Anëtarët e Komisionit të Posaçëm "Për reformën në Sistemin e Drejtësisë", zhvilluan mbledhjen e radhës ku u prezantua procesi i reformës në drejtësi, nëntor 2014 – korrik 2015. Gjatë mbledhjes, anëtarët e komisionit diskutuan e më pas miratuan edhe Analizën e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, miratuan Strategjinë e Reformës së Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri si edhe Planin e Veprimit të Reformës së Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri.
Fillimisht, Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, znj. Albana Shtylla, e cila është njëherësh edhe Koordinatore e Përgjithshme, bëri një prezantim informues të punës së bërë deri më tani nga grupet e punës.
Gjatë diskutimeve, përfaqësuesit e opozitës në Komisionin e Posaçëm kërkuan kohë që dokumenti i Strategjisë së Reformës të miratohet për në shtator me qëllim që opozita të paraqesë propozimet e saj në lidhje me reformimin e sistemit.
"Në rast se ju do të vazhdoni me vendosjen e këtij standardi se ne edhe pa u konsultuar me grupet e interesit, edhe pa marrë mendimin e Komisionit të Venecias, edhe pa marrë versionin dhe impaktin e opozitës se kjo nuk na duhet, atëherë po ju them se ju jeni shkaktarët e vetëm të prishjes së konsensusit për një reformë kaq të rëndësishme", - tha z. Halimi.
Por përfaqësuesit e misionit të OPDAT dhe të EURALIUS kërkuan prej opozitës miratimin e dokumenteve dhe jo shtyrjen për në shtator.
“Në strategji ne nuk kemi paraqitur një alternativë të vetme, por opsionet e ndryshme të zgjidhjeve. Unë propozoj që ju sot t’i votoni këto dokumente dhe në fazën kur të vijmë tek draftimi konkret i dispozitave, atëherë do të jetë momenti kur ne duhet të përcaktojmë zgjidhjet konkrete, alternativën e vetme.
Ky proces i hartimit sigurisht që do të kërkojë patjetër konsultime. Dhe për këtë unë ju ftoj që të gjithë të merrni pjesë pasi ky është procesi më i vështirë, por sot duhen votuar”, tha Rainer Deville, përfaqësues i EURALIUS.
“Ky është hapi i parë dhe në shumicën e vendeve ku ne kemi shërbyer, ky ka qenë hapi i parë për të ndërmarrë hapat e tjerë në vijim më të mëdhenj. Hapi i dytë , zgjedhja e Strategjisë ishte rezultat jo vetëm i dokumentit analizues, por njëkohësisht edhe i punës së bërë nga të gjithë kryetarët e komisioneve dhe bashkëkryetarët të cilët janë bazuar edhe në opinionet e tryezave. Ka qenë një proces dinamik i cili ka kaluar nga procesi i analizës në procesin e daljes në një strategji e cila do të adresonte problemet që janë hasur. Mendojmë që një proces i tillë do të konsiderohej një proces transparent, i hapur dhe që i shërben qëllimit. Vazhdoj, në vijim të opinionit të kolegut tim, që është një proces shumë i rëndësishëm i cili i paraprin një procesi si ai i draftimit të projektligjeve. Ju kërkuat opinionin tonë nëse ky dokument duhet votuar ose jo sot? Ky mbetet një mendim i juaji, por sikurse unë dhe kolegu im, mbetemi besimplotë se ky është një proces i cili ka vlera për t’u votuar”, theksoi John Smibert, përfaqësues i OPDAT-it.
Kryetari i Komisionit të Posaçëm "Për reformën në Sistemin e Drejtësisë", z. Fatmir Xhafaj propozoi miratimin vetëm në parim të dokumenteve të paraqitura dhe lënien hapur të mundësisë që përfaqësuesit e opozitës të sjellin amendimet e tyre.
"Të miratojmë dokumentin “Analiza e sistemit të drejtësisë” në Shqipëri sipas tekstit bashkangjitur këtij vendimi për shkak se ne e konsiderojmë një proces të mbyllur nga të gjitha pikëpamjet analizën dhe ka qenë koha e mjaftueshme për të gjithë aktorët, faktorët dhe të gjithë individët që kanë dashur të kontribuojnë për ta bërë këtë gjë. Së dyti, të miratojmë në parim Strategjinë dhe Planin e Veprimit, duke e konsideruar të hapur këto dy dokumente për një proces të mëtejshëm konsultimi dhe tërheqje mendimi nga grupi i ekspertëve të nivelit të lartë", theksoi z. Xhafaj.
Duke e konsideruar votimin e Strategjisë së Reformës së Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri në shkelje të marrëveshjes për transparencën dhe gjithëpërfshirjen, përfaqësuesit e opozitës u larguan nga komisioni.
Përfaqësuesit e mazhorancës votuan në parim Dokumentin Strategjik, ndërsa shprehën gatishmërinë për të shqyrtuan propozimet që opozita do të dërgojë më vonë në lidhje me këtë çështje.