Kuvendi miratoi projektligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë“.
Në emër të Grupit parlamentar të Partisë Reoublikane, z. Fatmir Mediu, e cilësoi si thelbësor konsensusin për miratimin e ligjit të vettingut.
“Konsensusi ka qenë dhe ngelet rruga më e mirë për një kuptim të përbashkët për një reformë thelbësore në drejtësi dhe për të bërë të mundur që ligjet të implementohen. Sot më shumë se të votojmë një ligj duhet të shtrojmë pyetjen nëse kemi proçes normal parlamentar apo të manipuluar politikisht.Sot për interesa politike kërkohet të miratohet një ligj që shoqërohet dhe me ligje të njëjta të së njëjtës frymë duke shkelur Kushtetutën dhe frymën e konsensusit.Opozita nuk mund të pranojë këtë situatë dhe të vazhdojë një proçes duke u bërë pjesë e kësaj farse sot”, tha z. Mediu.
Në emër të Grupit parlamentar të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, znj. Mesila Doda ftoi deputetët të votojnë ligjin e vettingut jo thjesht për më shumë drejtësi për shqiptarët, por për të shpëtuar fytyrën e politikës.
“Mendojmë se reforma në drejtësi së bashku me paketën ligjore të shtatë ligjeve, të parin e të cilëve duhet ta aprovojmë sot nuk bëhen dhe as mund të ndërrohen për kolltukun e askujt, as në ekzekutiv e as në legjislativ. Kemi besim që me ndihmën e partnerëve tanë t’ia dalim të injektojmë drejtësi jo vetëm në gjyqësor dhe gjetkë, por edhe në politikë, në sipërmarrje, në jetën e zakonshme të shqiptarit. Ju ftojmë të votojmë këtë ligj që kemi në tryezë, jo thjesht për shqiptarët, por edhe për të shpëtuar sa të mundemi fytyrën e politikës, e cila me këtë sjellje të udhëheqësve të partive kryesore po bëhet çdo ditë e më shumë qesharake, thua se jemi këtu për të bërë hajgare dhe jo ligje”, tha znj. Doda.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, duke folur dhe në emër të Grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ftoi opozitën që të miratojë pr/ligjin e vettingut, duke dëshmuar përgjegjshmëri.
“Unë i kam bërë të gjitha përpjekjet e mia si Kryetar i Kuvendit, që t’i ndërgjegjësoj të gjithë për të punuar bashkë që ky ligj të paktën dhe 6 ligjet e tjera, që janë ligjet kryesore, të miratohen me konsensus. Jo, se nuk ka mjete të tjera cilido që ka pakënaqësi apo që është i bindur që ka probleme me Kushtetutën apo me Komisionin e Venecias, por sepse nuk është mirë që të japim mesazhe kontestuese për ligjet themelore, ndërkohë që vullnetin tonë bazik e shprehëm me ndryshimet kushtetuese. Do të dëshiroja që të veprojmë në një mënyrë sa më të përgjegjshme, sa më demokratike dhe jo gjithmonë duke paragjykuar gjithçka. Të mos ngatërrojmë çështjet e tjera të politikës së ditës në këtë çështje, që është një çështje afatgjatë. Sa më pak retorikë politike për reformën në drejtësi, aq më shumë angazhim tregojmë për t’i shërbyer një procesi në mënyrë të përgjegjshme dhe të bëjmë të mundur që ky sistem të ndryshojë një herë e përgjithmonë në të mirë të të gjithë shqiptarëve”, tha z. Meta.
Në emër të Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, z. Eduard Halimi theksoi se ligji nuk ka konsesusin e opozites dhe se ai është në shkelje totale të Kushtetutës së 22 Korrikut.
“Opozita e ka dhënë votën e saj 100% në 22 korrik për procesin më të thellë, Kushtetutës dhe sipas standardeve europiane për pastrimin radikal të drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, të paaftë dhe të kapur politikisht, të njohur si vetting. Projektligji i sjellë sot nga qeveria është jashtë çdo konsesusi, çdo standardi europian dhe dhunon Kushtetutën e vendit. Kryeministri kërkon që pastrimin e drejtësisë, kontrollin e gjyqtarëve e prokurorëve ta bëjë ai me ministrat dhe drejtorët politikë, dhe opozita e vendit, si çdo opozitë në çdo vend demokratik nuk mund të pranojë kapjen politike të këtij procesi. Opozita nuk do e votojë një projektligj pa konsensus që dhunon Kushtetutën dhe standardet europiane. Opozita do ndjekë rrugë në mbrojtje të Kushtetutës së 22 korrikut për një reformë në drejtësi vetëm dhe vetëm sipas asaj Kushtetute dhe bazuar në standardet më të mira euro-atlantike”, tha z. Halimi.
Më pas deputetët e opozitës u larguan nga salla e seancës plenare.
Në emër të Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, z. Pandeli Majko u shpreh se dëshira për ruajtur influencën në sistemin e ri të drejtësisë që projekton reforma e drejtësisë nga politika është realiteti i kërkesave të opozitës. “Një justifikim për që filloi me akuzën se reforma po bëhet për “kontrollimin” e saj. Një fantazi që filloi si akuzë mbi mazhorancën dhe përfundoi tek akuzimi i Perëndimit. Një hipokrizi që duket si politikë por që thelbin e ka frikë. Frika nga moskontrolli nesër i drejtësisë është kriza reale që shoqëroi gjithë diskutimin e reformës së drejtësisë. Kjo mosmarrëveshje lidhet me qëllimet e ndryshuara nga ato për të cilat shumë nga ne hymë në politikë. Koha ka bërë të vetën. Dëshiroj tu ftoj që të ripohojmë veten dhe arsyen pse jemi në këtë sallë. Ju ftoj ta votojmë Projektiligjin e kthimit të moralitet në sistemin e drejtësisë. Koha e të “paprekëshmëve” mbaroi”, tha z. Majko.
Projektligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë“ u miratua me 88 vota pro, 1 votë asbtenim dhe asnjë kundër.