Ambasadorja e Hollandës vlerëson lart punën e ekspertëve për Reformën në Sistemin e Drejtësisë

Në kuadër të Reformës në Sistemin e Drejtësisë u zhvillua sot në Lezhë tryeza e tretë rajonale për prezantimin dhe konsultimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese me gjyqtarë, prokurorë, avokatë, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe pedagogë të fushës së drejtësisë të pranishëm në këtë veprimtari.

Shefi i Misionit Euralius, dr. Ranier Deville, në fjalën e tij hapëse të prezantimeve  shpjegoi parimet dhe gjithë praktikën e ndjekur deri më tani për Reformën në Drejtësi, duke vënë theksin tek rëndësia e një sistemi gjyqësor të pavarur.

Z. Gent Ibrahimi, Ekspert i Grupit të Punës, u ndal më gjatë në  ndryshimet kushtetuese, ku theksi u vu tek vetëqeverisja e gjyqësorit, përbërja dhe mënyra e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor , Këshilli Emërimeve dhe Gjykata e Lartë.

E ftuar në këtë tryezë Ambasadorja e Hollandës në Shqipëri, Sh.S.Znj. Dewi De Weerd nënvizoi nevojën e madhe për luftën ndaj korrupsionit me anë të kësaj reforme.

“ Shqipëria ka perspektivën Europiane, ndaj si partnerë ne mendojmë se është e rëndësishme të punojmë së bashku sa më shumë të mundemi që ju ta arrini atë. E nëse Shqipëria do të jetë pjesë e BE-së, ne duam që ju të jeni një partner i barabartë me shumicën e vendeve anëtare të BE, me prevalimin e standardeve europiane, demokracinë dhe besimin tek drejtësia. Mendoj se është shumë e qartë që çdo demokraci meriton një drejtësi të pavarur. E për momentin në Shqipëri mbetet ende shumë për t’u bërë në këtë aspekt. Doja ta theksoja që nuk është e rëndësishme vetëm për njerëzit, por për gjithë shoqërinë shqiptare”, tha Znj. Dewi De Weerd.

Ambasadorja u shpreh se është bërë një punë e mirë për këtë reformë dhe se ka një konsensus dhe frymë të duhur për ta çuar atë përpara. “ Dua të komplimentoj të gjithë ekipin shqiptar së bashku me ekspertët e huaj që kanë bërë një punë të shkëlqyer e voluminoze. Ka një konsensus të gjerë së kjo reformë do të bëjë ndryshimin që është kaq shumë i dëshiruar në këtë vend. Ne jemi tani duke diskutuar amendamentet kushtetuese dhe gjithashtu po kritikojmë disa gjëra që mund të ishin bërë dhe më mirë, por unë mendoj se fakti që ne jemi sot këtu dhe komentet i janë çuar edhe Komisionit të Venecias, do të thotë se ka një përfshirje të madhe të shumë njerëzve të interesuar, ekspertëve, gjykatësve, prokurorëve, e kjo është e shkëlqyer. Ndaj do doja t’ju kërkoja të vazhdoni në këtë aspekt, sepse përfundimi i kësaj reforme duhet të jetë mbështetja në një drejtësi të pavarur që funksionon në një mënyrë transparente”, tha znj. Dewi De Weerd duke shtuar se është shumë e rëndësishme që të ndryshohet mentaliteti.

Pas prezantimeve të pranishmit u ftuan të japin mendimet e tyre përsa i përket amendimeve kushtetuese, në një bashkëbisedim të drejtuar nga Z. Kristaq Traja, Ekspert i Grupit të Punës për Ndryshimet Kushtetuese. Të gjitha sugjerimet dhe problematikat e nxjerra nga kjo tryezë u mbajtën shënim për t’u trajtuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë, në vijim. Gjithashtu pjesëmarrësve ju kërkua që çdo sugjerim i cili mbeti i paprekur në këtë tryezë të dërgohen në faqen online të Reformës në Drejtësi, www.reformanedrejtesi.al, apo edhe kontakteve të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën.