Tryeza konsultative mbi organizimin e funksionimin e pushtetit gjyqësor

Procesi i konsultimit të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë vijoi me Tryezën e dytë, ku ishin prezentë aktorë të sistemit dhe nga grupet e interesit, ekspertë të nivelit të lartë vendas dhe ndërkombëtarë të grupit të Gjyqësorit, përfaqësues të Delegacionit të BE-së, Gjykatës së Lartë, gjykatave të juridiksionit të zakonshëm të shkallës së parë dhe të apelit, gjykatave administrative të shkallës së parë dhe të apelit, gjykatës për krimet e rënda të shkallës së parë dhe të apelit, këshillit të lartë të drejtësisë, konferencës gjyqësore kombëtare, shkollës së magjistraturës, Avokatit të Popullit, dhomës kombëtare të avokatisë, shoqatave të gjyqtarëve, akademikë dhe profesorë të së drejtës, organizatave nga shoqëria civile etj.

Tryeza e zhvilluar pasditen e 5 majit 2015, në mjediset e Kuvendin e Shqipërisë nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë u përqëndrua në sistemin gjyqësor, si pjesë e Dokumentit Analitik për Sistemin e Drejtësisë. Kapitulli është hartuar nga ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë, pjesë e nëngrupit për Gjyqësorin dhe Efiçencën e tij, që bashkëdrejtohet nga ekspertja ndërkombëtare për Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Gjykatën e Lartë pranë Misionit Euralius dhe Eksperti i Nivelit të Lartë, z. Gent Ibrahimi.

Në pjesën parë të Tryezës u bënë prezantime nga ekspertët e Nivelit të Lartë të Grupit të Gjyqësorit, zotërinjtë Ardian Nuni, Gent Ibrahimi, Ardian Dvorani, Ilir Panda dhe përfaqësuesja e Sekretariatit Teknik, Znj. Etilda Gjonaj. Ata u fokusuan në aspekte të veçanta të dokumentit analitik për kapitullin e Gjyqësorit, duke bërë një ekspoze të situatës, sa i takon problemeve që prekin sot sistemin gjyqësor në vend, lidhur me organizimin, pavarësinë, paanshmërinë, përgjegjshmërinë, profesionalizmin, administrimin, efiçiencën, transparencën e sistemit gjyqësor dhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore për realizimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit në Shqipëri.

Pas analizës së hollësishme që është kryer nga ana e ekspertëve kanë rezultuar, një sërë çështjesh të rëndësishme që do të duhet të gjejnë adresim nga procesi i reformës, të tilla si: ndonëse kuadri aktual ligjor i sistemit gjyqësor garanton në një masë të konsiderueshme pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqtarëve, në praktikë janë konstatuar probleme serioze të ndikueshmërisë politike dhe financiare të gjyqtarëve gjatë ushtrimit të detyrës; nga pikëpamja profesionale gjyqtarët kanë mangësi dhe janë larg standardeve dhe nivelit profesional që duhet të karakterizojë një gjyqtar të vendeve të BE; sa i takon efiçencës, rezulton se shqyrtimi i çështjeve gjyqësore nga gjykatat e të tre niveleve, nuk garanton plotësisht gjykimin e çështjeve brenda një afati të arsyeshëm; në tre shkallët e gjykimit nuk garantohet pjesëmarrja e publikut në gjykimin e çështjeve të ndryshme gjyqësore; aktualisht statusi i personelit të administratës gjyqësore në gjykata nuk është i rregulluar me ligj, pasi ligji 101/2013 për Administratën Gjyqësore, është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese; ekzekutimi i vendimeve të gjykatave është i dobët, veçanërisht në rastet ku institucionet shtetërore janë palë debitore etj.

Në pjesën e diskutimeve, përfaqësues të gjyqësorit, institucioneve të sistemit të drejtësisë dhe organizatave të shoqërisë civile, vlerësuan punën e bërë për hartimin e kapitullit të sistemit gjyqësor dhe adresuan sugjerimet dhe rekomandimet e tyre sa i takon vendosjes së kritereve objektive dhe profesionale për matjen e ngarkesës në punë të gjyqtarëve, organizimit të gjykatave dhe buxhetit gjyqësor, gjykimit të çështjeve brenda një afati të arsyeshëm, efikasitetit të ligjit mbi gjykatat

administrative dhe mbingarkesës së deritanishme të këtyre gjykatave, veprimtarinë e KLD-së në mirëqeverisjen e gjyqësorit dhe përbërjes së këtij institucioni, aspekteve ligjore dhe praktike që kanë shoqëruar problematikat mbi ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, etj.

Zëvendësshefja e Misionit Euralius, Znj. Agnes Bernhard shprehu konsiderata pozitive për ecurinë e reformës, duke vënë theksin në faktin se ky nuk është thjeshtë një proces i një grupi ekspertësh, por është një proces i shtetasve dhe institucioneve. Në përfundim të Tryezës ajo deklaroi se procesi i konsultimit do të vazhdojë, për të ecur në drejtimin e duhur.

Të gjitha konkluzionet e arritura në këtë Tryezë do të shqyrtohet dhe vlerësohen nga ana e Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë, për t’ u integruar eventualisht në materialin përkatës. Gjithashtu u ftuan të gjithë pjesmarrësit se ishin të mirëpritur të dërgonin propozime dhe komente mbi aspekte të caktuara të kapitullit edhe në ditët në vijim, përmes postës elektronike të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë.

 

Tiranë, 5 maj 2015