Në kuadër të Reformës në Sistemin e Drejtësisë, sot në mjediset e Ministrisë së Drejtësisë, u zhvillua konsultimi publik për “Ndryshimet Kushtetuese - Drejtësia Penale”.
Pas realizimit me sukses të tryezës së parë, në të cilën u shtjelluan në detaje teknike ndryshimet kushtetuese në sistemin gjyqësor, sot u trajtuan në nivel teknik ndryshimet kushtetuese që prekin dhe riformatojnë institucionet e drejtësisë penale.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin gjyqtarë, grupet e interesit, avokatë, pedagogë të së drejtës të universiteteve publike dhe private, shoqëri civile, institucione të fushës, deputetë të grupeve parlamentare si edhe përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Shqipëri.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, z. Donald Lu, në fjalën e tij vuri në dukje se ekspertët ndërkombëtarë janë mbështetur në katër etapa për këtë reformë. “Ekspertë amerikanë dhe europianë kanë punuar shumë për të hartuar një paketë reforme që do të rezultojë më shumë ndjekje penale të krimeve të rënda. Ekspertët ndërkombëtarë kanë pasur parasysh 4 qëllime: adresimi i korrupsionit dhe ndikimi politik; të parandalohen gjykatësit e prokurorët të mbrojnë gjykatësit e prokurorët e korruptuar dhe të paaftë; të shmanget kapja politike nga cilado parti; të sigurohet që sistemi i ri është në përputhje me standardet ndërkombëtare. Unë besoj se kjo reformë i përmbush këto katër qëllime”, - theksoi z. Lu.
Duke u shprehur se shpreson që me një reformë në sistemin e drejtësisë Shqipëria do të jetë një vend më i sigurt, Ambasadori i SHBA-ve në vendin tonë nënvizoi:
“Së fundmi kam kuptuar se disa persona u thuhet se çfarë duhet të thonë ose më keq akoma se çfarë nuk duhet të thonë. Nëse kjo është e vërtetë më kujton të shkuarën komuniste të Shqipërisë sesa të ardhme demokratike. Ky është sistemi juaj i drejtësisë, kini kurajën që të flisni atë që mendoni dhe mos përsërisni çfarëdo gjëje që u kanë thënë. Mos u trembni nga këta të pafytyrë! Shpresoj që Shqipëria të jetë një vend më i sigurt dhe me shumë kriminelë në burgje.”
Drejtoresha e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, znj. Katrin Treska tha se prania e ekspertëve të këtyre misioneve ndërkombëtare, është një garanci më shumë për një reformë transparente, gjithëpërfshirëse, efektive në sistemin e drejtësisë.
Eksperti i Partisë Demokratike në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, z. Gazmend Bardhi theksoi se reforma në drejtësi duhet të bëhet, por duke u bazuar në disa parime dhe tri shtylla si “lufta ndaj korrupsionit dhe rritje e efiçencës së sistemit; lufta ndaj kooperativizmit dhe përgjegjshmëria; si dhe garantimi i pavarësisë dhe mosndërhyrjeve politike.” Z. Bardhi vuri në dukje se “mënyra sesi ka funksionuar deri më sot drejtësia penale në Shqipëri, ka vend jo vetëm për përmirësime, por për një reformë të thellë”. “Ne duam t’i jepet fund katrahurës së influencave politike dhe korruptive, që bëjnë të pamundur ndjekjen penale ndaj organizatave të rrezikshme kriminale dhe ndaj funksionarëve të lartë politik”, - u shpreh ai.
Për të folur për përbërjen dhe kompetencat e atij që në amendamentet kushtetuese është quajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ishte i pranishëm z. Henrik Ligori, Zëvendësdrejtues në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Tiranë dhe ekspert i grupit për drejtësinë penale.
Z. Ligori sqaroi se pse zyra e Prokurorisë SPAK duhej organizuar ne nivel kushtetues. Sipas tij, përmes ndryshimeve do të jepen garanci të qëndrueshmërisë përballë një pushteti të fortë politik dhe një tradite të ndryshimit të shpeshtë të ligjeve të organizimit gjyqësor.
Znj. Koraljka Bumçi, eksperte e Misionit Euralius IV dhe eksperte dhe në grupin e drejtësisë penale, foli mbi mënyrën se si është konceptuar nga ekspertët emërimi dhe kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm, i cili “është menduar të zgjidhet midis juristëve më të kualifikuar, me të paktën 15 vjet eksperiencë profesionale, moral të lartë dhe integritet profesional, i diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës, ose diplomë në drejtësi në nivel master ose më lart, të mos jetë dënuar për kryerjen e një vepre penale dhe të mos ketë post politik në një parti politike për të paktën 10 vitet e fundit”. “Është propozuar që mandati i Prokurorit të Përgjithshëm të zgjatet nga 5 deri në 9 vjet. Sipas znj. Bumçi, “me zgjatjen e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, dhe pa mundësi të riemërimit, do të ketë një kredibilitet dhe pavarësi më të madhe”.
Më pas, vendi iu la diskutimeve dhe pyetjeve të të pranishmëve në këtë tryezë, të cilat u përqendruan kryesisht në tematikat e prezantuara gjatë konsultimit. Ato u mbajtën shënim nga organizatorët, për t’u trajtuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë në vijim.
Në përmbyllje të takimit, z. Jon Smibert, Këshilltar ligjor rezident i OPDAT relatoi dhe konkluzionet e kësaj tryeze diskutimi.
Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë ftuan gjyqtarë, avokatë dhe përfaqësuesit e grupeve të interesit që të jenë aktivë me propozime dhe mendime edhe përmes faqes on-line të Reformës në Drejtësi, www.reformanedrejtesi.al, apo dhe kontakteve të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën.