Shqyrtohet nen për nen draft-projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”

Komisioni i Posaçëm për Reformën në drejtësi shqyrtoi nen për nen draft-projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.

Të pranishëm në mbledhje ishin ekspertë të Nivelit të Lartë, vendas dhe të huaj.

Projektligji ka si qëllim përshtatjen e tij me ndryshimet kushtetuese të propozuara që lidhen kryesisht me ndryshimin e procedurës së emërimit, kriteret profesionale dhe kushtet për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, përgjegjësinë e tyre disiplinore, kufizimin e imunitetit, papajtueshmëritë, rastet e përfundimit të mandatit si dhe disa aspekte që lidhen me subjektet që venë në lëvizje dhe juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese.

Gjithashtu, projektligj synon ta bëjë Gjykatën Kushtetuese më efektive në vendimmarrje. Duke qenë se ligji bazë është miratuar në vitin 2000, gjatë kohës së zbatimit të tij ka dale nevoja për përmirësimin e tij dhe rregullimin e instituteve të parregulluara ose të rregulluara joplotësisht.