Në kuadër të Reformës në Sistemin e Drejtësisë, sot në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, u zhvillua Konsultimi publik për “Ndryshimet Kushtetuese - Masat Antikorrupsion”.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin gjyqtarë, grupet e interesit, avokatë, pedagogë të së drejtës të universiteteve publike dhe private, shoqëri civile, institucione të fushës, deputetë të grupeve parlamentare si edhe përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Shqipëri.
Në fjalën përshëndetëse, SH.S.Zj. Romana Vlahutin, Ambasadore e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri theksoi se reforma është një hap i panegociueshëm për anëtarësimin e Shqipërisë në familjen e Bashkimit Europian. Sipas znj. Vlahutin, reforma duhet të jetë e fortë dhe të krijojë kuadrin ligjor më të mirë institucional dhe ndarjen e qartë të kompetencave për të pasur hetime serioze, ndjekje penale të krimeve të rënda në të gjitha nivelet e mundshme. “Ju duhet të jeni të ndërgjegjshëm se nëse Shqipëria dëshiron të bëhet anëtare e plotë e BE-së ndonjë ditë, reforma në drejtësi nuk është e negociueshme. Ose me fjalë të tjera, kjo reformë duhet të jetë e fortë dhe të krijojë kuadrin ligjor më të mirë institucional dhe ndarjen e qartë të kompetencave në mënyrë që të ketë hetime serioze, ndjekje penale të krimeve të rënda në të gjitha nivelet e mundshme. Deri tani kemi marrë një angazhim të plotë politik për reformën nga të gjithë vendimmarrësit në Shqipëri deri në krye fare. Shpresoj që ky angazhim të respektohet deri në fund përfshi këtu dhe votimin përfundimtar të parlamentit”, tha znj. Vlahutin.
Ambasador i Francës në Shqipëri, SH.T.Z. Bernard Fitoussi tha se reforma në drejtësi është e lidhur ngushtë me integritetin e punëve publike. Z. Bernard Fitoussi vlerësoi procesin e nisur me reformën në drejtësi si një mënyrë për të fituar besimin e qytetarëve. “Ne duhet të bëjmë dallimin shumë shpejt se ku dhe në qoftë se ka gjyqtarë apo jo prokurorë të korruptuar dhe këta persona duhet menjëherë që t’i nënshtrohen procesit gjyqësor. Ky është një proces shumë i rëndësishëm sepse konsiderohet si mënyra e vetme për të fituar besimin e munguar ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve”, tha z. Fitoussi.
Eksperti ndërkombëtar (EURALIUS), z. Rainer Deville, bëri një paraqitje të ndryshimeve kushtetuese që janë parashikuar për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe mekanizmin tranzitor kushtetues.
Ndërsa eksperti ndërkombëtar(OPDAT), z. Jon Smibert sqaroi strukturën e Posaçme Antikorrupsion dhe vendin që ajo do të zërë në kornizën e re kushtetuese. Ekspert i Nivelit të Lartë, z. Arben Rakipi, theksoi rëndësinë e forcimit të sistemit të përgjegjshmërisë profesionale dhe etike në fushën e drejtësisë si dhe njohu të pranishmit me institucionet e reja të propozuara që të ngrihen.
Eksperti i opozitës, z. Ivi Kaso konfirmoi qëndrimin e opozitës për realizimin e një Reforme reale në Drejtësi, që të arrijë të garantojë 3 objektivat madhorë të shpallur: luftë ndaj korrupsionit dhe rritje e eficencës së sistemit; luftë ndaj korporativizimit dhe përgjegjshmëri; si dhe garantimi i pavarësisë dhe mosndërhyrjeve politike. “Në kuadër të luftës ndaj korrupsionit dhe rritjes së profesionalizimit të sistemit gjyqësor, ne mirëpresim tërësisht një vlerësim konkret, eficent dhe të shpejtë të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkallës së pare dhe të apelit, bazuar në kontrollin e punës së tyre, eficencës, shpejtësisë, respektimit të ligjit dhe Kushtetutës. Kësisoj, ne mbështesim fuqimisht çdo masë që synon të luftojë korrupsionin në sistemin e drejtësisë, në mënyrë reale dhe të sinqertë, dhe që në qëllimin e vet final të ketë ndëshkimin shembullor të çdo gjyqtari dhe prokurori të korruptuar. Por një proces i tillë duhet të sigurojë dhe të vendosë në balancë të drejtë garantimin e njëkohshëm të pavarësisë së gjyqësorit me luftën pakompromis ndaj korrupsionit”, tha z. Kaso.
Më pas, vendi iu la diskutimeve dhe pyetjeve të grupeve të interesit, të pranishëm në këtë konsultim, të cilat u mbajtën shënim nga organizatorët, për t’u trajtuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë. Ata ftuan gjyqtarë, avokatë dhe përfaqësuesit e grupeve të interesit që të jenë aktivë me propozime dhe mendime edhe përmes faqes online të Reformës në Drejtësi, www.reformanedrejtesi.al, apo dhe kontakteve të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën.