Grupet e interesit dhe organizatat e shoqërisë civile diskutojnë për procesin e Reformës në Drejtësi

Bashkëpunimi me shoqërinë civile u vlerësua si një shërbim i vyer, sidomos në fushën e antikorrupsionit në sistemin e drejtësisë, për edukimin ligjor të komunitetit, duke nisur nga nxënësit e shkollave, për përcjelljen e zërit të qytetarëve mbi reformën në tërësi apo aspekte të veçanta.

Në kuadër të forcimit të urave të bashkëpunimit mes shoqërisë civile dhe Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, dhe veçanërisht Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, u zhvillua ditën e premte, datë 8 maj 2015, një diskutim i hapur, i fokusuar te procesi i konsultimit në shqyrtimin e nismave ligjore, forcimin e kontrollit parlamentar, si dhe organizimin e debatit në tre fazat e procesit të Reformës në Drejtësi.

Në këtë aktivitet ishin prezentë përfaqësues nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Fondacioni SOROS, Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut, Instituti për Studime Gjyqësore dhe Kushtetuese, Instituti për Demokraci dhe Zhvillim, Shërbimi Ligjor Falas, Qendra ResPublica, Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA), Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike, CRCA Albania, UNICEF, Qendra për Çështjet e Informimit Publik, Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata e Prokurorëve, Shoqata e Avokatëve Penalistë, Dhoma Kombëtare e Avokatisë, Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë, Dhoma Kombëtare e Noterisë, Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve, Shoqata e Bankave, nga institucioni i Avokatit të Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen të Dhënave Personale dhe të Drejtën e Informimit, nga Delegacionit i BE-së, Misioni Euralius, Zyra e Këshillit të Evropës, OSBE etj.

Në hapje të takimit kryetari i Komisionit të Ligjeve dhe njëkohësisht kryetar i Komisionit të Posaçëm “Për Reformën në Drejtësi”, vlerësoi maksimalisht rolin e organizatave të shoqërisë civile si dhe të grupeve të interesit gjatë procesit legjislativ dhe atë kontrollit parlamentar. Bashkëpunimi, sipas tij, është në shërbim të kontributeve konkrete, sidomos në fushën e antikorrupsionit në sistemin e drejtësisë, për edukimin ligjor të komunitetit, duke nisur nga nxënësit e shkollave, për përcjelljen e zërit të qytetarëve mbi reformën në tërësi apo aspekte të veçanta të saj nëpërmjet anketave e sondazheve, por dhe nga presioni pozitiv mbi politikën në realizimin sa më eficent të kësaj reforme.

Përfaqësues të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit theksuan rëndësinë që ka procesi reformues në drejtësi, serioziteti dhe gjithpërfshirja e aktorëve brenda dhe jashtë sistemit dhe mbi të gjitha që në rolin e protagonistëve të jenë ekspertët sipas fushave. Nga diskutantët reforma u përshkrua si iniciativa më me vlerë në 25 vitet e fundit, kurorëzimi me sukses i së cilës do të hapë perspektivën e ndryshimeve pozitive në sistemin e drejtësisë, në funksion të forcimit dhe pavarësimit të incititucioneve, si dhe në shërbim më cilësot dhe të besueshëm për qytetarët. Në tryezë u përmend si tregues shumë pozitiv baza e gjerë e konsultimit, ku materiali analitik dhe propozimet e grupeve të punës së ekspertëve u përcillen mbi 1400 adresave të përfaqësuesve nga të gjitha nivelet në sistemin e drejtësisë, në gjykata, në prokurori, në dhomat e avokatëve, të noterëve etj.

Disa herë u përsërit dhe ftesa për përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe grupet e interesit që të jenë prezentë në secilën prej tryezave të punës së Reformës në Drejtësi, ku aktivisht janë të mirëpritur me propozime, sugjerime e përmirësime të nevojshme në vendimarrje.