Përgjigje nga Ilir Panda, ekspert i nivelit të lartë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e e Drejtësisë:
Hartimi i strategjisë së drejtësisë dhe Planit të veprimit ka kaluar disa etapa. Në etapën e parë atë të fotografimit të situatës dhe të evidentimit të problematikave në lidhje me tarifat gjyqësore dhe të drejtës për akses në drejtësi u konstatua që kemi një situatë të paqartë ligjore në përcaktimin e tarifave gjyqësore. Nuk ka hierarki të tarifave të pagesave të lidhura me shkallët gjyqësore dhe nuk ka diferencim tarifash midis llojeve të mosmarrëveshjeve (të tilla si mosmarrëveshje mbi pronësinë, mosmarrëveshje për markën, etj.). Tarifa për t’iu drejtuar Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë që aktualisht është mjaft e ulët (200 Lekë), mund të përshtatet dhe të ndryshohet duke përfshirë një përqindje tjetër për çdo shkallë për çështjet tregtare.
Aktualisht kemi nje mungesë totale të aplikimit të tarifave në Gjykatën Kushtetuese. Vitet e fundit vihet re se janë shtuar mjaft kërkesat që depozitohen para kësaj Gjykate, duke shtuar volumin e punës së saj sidomos në fazën e seleksionimit të kërkesave. Kjo gjë ka rritur edhe shpenzimet administrative të saj. Përveç kësaj, në mjaft raste vihen re edhe abuzime me mjetin e ankimit duke paraqitur kërkesa të cilat nuk plotësojnë kriteret në mënyrë të përsëritur.
Për pasojë strategjia dhe plani i veprimit e konsiderojnë garantimin e të drejtes së aksesit në drejtësi si një e drejtë themelore dhe kushtetuese e cila garantohet automatikisht por po ashtu nuk është lenë në hije nga reforma në drejtësi. Konkretisht strategjia dhe plan verpimi kanë parashikuar rregullimin e sistemit të tarifave, duke synuar vendosjen e tarifave të arsyeshme dhe proporcionale për shërbimet që ofron pushteti gjyqësor, në funksion të kategorizimit të tyre sipas llojeve të mosmarrëveshjeve dhe duke parashikuar përjashtime mbi bazën e kritereve objektive dhe të matshëm, të cilat synojnë të rrisin aksesin në gjykatë të individëve që nuk kanë mundësi financiare, por nga ana tjetër e bëjnë me të llogjikshme përdorimin e të drejtës për ankimim.