"Bashkëbisedim i Kryetarit Xhafaj me median për Reformën në Sistemin e Drejtësisë”

Marrë në konsideratë kohën dhe atë se çfarë është bërë në lidhje me Reformën në Drejtësi, është e udhës për të bërë këtë bashkëbisedim në lidhje me këtë proces, me ju përfaqësues të medias.

Mendoj se është një mënyrë e mirë dhe e përshtatshme për ju për t’ju informuar mbi ecurinë e deritanishme të kësaj reforme. Gjej rastin t’ju falënderoj për vëmendjen që i keni kushtuar kësaj reforme, si dhe për realizmin me të cilën e keni pasqyruar atë në media.

Tetë muaj nga nisja e këtij procesi, rezultatet dhe arritjet nëpërmjet tij, tregojnë qartë se sfida e vështirë e reformimit të sistemit të drejtësisë, është gjithnjë dhe më afër  realizimit.

Më lejoni që ta them që në krye të herës se tashmë qytetarët, miqtë dhe partnerët e huaj, por edhe skeptikë të përhershëm dhe për gjithçka, shohin këtë herë një angazhim konkret dhe të vazhduar për ta kryer reformën në drejtësi. Kjo ka sjellë një rritje të dukshme të besimit se Reforma në Drejtësi këtë herë do të kryhet.

Jemi duke realizuar një proces nga më të mirët nga pikëpamja e metodologjisë,  kontributeve njerëzore dhe atyre institucionale, si dhe e mbështetjes financiare. Nga ana tjetër, përvojat e mira të mëparshme, por edhe në mësimet e nxjerra në vite e veçanërisht nga përvoja negative e vitit 2008, kanë shërbyer në këtë rast.

Tetë muaj më parë u angazhuam këtu për të realizuar një proces të mirëorganizuar, të pangjashëm me çdo proces reforme të mëparshëm në këtë fushë duke garantuar :  (i) gjithëpërfshirje, (ii) transparencë dhe (iii) profesionalizëm.

Ne besojmë se ky proces i ka përmbushur më së miri këto standarde.

Gjithëpërfshirja,Transparenca, Profesionalizmi dhe Standardet më të mira ndërkombëtare kanë qenë e mbeten tiparet bazë mbi të cilat është ndërtuar dhe realizuar ky proces reforme. 

Në këtë mënyrë, ky proces për dy fazat e para të tij ka fituar besueshmëri të lartë dhe vlerësim maksimal, veçanërisht nga ana e partnerëve ndërkombëtarë të cilët më duhet të pranoj se janë duke luajtur një rol thelbësor në suksesin e këtij procesi.

Kam një falënderim të veçantë ndaj tyre e veçanërisht ndaj Delegacionit të BE-së në Tiranë e Ambasadores, znj. Romana Vlahutin, Ambasadës së SHBA e Ambasadorit z. Donald LU, Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe Ambasadorit z. Florian Rauning për  kohën fizike,  mbështetjen morale dhe sidomos mbështetjen me ekspertizë ndërkombëtare që i kanë dhënë procesit.

 

Në lidhje me vetë procesin dëshirojë të bëjë me dije se:

 

Ne kemi përmbyllur fazën e parë të procesit duke finalizuar më 8 qershor një dokument tejet të rëndësishëm : “Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri”. Ky është një dokument me  rreth 450 faqe. Është i pari dokument tërësor në këta 25 vjet që pasqyron në mënyrë të plotë një analizë të hollësishme mbi sistemin e drejtësisë në vendin tonë.

Dokumenti “Analiza e sistemit të drejtësisë në Shqipëri” është bërë tashmë publik në gjuhën shqipe dhe në atë angleze.

Në përmbushje të vendimit të Kuvendit është përmbyllur dhe faza e dytë e procesit ( maj – korrik). KPP në mbledhjen e tij të fundit ka miratuar dy dokumente tejet të rëndësishme, Strategjinë për Reformimin e Drejtësisë dhe Planin e Veprimit për zhvillimin e kësaj strategjie.

Strategjia, synon t’u japë zgjidhje gjetjeve, problematikave dhe përfundimeve të identifikuara në dokumentin e analizës. Në një dokument prej rreth 50 faqesh prezantohen objektivat, masat konkrete për zgjidhjen e tyre dhe ndërhyrjet e nevojshme kushtetuese e ligjore që duhen kryer. 

Plani i veprimit ka organizuar objektivat e masat konkrete në institucionet përgjegjëse, afatet konkrete për realizim, parashikimi buxhetor, indikatorët e vlerësimit etj.

Shumë shpejt GENL pritet të bëjë publike dhe një dokument tjetër të rëndësishëm: Analiza kushtetuese e ligjore me zgjidhjet konkrete kushtetuese që propozohen të kryhen, dokument i cili është në fazën finale të tij dhe në procesin e konsultimit me ekspertizën më të mirë ndërkombëtare të atashuar pranë KPP.

Tashmë, këto ditë gushti, kemi filluar përgatitjet për organizimin dhe realizimin e fazës së tretë të procesit: Hartimin e amendamenteve kushtetuese e ligjore që do të finalizojnë këtë proces reformimi legjislativ për të hapur një faqe te re në funksionimin e sistemit të drejtësisë në vendin tonë.

Jemi plotësisht të përgjegjshëm për pritshmëritë e larta ndaj këtij procesi. Procesi i nisur ndoshta është shansi i fundit  se gjërat mund të ndryshojnë në këtë vend dhe posaçërisht gjendja në sistemin e drejtësisë.

Jemi të ndërgjegjshëm se reforma përbën një sfidë të rëndësishme.

Kemi qenë që në nisje dhe jemi edhe sot të vetëdijshëm se do të ishte një rrugë jo e lehtë, do të ishte një maratonë me pengesa, me disa sfida të mëdha e padyshim një proces i rrethuar me skepticizëm, por dhe me kundërshtarë.

Në këtë kontekst e shohë të udhës të përcjellë disa mesazhe publike :

1. Reforma është kusht kyç për integrimin në BE. Brukseli dhe vendet anëtare të BE e kanë artikuluar qartë kërkesën e tyre: “Pa reformën në drejtësi, procesi i anëtarësimit do të bllokohet përfundimisht. Nuk ka asnjë mundësi që ndonjë shtet anëtar i BE-së, sado dashamirës ndaj aspiratave evropiane të Shqipërisë, të mbështesë progresin drejt anëtarësimit pa një drejtësi të reformuar”. Më qartë nuk mund të na i thonë. Duhet reformuar sistemi i drejtësisë që të garantohet zbatimi i ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë.

Pyetja shtrohet si është drejtësia jonë. Sa europiane është ajo ? Sa europianë ndjehen qytetarët shqiptarë në dyert e drejtësisë shqiptare ?!

Procesi i kësaj reforme dhe rezultatet e saj synohen të jenë një përgjigje për këtë pyetje.

Ne jemi duke bërë një reformë e cila synon që edhe shqiptarët të kenë gjyqtarët dhe prokurorët e standardeve europiane.

Ne synojmë një proces që të seleksionojë dhe të konsolidojë në radhët e gjyqtarëve e prokurorëve ata që përmbushin standarde të njëjta me kolegët e tyre europianë !

2. Reforma është konceptuar si një proces, produkti i të cilës nuk është vetë reforma si qëllim në vetvete, as emra konkretë, por transformimi rrënjësor i situatës në të cilën sot ndodhen të gjitha strukturat e sistemit të drejtësisë.

Kush mendon se kemi nisur një proces për të bërë makiazhin e radhës mbi fytyrën e sistemit të drejtësisë, shpresoj që pasi ka lexuar Strategjinë dhe Planin e veprimit të kuptojë që ka qenë i gabuar.

Ne jemi të qartë. Situata në sistem është kritike.

Paaftësia, korrupsioni dhe mungesa e integritetit dhe përgjegjshmërisë janë dukuri negative që e bëjnë sistemin të varur nga ndikimi politik dhe interesat e të pushtetshmëve, që e bëjnë sistemin një mjet në duart e më të fortit në kurriz të më të dobëtit, një favor për më të pasurit dhe një mungesë shprese për të varfrit.

Ndaj ndryshimi i gjendjes nuk pranon makiazh, por ndërhyrje kirurgjikale si e vetmja mënyrë për të shpëtuar e shëndoshur pjesën e shëndetshme të tij.

Reforma këtë synon të bëjë duke u ndarë qartazi nga të paaftit, të korruptuarit dhe të inkriminuarit.

Reforma do të jetë e dhimbshme në disa aspekte, do të prodhojë rezistencë të fortë pasi do të heqë apo largojë pushtete individësh dhe do të synojë ta pastrojë sistemin nga njerëzit e korruptuar.

Ne jemi të përgatitur për këtë lloj humbjeje e dhimbje për disa, si e vetmja shpresë që reforma të ketë një fitues, qytetarin shqiptar, si e vetmja mundësi që të mundësojmë drejtësi në shërbim të qytetarëve, ligj të barabartë për të gjithë. 

Kush është i shqetësuar për largimin e disa gjyqtarëve e prokurorëve krejt të paaftë dhe për më tepër edhe të korruptuar, padyshim do të rreshtohet me vullnet të lirë në anën e humbësve, jo në interes të qytetarëve dhe të integrimit europian të vendit.

3. Ne jemi duke punuar fort së bashku me partnerët ndërkombëtarë për një reformë që do të garantojë standarde e profesionalizëm. Një reformë që e udhëheq dhe e mbështet politika, por e realizon ekspertiza.

Dëshiroj të bëjë me dije faktin se KPP, në nivel politik deri më tani, ka qenë thjesht në rolin koordinues e mbështetës të procesit, krijimit të hapësirës ligjore e proceduriale për zhvillimin e tij, pa asnjë lloj ndikimi politik mbi produktin e procesit. Kjo qasje e deritanishme e përfaqësuesve të mazhorancës i ka dhënë më shumë hapësirë përfshirjes aktive të ekspertëve në proces, më shumë besueshmëri të profesionistëve në seriozitetin e procesit.

Thelbi i procesit, zemra e tij është Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë, vendas e ndërkombëtar, si dhe Sekretariati Teknik i atashuar pranë tij.

Përkushtimi i tyre profesional dhe koha e vënë në dispozicion të këtij procesi kanë qenë të jashtëzakonshme.

Atyre ju shkojnë falënderimet më të shumta për punën intensive në këto 8 muaj dhe profesionalizmin e lartë që kanë treguar.

Procesi i reformës është organizuar dhe ka filluar të realizohet duke pasur si bazë të suksesit të saj dy shtylla bazë : (i)Kontributin e aktorëve të sistemit të drejtësisë dhe (ii)Vlerësimin profesional të ekspertizës më të mirë vendase dhe ndërkombëtare.

Boshti dhe instrumenti kryesor i realizimit të reformës është ekspertiza vendase dhe ndërkombëtare. Përvoja e gjatë e ekspertëve të nivelit të lartë në sistemin e drejtësisë në vendin tonë dhe në shtete të tjera me praktika dhe eksperienca pozitive, është një kontribut i çmuar i cili reflektohet në të gjitha dokumentet që janë hartuar prej këtyre eksperteve, gjatë procesit të deritanishëm.   

Ekspertët ndërkombëtarë, procesi konsultues me profesorë të së drejtës në universitete të njohura të drejtësisë si dhe analiza e disa modeleve të njohura në këtë fushë në vendet kryesisht të rajonit, kanë qenë një mundësi tjetër e mirë për të njohur e shfrytëzuar standardet dhe modelet e suksesshme në këto fusha.

