Komisioni i posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë dhe Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë këtij komisioni, në bashkëpunim me UNICEF Shqipëri, organizuan sot një tryezë të konsultimit publik me temë “Drejtësia e të Miturve në fokus të Reformës së Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri”. Kjo tryezë bashkoi ekspertët, intelektualë dhe aktivistë nga qeveria, legjislativi e gjyqësori, nga institucionet e kontrollit publik, fusha akademike, organizatat e shoqërisë civile, si dhe organizmat ndërkombëtarë.
Duke marrë fjalën në këtë tryezë, Antonella Scolamiero, përfaqësuesja e UNICEF, përgëzoi Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, për përpjekjet e tyre për ta parë këtë proces përmes syve të fëmijëve. “Kjo Reformë është një gur i rëndësishëm thellimi për vendin dhe për qytetarët e tij, burra e gra. Mirëpo i tillë duhet të jetë edhe për djemtë dhe vajzat, pasi ata së bashku përbëjnë një të tretën e popullsisë së Shqipërisë. UNICEF, do të vazhdojë të nxitë dhe të ndihmojë qeverinë shqiptare, Kuvendin e sistemin e drejtësisë për të qenë më të përgatitur, për t’u ofruar të miturve zgjidhje lidhur me shkeljen e të drejtave të tyre, për të dëgjuar zërin e tyre, në mënyrë që edhe ata të thonë fjalën e vet për çështje të rëndësishme që prekin të ardhmen e vendit të tyre, siç është edhe kjo Reformë e Sistemit të Drejtësisë, si edhe për të ndërtuar së bashku një kulturë të paqes dhe të shtetit të së drejtës, sidomos në mendjet e më të rinjve, ku drejtësia dhe të drejtat e njeriut të gjithsecilit të përbëjnë një vlerë të çmuar dhe të gjithëpranuar për çdo bashkësi në Shqipëri’,- tha përfaqësuesja e UNICEF-it, Scolamiero.
Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, znj. Dewi van de Weerd, pasi shprehu konsideratën e saj për organizimin e konsultimit publik me fokus të drejtat e të miturve në kuadër të Reformës në Drejtësi, vuri në dukje si prioritare domosdoshmërinë për të siguruar mbrojtjen e fëmijëve nëpërmjet mekanizmave ligjorë dhe institucionalë dhe angazhimit të përbashkët për garantimin e drejtësisë miqësore dhe realizimin e interesave më të lartë të fëmijës. Në këtë kuadër u nënvizua rëndësia e bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet agjencive të mbrojtjes së fëmijëve, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë.
Mbi rëndësinë dhe domosdoshmërinë e drejtësisë për të mitur u shpreh dhe deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Vasilika Hysi. Znj. Hysi theksoi se ndërtimi i drejtësisë miqësore për të mitur është e domosdoshme, madje e vonuar. Sipas saj, kjo duhet të jetë pjesë integrale e reformës në drejtësi, pasi Shqipëria ka një mospërputhje mes standardeve të vendosura nga dokumentet ndërkombëtare të shumtë për të drejtat e fëmijëve, që datojnë hershëm dhe parashikimeve në ligje, mes standardeve për një drejtësi miqësore për të mitur të parashikuar në ligj të ndryshme dhe shkallës së njohjes dhe respektimit të tyre në praktikë; numrit të fëmijëve në kontakt me drejtësisë dhe formave të reagimit të sistemit të drejtësisë. Znj. Hysi vuri në dukje se çdo vonesë, dëmton shtetin e së drejtës dhe respektimin e të drejtave të njeriut në përgjithësi, dhe të fëmijëve në veçanti.
Ndërkaq, në mendimin e gjyqtares Renate Winter, anëtare e Komitetit të OKB-së mbi të drejtat e fëmijës, të shprehur gjatë kësaj tryeze, është i nevojshëm një ligj specifik mbi drejtësinë për të mitur, që t’u ofrojë atyre që akuzohen ose dënohen për vepra penale, por edhe atyre që janë viktima a dëshmitarë të këtyre veprave, mbrojtjen dhe trajtimin që u nevojitet, të ndryshëm nga të rriturit. Ajo solli në Shqipëri, përvojën pozitive të Gjeorgjisë ku kohët e fundit është miratuar një Kod mbi Drejtësinë për të Mitur, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Majlinda Bregu në fjalën e saj theksoi rëndësinë e përmirësimit të kuadrit ligjor, për sa i përket drejtësisë për të miturit. Znj. Bregu vuri në dukje disa problematika lidhur me mungesën e ambienteve të veçanta në rajonet e policisë për të miturit, mungesën e psikologut ose punonjësit social gjatë pyetjes së fëmijëve, tarifat e shërbimit gjyqësor për të miturit, ofrimin e shërbimeve ligjore etj. Duke vlerësuar nismën e UNICEF, për përfshirjen e katër parimeve themelore të të drejtave për fëmijët në Reformën në Sistemin e Drejtësisë, znj. Bregu u ndal në propozime konkrete për t’u reflektuar në dokumentet e Reformës në Drejtësi lidhur me vlerësimin e cilësisë së shërbimit të psikologut dhe punonjësit social, ofrimin e shërbimit ligjor me tarifa të arsyeshme, riintegrimin e fëmijëve në shoqëri, etj.
Gjatë pjesëmarrjes së tyre në këtë tryezë të konsultimit publik ekspertë të të drejtave të fëmijëve, vendas dhe të huaj, si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, bashkuan zërat e tyre për rëndësinë parësore që duhet të ketë interesi më i lartë i fëmijës në çdo vendimmarrje publike, përfshirë këtu edhe Reformën në Sistemin e Drejtësisë. Në diskutimet e tyre ato prezantuan rekomandime dhe propozime konkrete për t’u marrë në konsideratë gjatë procesit të Reformës në Drejtësi në vijim, të cilat u përmblodhën në formë konkluzionesh nga drejtuesi i misionit EURALIUS IV, z. Rainer Deville. Z. Deville gjithashtu ftoi të gjithë të pranishmit të jenë aktivë me propozime dhe mendime edhe përmes faqes on-line të Reformës në Drejtësi, www.reformanedrejtesi.al