të tërheqjes së opinioneve rreth Strategjisë për Reformën në Drejtësi, anëtarët e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë, pranë Komisionit të Posaçëm, zhvilluan forumin rajonal të radhës në Universitetin “Nehemia” në Pogradec.
Në këtë veprimtari, ku u prezantua komponenti i “Shërbimeve Ligjore”, ku morën pjesë gjyqtarë, prokurorë, avokatë, noterë, përmbarues, ndërmjetës, si dhe përfaqësues të OJF-ve të Pogradecit dhe të Korçës.
I ngarkuari me punë i Ambasadës Britanike, Stephen Hickling, theksoi disa nga arsyet se përse kjo reformë është e rëndësishme. Ai përmendi anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe investimet e huaja, si dy fushat kryesore që pengohen më shumë nga një gjyqësor i pa reformuar.
Ai theksoi gjithashtu se hapat përpara drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE, varen nga kjo reformë. I ngarkuari me punë, Hickling, tha se reforma nuk duhet të ndodhë për të mirën e Bashkimit Europian, komunitetit ndërkombëtar, ambasadave ose Komisionit të Venecias:
"Nuk duhet ta bëni atë për të mirën tonë, Shqipëria duhet ta ndërmarrë këtë reformë për veten e saj, pavarësisht faktorëve të tjerë".
Z. Hickling foli gjithashtu edhe për korrupsionin në gjyqësor, "në zemër të të cilit është ngritur një klikë gjyqtarësh shumë të korruptuar", korrupsion ky i ndihmuar edhe nga vetë avokatët dhe personat e tjerë të përfshirë në shërbimet ligjore që shërbejnë si ndërmjetës midis klientëve dhe gjyqtarëve.
"Por ryshfetet nuk ju shkojnë vetë gjyqtarëve në xhep. Avokatët dhe të tjerët, në shërbimet ligjore janë bashkëfajtorë dhe përfitojnë nga ky sistem i korruptuar", tha ai.
Në përfundim të fjalës së tij, z. Hickling u shpreh se shpresonte që partitë e opozitës, të sjellin ekspertizën e tyre ligjore në këtë proces, pasi Reforma në drejtësi është çështja kryesore me të cilën përballet Shqipëria dhe të gjitha palët kanë përgjegjësinë për të luajtur rolin e tyre.
Më pas, vendi iu la diskutimeve dhe pyetjeve të grupeve të interesit, të pranishëm në këtë konsultim, të cilat u mbajtën shënim nga organizatorët, për t’u trajtuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë. Ata ftuan studentët dhe pedagogët, si dhe përfaqësuesit e grupeve të interesit që të jenë aktivë me propozime dhe mendime edhe përmes faqes online të Reformës në Drejtësi, ëëë.reformanedrejtesi.al, apo dhe kontakteve të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën.
Faza e konsultimeve publike, sipas kalendarit që është miratuar, do të vijojë në Universitetin “Eqerem Çabej”, Gjirokastër, dhe në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër.