Reporterët e Komisionit të Venecias në Tiranë

Reporterët e Komisionit të Venecias kanë mbërritur në Tiranë në një vizitë pune dy ditore.Në fokus të axhendës së tyre janë takimet me Grupin e Ekspertëve të Nivelit të Lartë, pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, me Ekspertët e opozitës dhe anëtarët e saj në Komisionin e Posaçëm Parlamentar, me Ministrin e Drejtësisë si dhe me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar në Tiranë.

Paradite raporterët e Komisionit të Venecias zhvilluan një takim pune me ekspertët e Nivelit të Lartë të grupit të punës për të diskutuar me ta draftin e rishikuar të ndryshimeve kushtetuese, në funksion të draft-opinionit të miratuar nga vetë Komisioni i Venecias më 19 dhjetor 2015. Ekspertët e Nivelit të Lartë, hartues të projektit të ndryshimeve kushtetuese kanë prezantuar projektin dhe ndryshimet e bëra prej tyre në reflektim të raportit paraprak të Komisionit të Venecias të muajit dhjetor.

Në mesditë Reporterët e KV kanë pasur edhe një drekë pune me trupin diplomatik të akredituar në Tiranë.

Pasdite kanë programuar takimin me Ministrin e Drejtësisë si dhe me përfaqësuesit politik dhe grupin e ekspertëve të opozitës.

Nesër në përmbyllje të axhendës së tyre Grupi i Reporterëve të Komisionit të Venecias, në ora 19.00 do të ketë një konferencë për shtyp.