Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi miratoi projektligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të RSH.
Projektligji u përgatit nga grupi i punës për të drejtën kushtetuese, drejtuar nga Prof. Sokol Sadushi dhe nga drejtuesi i misionit Euralius Dr. Rainer Deville, të cilët morën pjesë në takim dhe diskutuan propozime konkrete të dorëzuara nga vetë Gjykata Kushtetuese. Opozita nuk mori pjesë.
Projektligji forcon rolin dhe pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese (GJK) duke theksuar pavarësinë e buxhetit të saj si dhe funksionin e saj si organi që zgjidh mosmarrëveshjet e natyrës kushtetuese. Gjithashtu, në këtë kre bëhet një ndryshim duke i dhënë Rregullores së GJK një rol më të rëndësishëm në parashikimin e rregullimeve nga vetë GJK sa i takon procedurave gjykimore që kërkojnë më tepër detaje, me qëllim që ligji të mos rëndohet nga rregullime të tepërta. Gjithashtu, janë parashikuar kritere dhe kushte të hollësishme që duhen plotësuar nga kandidatët për 3 gjyqtarë të GJK.
Kjo është një risi e rëndësishme e këtij projektligji, duke plotësuar një boshllëk në kuadrin kushtetues dhe ligjor të GJK. Po kështu, janë përcaktuar saktë rastet e përfundimit të mandatit të anëtarit të GJK dhe afatet brenda të cilave kërkohet që të plotësohet vakanca. Një nga risitë është edhe parashikimi i procedurës, shkeljeve dhe masave disiplinore për anëtarët e GJK, si një nga masat tërësore që ka marrë reforma në drejtësi për të rritur shkallën e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies jo vetëm me masën më ekstreme që është shkarkimi, por edhe në forma të tjera, si të gjithë gjyqtarët.
Janë propozuar ndryshime që lidhen me kritere të detajuara që duhet të plotësojë një kërkesë që paraqitet para GJK, me qëllim zhvillimin e një procesi cilësor vendimmarrës, por edhe të qenies më efikase të GJK. Gjithashtu, propozohen sugjerime për të ndihmuar vendimmarrjen me një përfaqësim sa më cilësor, por edhe të parandalimit të rritjes së tepërt të ngarkesës, sa i takon kërkesave që nuk mund të pranohen për shqyrtim, pasi janë gjykuar më parë ose janë në kundërshtim me natyrën e gjykimit të GJK.
Gjithashtu, janë rishikuar rregullat lidhur me vendimmarrjen e GJK, nga momenti që çështja kalon për gjykim dhe deri në shpalljen e vendimit, fazë e cila duhet pranuar se zgjat mjaft dhe nuk i shërben transparencës dhe gjykimit brenda afatit të arsyeshëm. Për të eleminuar këtë problem është parashikuar që seanca publike të zhvillohet vetëm pasi çështja të jetë e përgatitur mirë nga relatori dhe vendimi të merret mbi bazën e projektvendimit, i cili pas votimit mbi të, 4 mund të shpallet brenda disa ditësh.
Në këtë mënyrë, shmanget publikimi vetëm i dispozitivit të vendimit dhe dalja e arsyetimit të plotë pas disa javësh ose muajsh. Përmirësime ligjore janë edhe në drejtim të subjekteve që vënë në lëvizje GJK, ndryshime të cilat janë bërë edhe në nenin 134 të Kushtetutës, por edhe sidomos të afateve, të cilat janë shkurtuar ndjeshëm. Në këtë kre, është shtuar gjithashtu edhe shqyrtimi i detyrimeve që rrjedhin nga gjykatat ndërkombëtare, vendimet e të cilave sjellin detyrime për GJK. Kreu i fundit lidhet me disa ndryshime në efektet e vendimeve të GJK, si dhe të ekzekutimit të tyre.