Është diplomuar në drejtësi në Universitetin e Tiranës, në vitin 1986. Ka punuar si pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës në periudhën 1986-1998. Ka ushtruar funksionin si Zëvendësministre e Drejtësisë në periudhën 1998-2000. Nga viti 2000 është pedagoge me kohë të plotë në Shkollën e Magjistraturës. Ka qenë përfaqësuese e Shqipërisë për më shumë se dy vjet në Komitetin Drejtues të Këshillit të Evropës për Bashkëpunimin Juridik (CDCJ) dhe Komitetin e Ekspertëve të së Drejtës Familjare. Ajo është pedagoge e të Drejtës Familjare, Ndërmjetësimit, të Drejtës Ndërkombëtare Private e Romake. Prof. Mandro ka qenë anëtare e jurisë së provimit të kualifikimit pasuniversitar në Universitetin e Tiranës me cilësinë e udhëheqëses shkencore, anëtares së jurisë si dhe kryetares së Jurive të kandidatëve për gradën Doktor si dhe të marrjes se titullit Prof.As./Prof.
Ajo ka qenë dhe është anëtare e bordeve redaktues të disa revistave shkencore, autore e disa punimeve shkencore, manualeve dhe shkrimeve të tjera, si dhe ka mbajtur një sërë referatesh në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo është një eksperte në përafrimin e legjislacionit me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Është eksperte në hartimin e disa ligjeve si Kodi i Familjes, Ligji për Barazinë Gjinore, Ligji për Ndërmjetësimin, Kodi i Punës, etj. Ajo është anëtare e disa bordeve të OJF-ve dhe ka një bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile.