Vlerësohet procesi i Reformës në Sistemin e Drejtësisë në tryezën për “Pushtetin Gjyqësor”

Në kuadër të Reformës në Sistemin e Drejtësisë, sot në mjediset e Ministrisë së Drejtësisë, u zhvillua Konsultimi publik për “Pushtetin Gjyqësor”.

Pjesëmarrës në këtë takim ishin gjyqtarë, grupet e interesit, avokatë, pedagogë të së drejtës të universiteteve publike dhe private, shoqëri civile, institucione të fushës, grupet parlamentare si edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri.

Duke folur gjatë këtij konsultimi, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Donald Lu deklaroi se reforma në drejtësi është shans i vërtetë për t’i dhënë Shqipërisë drejtësinë që meriton. Z. Lu bëri thirrje për të ndaluar sulmet politike dhe për të çelur rrugën e bashkëpunimit. “Partitë politike t’u japin fund sulmeve politike. Nxis që ne të gjithë, si shqiptarët dhe partnerët të dëgjojmë me vëmendje sugjerimet dhe mendimet për këtë reformë. Mund t’ju siguroi se SHBA mbështet reformën”, - deklaroi z. Lu, duke shtuar se nevojitet një dialog i hapur dhe i sinqertë.

“Kjo është reformë thelbësore për të larguar gjykatës dhe prokurorët e korruptuar apo të paaftë nga sistemi drejtësisë. Një gjykatës shqiptar tha se ai vinte në diskutim nëse propozimet kushtetuese do të komprometonin pavarësinë e gjyqësorit. Këtij gjyqtari i them as edhe një shqiptar i vetëm nuk beson se sistemi drejtësisë sot është i pavarur. Jemi këtu për të garantuar ecurinë e procesit. Ky proces do të kalojë përmes ekspertizash, këshillimesh, etj. Është një proces teknik. Ky është shansi vërtetë për t’i dhënë Shqipërisë drejtësinë e merituar”, - theksoi Ambasadori Amerikan, z. Donald Lu.

Ndërsa, Ambasadorja e Bashkimit Europian, znj. Romana Vlahutin tha se Shqipëria ka sistemin e drejtësisë më të korruptuar në Europë dhe për këtë arsye reforma është thelbësore. Sipas z. Vlahutin, reforma që po përgatitet të implementohet në vend është një nga më të mëdhatë në historinë Shqipërisë.

“Një nga problematikat kryesore është diskutimi nëse kjo reformë po udhëhiqet nga ekspertët apo politika. Është e vërtetë, që me kohë kjo reformë do votohet nga politika, por në thelb duhet të jetë produkt i ekspertëve. Ne kemi vënë re se ka një vullnet të gjerë për këtë reformë, pasi të gjitha palët flasin për këtë dhe kanë dhënë dakordësinë e tyre që reforma të bëhet. Kjo dilemë pra, reformë e ekspertëve apo e politikës bie. Është më mirë të kemi një debat të hapur dhe mirë-informuar mbi rrugën që duhet ndjekur për t’i dhënë Shqipërisë një reformë sipas standardeve europiane, - tha znj. Vlahutin. - Llogaridhënia dhe pavarësia janë një tjetër problematikë. Ky diskutim nuk duhet të ekzistojë, pasi një sistem drejtësie funksional e merr të mirëqenë që të dy faktorët janë pjesë e sistemit. Prandaj dhe kjo reformë në drejtësi, duhet të kalojë në lupë pikësëpari vlerësimet e prokurorëve dhe gjykatësve, për t’i lënë ose jo në sistem. Këtë reformë e shoh si bazë për të promovuar më të mirët”, - nënvizoi Ambasadorja e BE-së, znj. Romana Vlahutin.

Përfaqësuesja e misionit të Euralius në Shqipëri, znj. Agnes Bernhard tha se ka 14 muaj që merret me këtë proces dhe ekspertët shqiptarë që po merren janë nga më të mirët. Znj. Bernhard theksoi se kjo është vetëm faza e parë e punës.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, z. Xhezair Zaganjori u shpreh se e vlerëson procesin dhe se vendi ka nevojë për një sistem që të jetë sa më afër qytetarit e që qytetari të marrë drejtësinë e duhur dhe në kohën e duhur.

“E vlerësojmë reformën në drejtësi, por në këndvështrim të procesit sigurisht do të kishim dashur që procesi të kishte qenë më gjithëpërfshirës, të ishte krijuar një klimë më e shëndoshë besimi në të gjitha nivelet gjyqësore, pavarësisht se ne në emër të Gjykatës së Lartë kemi pasur ekspertët tanë, të cilët kanë bashkëpunuar me komisionin dhe kanë paraqitur vërejtjet e tyre. Problemet dihen, por puna është për t’i riparuar ato dhe për të korrigjuar dhe të metat e dobësitë, por ka vend dhe për të vlerësuar punën e gjyqtarëve. Në kuadër të reformës ne mendojmë se kemi nevojë jo për ta ndërlikuar sistemin, por për një sistem që të jetë sa më afër qytetarit, të jetë një sistem sa më i lexueshëm, sa më i parashikuar, që qytetari të marrë drejtësinë e duhur dhe në kohën e duhur”, - deklaroi z. Zaganjori gjatë fjalës së tij në takim.

Eksperti i fushës së drejtësisë, z. Enkeled Alibeaj evidentoi ato që sipas tij janë problemet kryesore që shqetësojnë sistemin e drejtësisë aktualisht.

“Luftë kundër korrupsionit, moskapje politike, anti-kooperativizëm këto janë tre vlerat të cilat unë besoj si ekspert sot, si ministër dje, si konsumator, do të doja të kisha për sistemin e drejtësisë. Kjo gjendje e drejtësisë sot shkaktohet më së paku nga pavarësia e pamjaftueshme, ndikimi politik në rekrutimin e gjyqtarëve, llogaridhënie e ulët e gjyqtarëve, kooperativizëm, klientelizëm. Eficencë e dobët në dhënien shërbimit nga sistemi i drejtësisë. Këto janë target që të gjithë së bashku të fitojmë kurajon që t’i luftojmë. Tre të parat duhen të reflektohen në Kushtetutë. Qëllimet e reformës në drejtësi janë të mbara, në ato që janë të parashikuara në amendimet kushtetuese”, - deklaroi z. Alibeaj.

Ndërsa, kryetari Grupit të Ekspertëve për Reformën në Drejtësi, z. Gent Ibrahimi tha se puna e grupit të drejtuar prej tij ka kaluar tre faza. “Analiza e sistemit, duke identifikuar problematikat. Më pas vendosëm alternativat dhe tashmë jemi tek faza e tretë ajo e zgjidhjes”, tha ai. Z. Ibrahimi shpjegoi se nuk do të ketë më KLD, por Këshill të Lartë Gjyqësor, që do të përbëhet nga 11 persona, 5 jo gjyqtarë, (akademikë, ekspertë, shoqëri civile, etj.) dhe 6 gjyqtarë. Nuk do të ketë më Konferencë Gjyqësore, por takime sipas niveleve të gjyqtarëve.

Më pas, vendi iu la diskutimeve dhe pyetjeve të grupeve të interesit, të pranishëm në këtë konsultim, të cilat  u mbajtën shënim nga organizatorët, për t’u trajtuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë. Ata ftuan gjyqtarë, avokatë dhe përfaqësuesit e grupeve të interesit që të jenë aktivë me propozime dhe mendime edhe përmes faqes on-line të Reformës në Drejtësi, www.reformanedrejtesi.al, apo dhe kontakteve të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën.

Ky takim u zhvillua në kuadër të prezantimit të paketës së ndryshimeve kushtetuese, i përqendruar në katër tryeza qendrore që do të zhvillohen në Tiranë, gjashtë tryeza rajonale me përfaqësues të shoqërisë civile dhe grupet e interesit, si dhe nëntë tryeza në tryeza në qendra universitare, ku do të zhvillohen bashkëbisedime me pedagogë dhe studentë të Fakulteteve të Drejtësisë.