Fjala në seancën e sotme parlamentare e Kryetarit të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, z. Fatmir Xhafaj

E nderuar zonja drejtuese e seancës,

Të nderuar kolegë deputetë,

Kur 22 muaj më parë, Kuvendi i Shqipërisë vendosi krijimin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, ishin jo të pakët ata që e panë këtë akt si një akt rutinë të këtij organi, e panë si një moment politik dhe juridik që do të kalonte pa lënë ndonjë shënjë të vecantë.

 Ishin jo të pakët ata, brënda dhe jashtë kësaj salle që treguan pak ose aspak besim se ne do të ishim duke bërë sot një nga diskutimet dhe debatet parlamentarë më të rëndësishëm në këto 25 vitet e fundit.

Biles edhe ata të cilët që në fillim e kanë dëshiruar, kanë punuar dhe e kanë mbështetur këtë proces, nuk e kishin menduar se reformimi i sistemit të drejtësisë do të ishte tërësor, kaq i thellë dhe jo i njëanshëm politikisht.

 Për të qënë i sinqertë, as edhe unë vetë, si një ndër të angazhuarit e drejtëpërdrejt në këtë proces nuk e kisha besuar që në fillim se produkti i këtij procesi do të ishte ky që kemi sot, edhe pse që në fillimet e këtij angazhimi, mendimi dhe dëshira ime ka qënë që sistemi i drejtësisë në Shqipëri të reformohej rrënjësisht.

Ishin dhe janë akoma shumë të qarta të dhënat se ky sistem drejtësie është një sistem tërësisht i kalbur, me asnjë reputacion në opinionin publik, me mungesën e plotë të besimit te qytetarët. Asnjë masë modifikuese, nuk mundet ta shëronte këtë sistem të korruptuar po se po, por edhe të kompromentuar politikisht.

Ndaj cdo ditë që kalonte nga dita që Komisioni i Posaçëm Parlamentar filloi punën, krijonte bindjen e plotë tek të gjithë se reforma duhet të ishte përmbysëse e këtij sistemi dhe me qëllim ndërtimin e një sistemi të ri, të themeluar mbi një bazë më të shëndoshë kushtetuese, ligjore dhe njerëzore.

Është e qartë dhe jemi të gjithë dëshmitarë se procesi që çoi në ndryshimet kushtetuese të 22 Korrikut të këtij viti, si dhe në këtë paketë ligjore nuk ka qënë një proces i lehtë si politik, po ashtu edhe juridik.

Por me siguri mundet të thuhet se procesi në tërësi i reformës në sistemin e drejtësisë, përfshirë edhe këto projektligje, është ndërtuar përmes zbatimit të parimeve të gjithëpërfshirjes, transparencës, profesionalizmit, pajtueshmërisë me standardet ndërkombëtare dhe konsultimit të gjerë me të gjithë aktorët në këtë proçes.

 Suksesi i këtij procesi lidhet mësë pari me presionin e madh publik dhe me dëshirën e madhe të popullit shqiptar për ta ndryshuar rrënjësisht sistemin e drejtësis.

 Duhet të jem i sinqertë dhe të pranoj se ky sukses i dedikohet shumë edhe rolit dhe angazhimit të partnerëve tanë ndërkombëtar, atyre të SHBA dhe të BE.

 Dhe padiskutim vlerë dhe cilësi i kanë dhënë këtij projekti ekspertët dhe të gjithë ata kontributorë të tjerë, të paanshëm të cilët formëzuan ndryshimet kushtetuese dhe këtë paketë ligjesh që shqyrtojmë sot.

 Debatet dhe diskutimet e hapura për të gjitha çështjet e reformës në drejtësi, bërë në kohë të ndryshme dhe me pjesmarrje të të gjithë faktorëve të interesuar për këtë proces, i dhanë një dimenson më të arrirë këtij projekti.

Paketa e projektligjeve prioritare është zbatim i drejtëpërdrejtë i normave kushtetuese të miratuara konsensualisht më 22 korrik. Kjo paketë është tërësisht në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias, si dhe me standartet e tjera ndërkombëtare.

Një ndër ligjet më të rëndësishme të paketës së ligjeve prioritare të reformës është ai i vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ose sic quhet ndryshe ligji i Vetingut që nesër do të hyjë në fuqi e do fillojë të prodhojë efektet e para. Ky është ligji që i tregon gjithë shqiptarëve qartë dhe pa asnjë ekuivok që ne duam vërtet që sistemi i drejtësisë të ndryshojë rrënjësisht.

Një sistem drejtësie që të qëndrojë dhe të jetë efektiv e ka të rëndësishëm më së pari që të përcaktojë standarte profesionale të larta dhe cilësi morale individuale të gjithërespektuara të njerëzve që janë pjesë të tij. Janë njerëzit ata që i zbatojnë normat juridike, që e bëjnë ligjin human dhe në dobi të shoqërisë.

 Ne kemi ligje të mira në shumë fusha të së drejtës, biles kemi më shumë ligje se ç’duhen, aq sa mund të thuhet se kemi dhe fenomenin e inflacionit të ligjeve, sepse zgjidhjen e problemeve që kemi pasur me shtetin e së drejtës e kemi trajtuar si çëshje ligjesh dhe nenesh. Padyshim ato kanë vlerën e tyre dhe kanë nevojë për reformim e përsosje, por thelbësore mbeten njerëzit e ligjit ata që i bëjnë normat të flasin dhe të veprojnë në shërbim të njerëzve. Pikërisht kjo ka qënë dhe mbetet thelbi, thembra e akilit, pse tek ne, ligjet nuk zbatohen, pse tek ne nuk jepet drejtësi por bëhet pazar me të, pse tek ne ligji nuk është aleat i njeriut të thjeshtë, i të varfërit, por instrument i pushtetit, i të fortit që e blen dhe e shet atë sipas interesave për pushtet. Kjo sepse një pjesë e konsiderueshme e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk e meritojnë të jenë të tillë sepse janë shndërruar në taksidarë, në njerëz që flirtojnë me pushtetin e rradhës, me të fortët e politikës dhe të botës së errët të krimit.

 Ndaj dhe ato përpjekje pozitive të pjesëshme të bëra në vite për të ndryshuar sistemin kanë dështuar dhe mund të dështojnë nëse nuk ndryshon faktori njerëzor përcaktues për të bërë ndryshimin. 

 Hapi i parë dhe shumë i rëndësishëm është largimi nga sistemi i të gjithë atyre gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar, të paaftë dhe pa integritet si domosdohmëri për të pastruar nga e keqja vet sistemin, si kusht përcaktues për të kthyer besimin e njerëzve te drejtësia dhe pushteti i saj në shoqëri.

Mekanizmat ekzistues të ngarkuara me detyrën për të kontrolluar, promovuar dhe pastruar sistemin nga gjyqtarë e prokurorë, të paaftë dhe korruptuar nuk kanë qënë të aftë të përballojnë këtë situatë të rëndë në të cilin gjendet sistemi i drejtësisë shqiptare. Prej vitesh këto organe nuk e kanë kryer si duhet këtë funksion të ngarkuar nga Kushtetuta dhe ligji. Të paaftët dhe të korruptuarit në vend të ndëshkoheshin, u promovuan dhe u kthyen në standarte të sistemit. Kjo gjë natyrisht solli dhe dështimin e sistemit të karrierës duke penguar ose moslejuar ecjen përpara të gjyqtarëve dhe prokurorëve të aftë dhe të ndershëm dhe kryesorja humbjen e besimit të publikut te sistemi. Pikërisht, për të sjellë në normalitet funksionimin e një sistemi përgjegjshmërie, karriere të bazuar në merita dhe drejtësie të pavarur nga çdo lloj ndikimi, nevojitet kryerja e këtij procesi.

 Këtë synon të bëjë ligji  i vetingut. Atë që duhet bërë domosdoshmërisht. Ta pastrojë sistemin, rradhët e gjyqtarëve e prokurorëve nga pjesa e keqe e tij për t’ju lënë hapësirë në sistem gjyqtarëve dhe prokurorëve të ndershëm, për të futur të rinj e të reja në sistem që janë të gatshëm të bëjnë shërbëtorin e drejtësisë, njeriun e verbër ndaj Kushtetutës dhe ligjit.

Hapi tjetër shumë i rëndësishëm është të krijojmë institucionet e reja të sistemit me aftësinë vetrregulluese dhe pavarësinë funksionale dhe kryesorja të mbështesim gjyqtarët dhe prokurorët e ndershëm, t’ju japim atyre besim, pavarësi, përgjegjshmëri por dhe forcën, autoritetin dhe dinjitetin që meritojnë në shoqëri.

Këtë synon pikërisht paketa e projektligjeve që po miratojmë sot dhe disa projektligje të tjera që pritet të sillen së shpejti për miratim në kuvend.

Projektligji për organizimin e pushtetit gjyqësor synon garantimin e aksesit të qytetarëve te shërbimi gjyqësor, efektiviteti i këtij shërbimi përmes rritjes së shpejtësisë së gjykimit, kontrollit të efektshëm të shkeljeve ligjore dhe faktike të gjykatave më të ulëta nga ato më të larta, shpërndarjes proporcionale të ngarkesës mesatare të çështjeve për gjykatë dhe gjyqtar,  një shtrirjeje kapilare të shërbimit gjyqësor në të gjithë territorin e banuar të Republikës dhe riorganizimit territorial të tij. Projektligji synon t’ju japë zgjidhjet e duhura ligjore dhe institucionale problemeve aktuale që lidhen me aspekte të rëndësishme të organizimit gjyqësor, të cilat ndikojnë drejpërsëdrejti në aksesin në drejtësi të shtetasve dhe në efiçencën e sistemit, zvarritjes së proceseve gjyqësore, shpejtësisë së gjykimit nga gjykatat e apelit të juridiksionit të zakonshëm dhe administrativ, statusit të personelit jogjyqësor në gjykata, rritjen e numrit të ndihmësve ligjorë në standardet europiane, etj.

Projektligji tjetër për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve është ligji që do t’ju kthej gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend dinjitetin e munguar, që do tju japë atyre vlerësimin dhe respektin që meritojnë por dhe përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien në ushtrimin e detyrës.

Në thelb, statusi i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një sistem garancish personale në funksion të pavarësisë dhe llogaridhënies së pushtetit gjyqësor. Garancitë ligjore për statusin e gjyqtarit lidhen kryesisht me mënyrën e emërimit të tyre, të menaxhimit të karrierës, garancitë për qëndrimin në detyrë (patundshmërinë), me përfitimet financiare dhe jo financiare të magjistratit gjatë ushtrimit të detyrës dhe pas përfundimit të detyrës, të drejtat dhe detyrimet e tyre; pranimin dhe trajnimin e tyre; vlerësimin etik dhe profesional të tyre;  përgjegjësinë disiplinore, penale dhe civile të tyre.

 Ky ligj do të zgjidhë për herë të parë në këta 25 vjet edhe statusin e administratës së gjyqësorit duke themeluar shërbimin civil të sistemit të drejtësisë çka do t’i japë këtij shërbimi qëndrueshmëri, garanci dhe cilësi në shërbimin ndaj drejtësisë dhe qytetarëve.

Projektligji në fjalë ndryshon tërësisht dhe rrënjësisht sistemin e trajtimit ekonomik dhe financiar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo do të jetë rritja më e madhe e pagave në këta 25 vjet për gjyqtarët e prokurorët duke i bërë më në fund ato të krahasueshëm me vendet e rajonit. Pagat dhe përfitimet e tjera financiare do t’i sigurojnë gjyqtarit e prokurorit dhe familjes së tij plotësimin në një nivel të lartë të të gjitha kushteve të jetesës, përfshirë këtu edhe trajtimin pas lënies së detyrës. Ky trajtim është në përputhje të plotë me dinjitetin e figurës së gjyqtarit dhe të prokurorit.  Sa për referim paga mujore bruto e gjyqtarit dhe prokurorit të shkallës së parë do të jetë jo pak, por 226.300 lekë pa përfshirë këtu shtesa mbi pagë për shkak të vjetërsisë etj. Trajtimi ekonomik dhe financiar pëson një ndryshim rrënjësor edhe për administratën e sistemit të drejtësisë. Kosto e buxhetit për pagat e shpërblimet do të rritet me rreth 1 mld lekë në vit dhe vetëm për vitin e ardhshëm buxheti i shtetit pritet të shpenzojë rreth 1 mld lekë për përmirësimin e insfrastrukturës së re të sistemit të drejtësisë. Dëshiroj ta falenderoj Kryeministrin e vendit dhe Ministrinë e Financave jo aq për mbështetjen buxhetore se sa për përpjekjet e mëdha që po bëjnë për të mobilizuar fonde shtesë edhe nga donatorët për vitet e ardhshme më synimin për të ndryshuar cilësisht infrastrukturën e sotme problematike të sistemit të drejtësisë, shkak jo i pak problemeve në mirëfunksionimin e institucioneve të tij.

Të nderuar deputetë,

Paketa ligjore në fushën e drejtësisë penale edhe përmes dy projektligjeve që shqyrtojmë sot, pritet të sjelli ndikim të drejtpërdrejtë sa i përket rezultateve ne luftën kundër krimit në përgjithësi dhe korrupsionit dhe krimit të organizuar, në mënyrë të veçantë.

Kjo e ndikuar nga zgjidhjet e dhëna lidhur me: (i) rritjen e pavarësisë vendimmarrëse, përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit të prokurorëve në ushtrimin e detyrës prej tyre dhe veçanërisht forcimin e garancive procedurale të pavarësisë në fazën e hetimeve paraprake dhe gjatë gjykimit etj; (ii) rritjen e integritetit dhe profesionalizmit  të organit të prokurorisë, përmes kandidatëve që do të hyjnë në sistemin e drejtësisë, në përfundim të procedurave konkuruese, transparente dhe të bazuara në kritere objektive të paracaktuara; (iii)  formimit të vazhdueshëm të prokurorëve, hetuesve dhe nëpunësve të prokurorisë përmes programeve te trajnimit të Shkollës së Magjistraturës; (iv) garantimit të pavarësisë funksionale nga ndikimet e jashtme të papërshtatshme falë dhënies së përgjegjësive vendimmarrëse një organi kolegjial të pavarur, përfaqësues në shumicë i radhëve të prokurorëve; (v) mirëpërcaktimin e mbështetjes nga sektorët e ekspertizës, që do të kenë brenda tyre të gjitha mjetet dhe personat me aftësi të spikatura profesionale e teknike, të nevojshme për zbulimin e veprave penale dhe ndjekjen me sukses të tyre në gjykim.

Strategjia për reformimin e drejtësisë ndër të tjera synon të trajtojë e japë zgjidhje për një nga fenomenet më negative që karakterizon sistemin e drejtësisë në vend, korrupsionin.  Por kjo jo vetëm në sistemin e drejtësisë.

Ngritja e një strukture të posaçme antikorrupsion për zbulimin, hetimin dhe gjykimin e veprave penale në fushën e korrupsionit është domosdoshmëri me qëllim zbulimin, parandalimin dhe ndëshkimin e këtij fenomeni negativ për shoqërinë.

 Veçmas kësaj, përgjegjësia e kësaj strukture do të lidhet edhe me luftën kundër krimit të organizuar.

Korrupsioni dhe krimi janë dy rreziqet më të mëdha për vendin tonë. Lufta kundër tyre nuk mundet të bëhet me fjalime e ca më shumë akoma me topa balte e batuta të shpifura politike. Korrupsioni dhe krimi cënojn sigurinë dhe interesin e ligjshëm të cdo qytetari.

 Është naive nëse dikush mendon se për shkak të pozitës politike apo publike që mundet të ketë sot, të mos jetë i ndikuar nga efekti negativ edhe mbi të i këyre fenomeneve. Po kështu edhe statusi pasuror i dikujt është pa vlerë në një vend ku korrupsioni dhe krimi bëjnë ligjin.

Ndaj është me rëndësi të kuptohet nga pjesa më e shëndetshme e politikës që pavarësisht orientimit politik të gjithësecilit, ne të bëhemi bashkë për të qëndruar fortë ndaj këtyre fenomeneve. Ky është interesi i përbashkët i njerëzve normal që duan të jetojnë në paqe dhe siguri me familjet e tyre.

 Eksperienca e vendeve të tjera ka treguar se nuk ka asnjë shans që të shkojnë bashkë për një kohe të gjatë politika dhe funksioni publik me korrupsionin dhe krimin.

Sa më shpejt ta bëjmë këtë shkëputje, aq më mirë do të jetë për shëndetin e kësaj shoqërie dhe për të ndërtuar të ardhmen e fëmijëve tanë në këtë vend.

Ndaj në këtë kontekst sot më shumë se kurrë jam i bindur për domosdoshmërinë e miratimit të projektligjit për SPAK, si një nga ligjet më me vlerë të kësaj reforme.

 Gjatë kësaj periudhe kam bërë përpjekje t’i anashkaloj debatet “kush bëri e çfarë” në këtë proces si një kurth që rrezikonte të më tërhiqte në debatin shterp dhe të pengonte ritmin e ecjes përpara në këtë proces. Nuk ka qënë e lehtë, për t’ju larguar baltës së shpifjes dhe për t’i qëndruar rrugës së reformës. Po gjithsesi sot më duhet t’ju japë përgjigje disa prej spekulimeve të shumta që kanë kohë që bëhen në këtë kontekst dhe që sot u ripërsëritën si gënjeshtra dhe hipokrizia e rradhës.

Keni pretenduar se opozita e ndryshojë projektin kushtetues për BKH-në për ta larguar nga ndikimi i ekzekutivit, se Komisioni i Venecias e çmontoi projektin qeveritar për BKH-në !! Një gënjeshtër e madhe që duhet cipë e trashë lëkure për ta mbajtur. Asnjë ndryshim thelbësor nuk ka statusi i BKH-së nga projekti i parë kushtetues i shtatorit të vitit të kaluar dhe deri më sot. Është i njëjti formulim pas asnjë shtesë. Po ja u lexoj për korrektësi.

Draft i parë dërguar Komisionit të Venecias më datë 24 shtator 2015

1. Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion e Prokurorisë është përgjegjëse për ndjekjen penale dhe përfaqësimin e akuzës kundër gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve të lartë, të përcaktuar me ligj, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Gjykatës së Apelit Anti-Korrupsion.

2. Prokurorët e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion janë të pavarur.

5. Byroja Kombëtare e Hetimit kryen hetime nën drejtimin e prokurorëve të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion të Prokurorisë.

Drafti  i dytë dërguar Komisionit të Venecias më 15 janar 2016

3. Prokuroria e posaçme për ndjekjen penale si dhe njësia e posaçme për hetimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe të akuzave penale kundër funksionarëve të lartë janë të pavarura nga Prokurori i Përgjithshëm dhe krijohen me ligj. Prokurorët, oficerët e hetimit, punonjësit e administratës dhe familjarët e tyre të afërt u nënshtrohen verifikimit të pasurisë dhe të figurës, kontrolleve periodike të llogarive bankare, transaksioneve financiare dhe telekomunikimeve personale, sipas ligjit. Drejtuesi i prokurorisë së posaçme zgjidhet nga radhët e prokurorëve të kësaj zyre sipas ligjit.

Ndryshimet kushtetuese të miratuara në Kuvendin e Shqipërisë në 22 korrik 2016

4. Prokuroria e Posaçme dhe Njësia e Posaçme Hetimore për ndjekjen penale dhe hetimin e veprave penale të korrupsionit, krimit të organizuar dhe çështjeve penale sipas nenit 135, paragrafi 2, të Kushtetutës janë të pavarura nga Prokurori i Përgjithshëm. Njësia e Posaçme Hetimore është në varësi të Prokurorisë së Posaçme.”

Jeni duke pretenduar se keni ndryshuar ligjin për SPAK dhe se kjo qenka arsyeja pse ju po votoni PRO tij sot në këtë seancë. Ju bëni mirë që po votoni dhe sinqerisht kam dashur shumë që ky projektligj të ketë dhe votën tuaj. Ndaj dhe sië përfaqësuesit tuaj e dinë mirë, ishim ne që ju thamë zgjidhni si e doni dhe ashtu do ta bëjmë. Po cila është e vërteta? Nga rreth 60 nene të projektit janë ndryshuar në saj të ndërhyrjes tuaj pjesërisht vetëm 3 nene të këtij projekti! Edhe kjo si një zgjidhje e sforcuar që ju të jepni konsensus për këtë projektligj. Kjo për të mos pasur askush, edhe ndër ju, asnjë alibi nesër në procesin e zbatimit të këtij projekligji. Ndërkohë që projektligjit në tërësi i janë bërë ndryshime në mbi 20 nene ose 1/3 e tij si propozime të kolegëve të maxhorancës z.Manja, z.Muçmata dhe z.Vasili e të tjeë.

Ky është projekt ligji i ndëshkimit mbi korrupsionin dhe krimin e organizuar! Le të përgatiten ata që kanë vjedhur, kanë vrarë dhe shitur interesat e vendit për orën e vërtetë të llogarisë para drejtësisë.

Qëndrimi tashmë publik i opozitës në lidhje me këto projektligje, siç e dëshmoi dhe seanca e sotme, është një qëndrim kontestues ndaj përmbajtjes së projekligjeve, ndaj thelbit të tyre. Pasi bojkotoi për shumë kohë Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë lidhur me shqyrtimin e projektligjeve prioritare, megjithëse kishte kërkuar ajo vet miratimin e tyre të njëkohshëm me projektin kushtetues, opozita bëri përpjekje të imponojë qëndrimet e saj edhe duke pasur kundër jo thjesht maxhorancën, por edhe opinionin publik, si dhe ekspertët ndërkombëtarë. Përmes një sërë dokumentash me shumë fjalë e me shumë pak thelb argumentues opozita nuk arriti të prezantojë në mënyrë të qartë e të fokusuar prioritetet e saj në këtë proces ligjbërjeje. Çuarja e projektligjit të vetingut në Kushtetuese është shembulli më i mirë i “sinqeritetit” dhe i “dashamirësisë” suaj ndaj reformës !

Një shembull kuptimplotë që zbulon thelbin e alibisë së opozitës për antikushtetueshmëri të ligjeve dhe mosvotimin e tyre është projektligji për Gjykatën Kushtetuese që po miratojmë sot në këtë seancë!! Jam i cuditur për mungesën e konsensusit nga opozita për këtë projektligj. Një projektligj tërësisht procedurial, i mbështetur plotësisht në rekomandimet e vet Gjykatës Kushtetuese në analizat e bëra prej saj dhe të artikuluara publikisht nga Kryetari i saj. Asnjë fjalë, asnjë kontestim nuk ka artikuluar opozita në komision dhe jashtë tij për këtë projekt dhe sot çuditërisht nuk e voton !!! Po kjo është opozita jonë që nuk e ka aq hallin se si të bëhet reforma se sa si të mos bëhet apo deformohet qëllimi dhe përmbajtja e saj. Do të jemi këtu e të tjera çudira të tilla do të dëgjojmë e shohim në këtë proces.

Gjithsesi unë dëshiroj t’i falenderoj kolegët e opozitës edhe për aq kontribut sa kanë dhënë, çka na ka bërë ne të jemi edhe më të kujdesshëm në procesin e hartimit dhe debatit të projektligjeve por edhe sepse në saj të kësaj, është bërë e mundur që në disa nga këto projektligje të bëhen ndërhyrje në disa nene si dhe të formuloheshin edhe përmirësoheshin më tej.

Procesi i reformës në drejtësi nuk ka patur si qëllim që të përmbushi ndonjë interes politik. E them me përgjegjësi publike se kemi qënë të angazhuar dhe më në fund me ndryshimet kushtetuese të miratuara në Korrik dhe me paketën e ligjeve që po kalojmë sot, ja kemi dalë që realizojmë një reformë drejtësie në interes të qytetarit dhe jo në interes të politikës.

 Jam i sigurtë që nga pikëpamja e ndryshimeve të propozuara edhe qytetari me njohuritë më të pakta mbi ligjin, mbi shtetin e mbi koncepte të tjera të ngjashme si këto, ka kuptuar se pritshmëritë e tij për reformën në drejtësi kanë filluar të përmbushen. Të paktën në aspektin e ndryshimit të korpusit rregullator.

 Zbatimi në praktikë do të jetë një proces jo i lehtë dhe do dëshmojë shumë për seriozitetin dhe përkushtimin e institucioneve të përfshira në këtë proces por edhe grupeve politike parlamentare në këtë sallë. Ndryshimet kushtetuese si produkt i konsensusit të 21 korrikut ju kanë dhënë hapësirë veprimi dhe rol aktiv në këtë proces edhe partive politike parlamentare. Është momenti që ato të tregojnë se kishin dhe kanë qëllime pozitive në këtë proces.

 Me miratimin e ligjit të Veting-ut dhe sot të këtyre projektligjeve ne po hedhim një tjetër hap të rëndësishëm për të rikthyer besimin te institucionet e drejtësisë, shpresën se në këtë vend mund të ketë një drejtësi të barabartë për të gjithë, shpresën për t’ju kthyer qytetarëve drejtësinë e munguar, drejtësinë e mohuar në vite.

Procesi është i pakthyeshëm dhe i sigurtë. Ne duhet të vazhdojmë të shohim para dhe me vendosmëri rrugën e nisur.

 Kemi ende rrugë për të bërë për të fituar besimin e publikut që reforma do të jetë ajo çfarë ata kanë vite që presin dhe kryesorja që rezultatet të jenë të prekshme. Gjithsesi jemi në rrugën e duhur.

Faleminderit !