Fjala e Kryetarit të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, z. Fatmir Xhafaj në pritjen e organizuar për miratimin e projektit të Reformës kushtetuese për drejtësinë

Mirëmbrëma dhe përshëndetje të gjithëve.

Ka qenë 26 korriku i vitit të largët 1905 , kur Uiston Çurchill tha: “Në politikë, kur ke dilema se çfarë duhet të bësh, atëherë më mirë mos bëj asgjë kur ke dilema se çfarë duhet të thuash, atëherë thuaj atë që mendon”.

Të nderuar pjesëmarrës,

Të dashur miq

Së bashku me shumë të tjerë, këtu prezent në këtë mjedis, por edhe jashtë tij, rreth 20 maj më parë dhe në vazhdim deri më sot, nuk e patëm dilemën se çfarë do të duhej të bënim në procesin për reformimin rrënjësor të sistemit të drejtësisë.

Kështu bashkërisht ne të gjithë bëmë diçka.

Ndjehemi mirë teksa shohim rrugën që ka përshkruar reforma, një proces të shkëlqyer, të pandodhur më parë ndonjëherë në këtë vend, një proces tërësisht gjithëpërfshirës, transparent e profesional me asistencën dhe standardet më të larta ndërkombëtare të fushës. Thelbi i këtij procesi, zemra e tij ka qenë dhe mbetet Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë, vendas e ndërkombëtarë, si dhe Sekretariati teknik i atashuar pranë tij,.

Nga ana tjetër në këto 20 muaj kam patur gjithmonë dilema se çfarë do të duhej të thosha në momente të ndryshme të këtij procesi historik për nga shumë aspekte, ndaj edhe gjithmonë , sikurse citova më sipër, unë kam thënë atë që kam menduar.

Kam sot akoma më shumë dilema se çfarë duhet të them, ndaj edhe sot po them çfarë më së shumti mendoj:

Më së pari, kam një Faleminderit dhe një Mirënjohje të thellë jo vetëm si Kryetar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar, por edhe personale, për të gjithë ata ekspertë, veçanërisht për Grupin e Ekspertëve të Nivelit të Lartë, të cilët kanë punuar në mënyrë të pandërprerë, me përkushtim, me profesionalizëm, me përgjegjshmëri qytetare, me integritet të plotë, jashtë çdo interesi të ngushtë personal, për përgatitjen e të gjithë paketës së akteve që përbëjnë reformën në drejtësi.

Vlerësim të veçantë për angazhimin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Sokoli, Arbenit dhe Marjanës nga Shkolla e Magjistraturës, Ardianit nga Gjykata e Lartë, Henrikut dhe Dritanit nga Prokuroria, Marsidës dhe Brunildës nga KLD, Gentit dhe Ilirit nga Grupi këshillimor pranë Ministrit të Drejtësisë, Aurelës dhe Artanit nga Universiteti i Tiranës, Maksit e Ardianit nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, të Kristaqit nga shoqëria civile si dhe dhjetëra ekspertëve të tjerë, të rinj e të reja që janë duke punuar me një përkushtim të veçantë në këtë proces të jashtëzakonshëm për të hartuar jo pak, por rreth 50 ligje që do të reformojnë cilësisht sistemin.

Në disa muaj punë pothuajse aq sa bëhet në një legjislaturë parlamentare për të cilën punon gjithë ekzekutivi dhe legjislativi me makinerinë e tyre gjigante!

Shumë pa e dinë dhe e njohin punën e  jashtëzakonshme që është bërë nga ana juaj të dashur miq.

Më vjen sinqerisht keq, pro besoj pak e dinë se në Shqipëri ka vërtet profesionistë të vërtetë si ju, të cilët shërbimin publik nuk e bëjnë sipas interesit personal apo të partive politike.

Më vjen akoma më shumë keq që një pjesë e jona, e politikës, nga moçali ku ajo gjendet prej vitesh e vitesh, shpesh herë hedh baltë dhe kërkon të bëjë pis punën tuaj dhe figurën tuaj. Jo pak fjalë të rënda u thanë për ju dhe jon pak vlerësime të errëta u shpallën për punën tuaj nga tribuna të ndryshme.

Tani kur e gjithë politika shqiptare, si asnjëherë tjetër më parë, jo me konsensus, por me një unanimitet historik e miratoi gjithë çfarë ju i propozuat, do të ishte e ndershme që nga të njëjtat tribuna me të njëjtin zë dhe me të njëjtën figurë, të shprehej një ndjesë kundrejt jush, më së paku.

Por të dashur miq, mos jini të mërzitur. 140 votat PRO, për projektin të cilin ju e sollët deri në versionin final, janë përgënjeshtrimi më i madh i asaj çfarë është thënë kundër jush dhe kundër punës tuaj.

Vota pro për projektin e ndryshimeve kushtetuese është vepra konkrete e politikës shqiptare e mirënjohjes dhe e respektit për punë dhe angazhimin tuaj në këtë proces.

Asnjë fjalë mirënjohje dhe falënderuese nuk do ta kishte dhe nuk do ta ketë peshën që ka kjo vepër e politikës shqiptare. Dhe ju e dini ndoshta më mirë se kushdo tjetër që e vërtetë tek politikanët  është ajo çfarë ata bëjnë dhe jo ajo çfarë ata thonë. Prandaj ka dhe kaq pak të vërteta të bukura dhe me vlerë në këtë vend.

Miq të nderuar,

As unë, edhe pse jam pjesë e kësaj klase politike shqiptare që ja ka lejuar vetes të thotë nga më të pavërtetat ndaj njëri-tjetrit, nuk ndihem sot i mërzitur, apo i keqardhur. Nuk ndihem ashtu dhe pse jo më pak se ndaj jush edhe për mua dhe për kontributin tim në këtë proces që janë thënë fjalë dhe janë mbajtur qëndrime që kanë dashur të përbaltin këtë kontribut.

Nuk jam i mërzitur aspak.

Por përkundrazi, ashtu sikurse edhe ju, kur mendoj se projekti në të cilin kontribuova nga dita e parë e deri më sot, ka marrë votën pro të të gjithë deputetëve, atëherë edhe unë ndihem i vlerësuar për punën e bërë, për energjitë dhe kohën e shpenzuar në këtë projekt.

Votimi me unanimitet i ndryshimeve kushtetuese sipas një projekti për të cilin rasti e solli që unë të isha në drejtimin e tij, përbën një ngjarje me rëndësi në karrierën time politike dhe profesionale./ Ndihem krenar dhe i privilegjuar për këtë moment.

Një falënderim i veçantë u shkon ekspertëve më të rinj, djemve dhe vajzave të papërtuar të Sekretariatit Teknik të Komisionit, të rinj e të reja të shkolluar apo trajnuar në shkolla nga më të mirat jashtë vendit, pjesë e strukturave të këshilltarëve të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, të Prokurorisë së Përgjithshme të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe fakulteteve të tjera jopublike në vend, të avokatisë, të noterisë, përmbarimit dhe shoqërisë civile.

Komplimente të gjithëve.

Kemi qenë me fat që ju kemi përfshirë në këtë proces që mban edhe kontributin tuaj aktiv.

Një falënderim i përzemërt për angazhimin aktiv në këtë proces të gjithë atyre prokurorëve, gjyqtarëve, avokatëve, ekspertëve të institucioneve të sistemit, pro edhe të ekspertëve të grupeve të ndryshme parlamentare e kryesisht atyre të opozitës që pavarësisht diferencave në gjykime e vlerësime e kanë bërë më të frytshëm e më produktiv debatin dhe padyshim edhe produktin që do të kemi!

Padyshim do të ishte e mangët kjo përshëndetje edhe pa një urim të veçantë për ata që sot janë me ne dhe për ne në këtë proces. Për kolegët tanë  të ekspertizës ndërkombëtare, që kanë qenë jo në rolin e këshilluesit apo vëzhguesit, por të kontribuesit aktiv, të përfshirë aktivisht në hartimin e produkteve të procesit.

Nuk e di se si do të ishte ky proces pa kontributin e Rainerit dhe ekipit të tij fantastik të Euralius aq miqësor e bashkëpunues, pa qetësinë dhe vullnetin e jashtëzakonshëm të John dhe bashkëpunëtorëve të tij pë palodhur të OPDAT.

Koha nuk më mundëson t’i përmend këtu të gjithë. Ju jemi atyre shumë mirënjohës për çfarë janë duke bërë sëbashku me ne shqiptarët! Edhe për durimin dhe qetësinë e treguar, kur jo rrallë ne si ballkanas të zellshëm nuk kemi nguruar ti hedhim sytë e fjalët nga ata për pazotin e paaftësinë tonë për të bërë punët tona në shërbim të vendit tonë!

Një falënderim i shoqëruar me një mirënjohje të veçantë padyshim ju shkon partnerëve tanë ndërkombëtarë të angazhuar në këtë proces, Bashkimit Europian, SHBA, OSBE, vendeve mike anëtare të BE dhe përfaqësuesve të tyre në vendin tonë të cilët kanë qenë pjesë aktive e rrugëtimit të këtij procesi, pjesë aktive dhe e palodhur e gjithçkaje që është ndërtuar gjatë dhe si rezultat i këtij procesi.

Të gjithë ju keni të drejtë të ndiheni krenar për çfarë keni bërë.

Në këtë event janë të ftuar dhe një pjesë janë të pranishëm, disa miq të mirë të këtij procesi reformimi, nga radhët e shoqërisë civile, nga media , gazetarë të palodhur, drejtues emisionesh, opinionistë dhe analistë të njohur të cilët me vlerësimet, por edhe me kritikat konstruktive i kanë dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme transparencës dhe vlerave të këtij procesi.

Falenderim dhe mirënjohje të thellë për të gjithë ata që kontribuan dhe vazhdojnë të kontribuojnë me pasion në këtë proces për Shqipërinë.

Që në fillimin të këtij procesi kam thënë shpesh se reforma do të jete të dhimbshme në disa aspekte, do të prodhojë rezistencë të fortë pasi do të heq apo largojë pushtete individësh dhe do të synojë  ta pastrojë sistemin e drejtësisë, e jo vetëm atë, nga njerëzit e korruptuar. Shpresoj të jetë e afërt shumë kjo ditë. Si e vetmja shpresë që reforma të ketë një fitues, qytetarin shqiptar, si e vetmja mundësi që të mundësojmë drejtësinë në shërbim të qytetarëve, ligj të barabartë për të gjithë. Ka ardhur kjo për ta bërë drejtësinë një realitet për të gjithë.

Shqiptarët e kanë pritur këtë ndryshim po aq sa ndryshimin e sistemit politik në fillimvitet ‘90, i cili hapi rrugën drejtë lirisë.

Asgjë më shuam se sa një sistem drejtësie i pavarur, profesional, i pa korruptuar, i besueshëm, nuk mund të sigurojë lirinë e vërtetë për çdo qytetar të kësaj Republike.

Procesi është i pakthyeshëm dhe i siguritë. Ne duhet të vazhdojmë të shohim para dhe me vendosmëri rrugën e nisur.

Ajo që kemi përpara është shumë më e rëndësishme. Ndryshimet kushtetuese kanë nevojë për një sër projektligjesh. Janë rreth 50 të tillë pjesë e reformës të cilat ju jeni duke i përfunduar. Shtatë prej tyre janë jetike për ti bërë efektive amendamentet kushtetuese, për t’i haur rrugë procesit të zbatimit të reformës.

Kemi ende rrugë për të bërë për të fituar besimin e publikut që reforma do të jetë ajo çfarë ata kanë vite që presin dhe kryesorja që rezultat të jetë të prekshme. Gjithsesi jemi në rrugën e duhur.

Kurajo, vullnet dhe punë për ta çuar deri në fund këtë projekt.

Faleminderit!