Diskutimi i dokumentit analitik “Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri–2015”, vijoi sot edhe në mjediset e Universitetit F. S Noli në qytetin e Korçës në prani të një sërë përfaqësuesish të grupeve të interesit, të profesorëve dhe të studentëve të këtij universiteti.
Në këtë takim mori pjesë dhe znj. Agnes Bernhard, eksperte ndërkombëtare (EURALIUS), e cila vlerësoi angazhimin institucioneve shqiptare në procesin e reformës në drejtësi.
“Institucionet shqiptare janë të gjitha të angazhuara në procesin e reformës në drejtësi dhe të gjitha këto janë të asistuara nga partnerë ndërkombëtarë dhe veçanërisht nga organizma që janë të financuara nga BE, siç është EURALIUS apo dhe vetë OSBE, por dhe nga partnerë të terë si nga Ambasada Amerikane.
Ne rritemi, zhvillohemi vetëm me anë të ëndrrave. Të gjithë njerëzit e mëdhenj janë ëndërrimtarë. Disa prej nesh i lënë këto ëndrra të vdesin, por të tjerët i ushqejnë dhe i mbrojnë ato, i shërbejnë atyre në ditë të këqija derisa sa i nxjerrin ato në dritën e diellit. Unë shpresoj që Shqipëria të rritet, veçanërisht nëpërmjet kësaj reforme”, tha znj. Bernhard.
Bashkëkryetari i grupit të punës për reformën në sistemin gjyqësor, z. Gent Ibrahimi vuri në dukje disa nga problematikat që konstatohen në gjyqësor, duke u ndalur më gjerësisht në zbatimin e vendimeve gjyqësore, e veçanërisht për disa kategori të caktuara.
“Mungesa e institucioneve për të miturit dhe mungesa e institucioneve për të dënuarit që kanë probleme shëndetësore psikike, janë dy probleme të mëdha, krahas shumë problemeve të tjera që ndikojnë në cilësinë e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore në këtë vend”, tha z. Ibrahimi
Bashkëkryetari i grupit të punës për Financimin e sistemit të drejtësisë, z. Ilir Panda, prezantoi gjetjet e problematikave lidhur me financimin dhe infrastrukturën e sistemit të drejtësisë.
Më pas, vendi iu la diskutimeve dhe pyetjeve të studentëve dhe të pedagogëve, të cilat u mbajtën shënim nga organizatorët për t’u trajtuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë. Ata ftuan studentët dhe pedagogët, si dhe përfaqësuesit e grupeve të interesit që të jenë aktivë me propozime dhe mendime edhe përmes faqes online të Reformës në Drejtësi, www.reformanedrejtesi.al, apo dhe kontakteve të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën.
Faza e konsultimeve publike, sipas kalendarit që është miratuar, do të vijojë në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës, në Universitetin “Eqerem Çabej”, Gjirokastër, Universitetin “Nehemia”, Pogradec dhe në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër.