Komisioni i Posaçëm, tryezat dhe grupet e konsultimit diskutojnë intensivisht sot çështje të Reformës në Drejtësi

Në mjediset e Kryesisë së Kuvendit sot u mblodhën në tri veprimtari të veçanta Komisioni i Posaçëm, grupet e konsultimit dhe tryeza konsultative për Reformën në Drejtësi.

Në mbledhjen e radhës së Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi u diskutua mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.  Ndërsa, grupet e konsultimit vijuan punën e tyre lidhur me përgatitjen e paketave ligjore në kuadër të Reformës në Drejtësi.

Paralelisht, po sot u zhvillua edhe tryeza e konsultative me temë “Projektligjet për organizimin e prokurorisë, prokurorinë speciale dhe Byronë Kombëtare të Hetimit”.

Tryeza e zhvilluar u përqendrua në marrjen e mendimeve, vërejtjeve dhe sugjerimeve të pjesëmarrësve, për projektligjet e përgatitura nga grupet e punës të përbërë nga Ekspertë të nivelit të Lartë dhe të Sekretariatit teknik pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë.

Në pjesën parë të Tryezës u bënë prezantime nga ekspertët e Nivelit të Lartë të Grupit të Gjyqësorit, z. Artan Hoxha, znj. Koraljka Bumçi, z. Arben Rakipi duke bërë një ekspoze të përmbledhur të përmbajtjes së projektligjeve për organizimin e prokurorisë, prokurorinë speciale dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.

Pas prezantimit, sugjerime dhe komente nga gjyqtarë dhe prokurorë u bënë lidhur me organizimin e Prokurorisë dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit, kompetencat dhe marrëdhëniet e këtyre organeve me institucione të tjera shtetërore, subjekte të tjera publike apo private, si dhe me publikun.

 

Në këtë tryezë, morën pjesë Prokurorë, prokurorë të Krimeve të Rënda, Gjyqtarë të Krimeve të Rënda si dhe përfaqësues të institucione të fushës.