Agjenda e prezantimeve të Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë, pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë vijoi më datë 18.05.2015, me një tryezë të rrumbullakët diskutimi me pjesën e dokumentit analitik, që fokusohet në çështjet kushtetuese. Pjesmarrës në debat ishin përfaqësues nga institucionet kushtetuese, deputetë nga grupet parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë, drejtues dhe aktivistë të shoqërisë civile, diplomatë të akredituar në vendin, ekspertë të organizatave ndërkombëtare që asistojnë në fushën e drejtësisë etj..
Nën drejtimin e dr. Rainer Deville, shef i misionit Euralius IV, Prof. Asoc. Sokol Sadushi, konstitucionalist, drejtor i Shkollës së Magjistraturës dhe Prof. Aurela Anastasi, konstitucionaliste, anëtarë të Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë, në pjesën e parë të aktivitetit u bë një prezantim i gjetjeve kryesore sa i takon situatës dhe problematikave në funksionimin e institucioneve kushtetuese.
Prof. Asoc. Sokol Sadushi u përqëndrua në paraqitjen e tij, në procesin përzgjedhës të institucioneve kryesore kushtetuese, mënyrës së bashkëpunimit, me fokus ndikimin e mirëfunksionimit të tyre në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë.
Dr. Arta Vorpsi, anëtare e Sekretariatit Teknik pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar, parashtroi për pjesmarrësit një tablo të nevojës për reformimin e mënyrës së organizimit dhe funksionimit të institucioneve kushtetuese të sistemit të drejtësisë, duke treguar vështirësitë e evidentuara që prej miratimit të Kushtetutës në vitin 1998 e deri më sot.
Ndërkohë Znj. Olta Aliaj, anëtare e Sekretariatit Teknik pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar, kishte në fokus të prezantimit gjetjet në lidhje me ecurinë e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, elementët të normative kushtetutuese dhe ligjore që do të mund të merren parasysh me qëllim përmirësimin e tyre, si rezultat i zbatimit të reformës.
Pas pjesës së prezantimeve të përfaqësuesve të Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë, në prani të përfaqësuesve të Institucionit të Presidentit të Republikës, Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Komisionit të Venecias dhe institucioneve të tjera të sistemit të drejtësisë, nga të ftuarit u bënë komente, pyetje dhe sugjerime dhe vërejtje konkrete, të cilat janë një bazë e mirë për Grupin e Ekspertëve të Nivelit të Lartë në hartimin e materialit analitik.
Dr. Rainer Deville, shef i misionit Euralius IV, në fund të punimeve të tryezës vlerësoi pozitivisht diskutimet dhe propozimet e shprehura nga të pranishmit. Ai e përshkroi këtë fazë të Reformës në Drejtësi jo si përmbyllëse, por si fillimin e një procesi dinamik komunikimi, ku secili është i mirëpritur të jetë pjesmarrës me mendime e sugjerime konkrete mbi çdo aspekt të dokumentit analitik.