Paanësia dhe profesionalizmi i të gjithë ekspertëve ndërkombëtarë të përfshirë në këtë proces, si : Euralius, mision i asistencës së BE, OPDAT mision i asistencës në drejtësi të SHBA, Ekspertë të Prezencës së OSBE, Ekspertëve të angazhuar posaçërisht nga Komisioni i Venecias etj, kontributi dhe vlerësimi i tyre janë kusht e një garanci e fortë për vlerat dhe besueshmërinë e këtij procesi dhe produkteve të tij.

4. Konsensusi është padyshim një karakteristikë të cilën ne synojmë që ta ketë ky proces.

Rëndësia e kësaj reforme kërkon jo vetëm një kontribut të një spektri të gjerë shoqëror, institucional, politik, por edhe një pranim sa më të gjerë të rekomandimeve dhe konkluzioneve të kësaj reforme.

Por nga ana tjetër,  konsensusi për hir të konsensusit është i dëmshëm. Konsensusi duhet t’i shërbejë reformës dhe jo reforma të sakrifikohet për hir të konsensusit.

Ne kemi synuar të realizojmë një proces ku politika të përfshihet aktivisht në të gjitha krahët e saj, por duke i kërkuar të tregohet modeste në këtë proces edhe për shkak të bashkëpërgjegjësisë për gjendjen e sistemit, të dëgjojë më shumë, të mbajë shënime dhe kryesorja të vlerësojë e të mbështesë vendimmarrjen e saj në produktin e ekspertizës vendase e ndërkombëtare, kontributin e faktorëve të vetë sistemit.

Ne kuptojmë shumë mirë rëndësinë e një bashkëpunimi të hapur dhe konkretë pozitë-opozitë në këtë proces si nevojë për të pasur një reformë të qëndrueshme në kohë dhe në vlera. Por e rëndësishme është cilësia e këtij bashkëpunimi dhe jo bashkëpunimi vetëm për hir të bashkëpunimit.

Shpresoj se mesazhet pozitive që vijnë nga lidershipi i opozitës dhe roli i faktorit ndërkombëtar në këtë proces do t’i japin një dimension tjetër, atë konstruktiv kolegëve tanë opozitarë pjesë e këtij procesi.

5. Reforma do të duhet të jetë një reformë shqiptare e jo vetëm sepse zhvillohet në Shqipëri.

Reforma është dhe duhet të jetë shqiptare sepse problemi është yni, i krijuar prej nesh, përgjegjësia është jona dhe zgjidhja është e duhet të jetë jona.

Ndaj dhe reforma e dokumentet e prodhuara nga ky proces mbështeten fort para së gjithash në analizën e problematikës së krijuar e nevojën për t’u dhënë zgjidhje problemeve tona, në përvojën e arritjet e evidentuara në vite, në mentalitetin dhe traditën ku ky sistem funksionon e vepron. Duhet t’i japim fund praktikave me amendamente shabllone që kopjojnë modele, por që largojnë standardet.

Ne kemi nevojë për ligje që mbështeten në standardet e mira ndërkombëtare, por që zgjidhin problematikat reale shqiptare, për ligje që t’i njohin, respektojnë e zbatojnë shqiptarët.

6. Procesi i reformës, ka identifikuar me saktësi problemet në degët e ndryshme të sistemit të drejtësisë si dhe ka përcaktuar qartë ndërhyrjet konkrete që duhen bërë për shëndoshjen e tij.  

Hapi tjetër është të propozojmë dhe diskutojmë mbi amendamentet përkatëse  legjislative, me zgjidhjet konkrete kushtetuese, ligjore dhe institucionale.

Reformat e suksesshme në zbatimin e ligjit nuk mund e nuk duhet të bazohen thjesht e vetëm në operacione sado vullnetmira qofshin ato, por kryesisht e para së gjithash, në institucione të qëndrueshme.

Ndaj ne synojmë të riformatojmë dhe riorganizojmë institucionet e sistemit të drejtësisë si garanci për të pasur qëndrueshmëri për suksesin e vetë reformës, përgjegjshmëri e vetrregullim të vetë sistemit.

7. Në përmbyllje :

• E ndjej për obligim t’ju kërkoj publikisht qytetarëve anë e mbanë vendit një përfshirje më aktive dhe mbështetje të fortë ndaj reformës sot dhe nesër !

Drejtësia është aleati i vetëm i qytetarit në luftë me padrejtësinë dhe pushtetin e të fortit ! Ndaj, është momenti që të gjithë bashkë të luftojmë për ta fituar këtë betejë, për t’i kthyer institucionet e sistemit të drejtësisë në vendin e shpresës, ku shërbejnë njerëz të aftë, të ndershëm e me integritet !

• E ftoj shoqërinë civile të jetë më shumë aktive në dhe ndaj këtij procesi, të përfshihet aktivisht me kontribute konkrete në këtë proces si dhe të vigjëlojë fort për kërkuar nga ne garancinë për standarde e vlera në këtë proces !

• Siguroj të gjithë përfaqësuesit e medias se kanë të gjithë mundësin për të vëzhguar procesin dhe nga an tjetër do të vlerësonim si interes të lartë të publikut raportimet e vazhdueshme në lidhje me këtë proces.

Media, njerëzit që bëjnë e përpunojnë opinionin publik edhe në këtë vend, janë një tjetër garanci e pazëvendësueshme për ta ruajtur procesin nga çdo lloj tentative, ndërhyrje e presioni për ta devijuar frymën dhe qëllimin e tij!

Në fund, por jo për nga rëndësia,

• Një thirrje publike për cilindo që dëshiron të përfshihet e kontribuojë në këtë proces është i mirëpritur.

Portali online i reformës  www.reformanedrejtesi.al është një portë e hapur komunikimi me cilido që ka mundësi e dëshiron të ofrojë diçka në këtë proces.

Adresa jonë e email-it reformanedrejtesi@parlament.al është e hapur për cilindo profesionist fushe që dëshiron të kontribuojë në këtë reforma të rëndësishme e jetike për fatet e vendit.

Një thirrje e dedikuar ju shkon të gjithë atyre të rinjve dhe të rejave që kanë kryer studimet për drejtësi me rezultate të larta dhe veçanërisht atyre që janë shkolluar, specializuar apo trajnuar jashtë vendit apo që vazhdojnë te jenë të punësuar jashtë vendit, që të përfshihen aktivisht në këtë proces e veçanërisht në këtë fazë të rëndësishme të tij, hartimin e amendamenteve kushtetuese dhe shkrimin ligjeve. Ne kemi sinqerisht nevojë për mendjen e tyre.

Ekspertët vendas e ata ndërkombëtar kanë nevojë për ide e kontribute të reja.

Reforma në drejtësi është sfida e të sotmes por dhe garancia e të ardhmes.

Ndaj pyetja për të gjithë profesionistët e rinj të fushës, brenda e jashtë vendit është :

Në mos sot, kur ? Në mos ju, kush ?

Për një gjë jemi të sigurtë. Kemi rrugë për të bërë për të fituar besimin e publikut që reforma do të jetë ajo çfarë ata kanë vite që presin dhe kryesorja që rezultatet të jenë të prekshme. Gjithsesi jemi në rrugën e duhur.

Në mbështetje të rolit të tij kushtetues, Kuvendi i Shqipërisë rikonfirmon angazhimet e ndërmarra për kryerjen e një reforme të thellë të gjithëpranuar për sistemin e drejtësisë, përmes një procesi plotësisht transparent, gjithëpërfshirës dhe profesional.

Misioni ynë është që nëpërmjet këtij procesi, të ndërtojmë bazat e shëndosha për t’ju dhënë shtetasve tanë një drejtësi të besueshme dhe një sistem drejtësie që funksionon sipas standardeve kushtetuese dhe atyre europiane.