Tryezë pune mbi shërbimet Ligjore, avokatinë, noterinë, përmbarimin gjyqësor, ndërmjetësimin dhe avokaturën e shtetit

Në diskutimin e hapur mes ekspertëve dhe grupeve të interesit doli në pah rëndësia që ka reformimi i profesioneve të lira - avokati, noteri, përmbarim gjyqësor, ndërmjetësim dhe avokatura shtetit, si një kusht i domosdoshëm në mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë, dhe në vendosjen e standarteve të gjithëpranuara europiane.

Në datën 8 maj 2015, Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë zhvilloi një tryezë pune përqëndruar në pjesën e dokumentit analitik që trajtonte gjetjet dhe problematikat lidhur me shërbimet ligjore, përkatësisht avokatinë, noterinë, përmbarimin gjyqësor, ndërmjetësimin dhe avokaturën e shtetit.

Nën drejtimin e  Kryetarit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë Prof. Dr. Maksim Haxhia u zhvillua tryeza në të cilën ishin pjesëmarrës edhe përfaqësues të  Misionit Euralius IV, Prezencës së OSBE-së në Tiranë, të Dhomave të Avokatisë, Noterisë, Përmbarimit Gjyqësor Privat, dhe Ndërmjetësimit, si dhe përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë. 
Fillimisht u procedua me një prezantim të përmbledhur të materialit analitik nga ekspertët e nivelit të lartë, të cilët evidentuan ato çështje thelbësore që lidhen me ecurinë dhe problematikat që paraqesin profesionet e rregulluara në realitetin shqiptar, dhe roli që ato luajnë në sistemin e drejtësisë në Republikën e Shqipërisë.

Prezantimi ishte një bazë e mirë për pjesën e debatit në tryezë, ku pjesmarrësit vlerësuan aspekte nga skanimi që ishte bërë kuadrit ligjor dhe praktikave konkrete, si një argument pro nevojës për realizimin e reformës dhe në këta sektorë. Disa herë u përsërit rëndësia dhe dobishmëria për reformimin e profesioneve të lira - avokati, noteri, përmbarim gjyqësor, ndërmjetësim dhe avokatura shtetit, si një kusht i domosdoshëm në mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë, dhe në vendosjen e standarteve të gjithëpranuara europiane në lidhje me organizimin dhe funksionimin e tyre.

Sikundër është proceduar dhe me tryezat e punës së mëparshme, përfundimet dhe propozimet e tryezës do të jenë object shqyrtimi dhe vlerësimi nga ana e Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë, për t’u integruar në përmbajtjen e materialit analitik. Në të njëjtën kohë pjesmarrësve iu bë thirrje për të vikuar bashkëpunimin me Grupin e Ekspertëve, duke dërguar sugjerime, pyetje dhe komente në adresën elektronike të Reformës në Sistemin e Drejtësisë.