Çështjet e drejtësisë penale dhe antikorrupsionit të Reformës në Drejtësi diskutohen në Gjirokastër

“Drejtësia penale dhe Antikorrupsioni ”, ishin dy temat objekt diskutimi në Universitetin e Gjirokastrës "Eqrem Çabej”.

"Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë, pranë këtij komisioni, zhvilloi një dëgjesë konsultimi publik për komponentët kryesorë të dokumentit “Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri – 2015” dhe të tërheqjes së opinioneve rreth Strategjisë për Reformën në Drejtësi.

Të pranishëm ishin gjyqtarë, prokurorë,  avokatë, noterë, përmbarues, ndërmjetës, pedagogë e studentë të Universitetit "Eqrem Çabej” , si dhe përfaqësues të OJF-ve të qarkut të Gjirokastrës.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin tha se, aspektet që kanë të bëjnë me drejtësinë kriminale dhe antikorrupsionin, janë tejet të rëndësishëm, sepse duhet të ketë një dallim të qartë midis së mirës dhe së keqes, mes atyre që i shërbejnë  drejtësisë dhe atyre që e shfrytëzojnë sistemin.

“Në fakt korrupsioni shpesh kurorëzohet në drejtësinë penale, si një krim pa viktima. Por unë nuk besoj se është krejtësisht ndryshe, sepse ky është një krim. Unë jam e sigurt që kjo reformë do të bëjë efekt, në mënyrë që të krijojë një kuadër legjislativ të shëndetshëm dhe të duhur për të ardhmen, por në të njëjtën kohë, ne duhet të rrisim edhe ndërgjegjësimin tek qytetarët për t’i dhënë fund kulturës së  mosndëshkueshmërisë. Prandaj duhet që të mos ketë tolerancë ndaj korrupsionit dhe një rol të rëndësishëm mund të luajnë të gjithë qytetaret, institucionet, shoqatat.  Kjo reformë duhet të bëjë të mundur që të krijojë dhe të ketë një vijë tërësisht të qartë, mes atyre që janë gjyqtarë dhe prokurorë të zotë, që punojnë me ndershmëri dhe devotshmëri dhe ndërmjet atyre që janë thjesht kriminelë dhe që shfrytëzojnë burimet publike. Kjo reformë patjetër që duhet të jetë një reformë e thellë dhe e pakompromistë”, tha znj. Vlahutin.

Në vijim të fjalës së saj,  Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri vlerësoi vendimin e opozitës për t’u bërë pjesë e Reformës në Drejtësi.

“Jam vërtet e lumtur që përfaqësuesit e opozitës janë bërë pjesë e këtij komisioni të posaçëm parlamentar. Sepse reforma në drejtësi duhet të qëndrojë mbi çdo interes tjetër, qoftë ky interes privat apo i kujtdo tjetër.  Jam e sigurt se anëtarët e opozitës të cilët janë bërë pjesë e këtij grupi do të japin mbështetjen tyre të plotë. Kjo nuk është reformë politike, kjo në fakt është një reformë e cila ndiqet nga njohuritë dhe ekspertiza”, theksoi znj. Vlahutin.

Më pas, vendi iu la diskutimeve dhe pyetjeve të grupeve të interesit, të pranishëm në këtë konsultim, të cilat  u mbajtën shënim nga organizatorët, për t’u trajtuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë. Ata ftuan studentët dhe pedagogët, si dhe përfaqësuesit e grupeve të interesit që të jenë aktivë me propozime dhe mendime edhe përmes faqes online të Reformës në Drejtësi, www.reformanedrejtesi.al, apo dhe kontakteve të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën.

Faza e konsultimeve publike, sipas kalendarit që është miratuar, do të vijojë në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër.