Reforma në Drejtësi në optikën e studentëve të Shkollës së Studimeve Politike

Interesimi i studentëve u përqëndrua më shumë tek etika dhe ngritja e nivelit të performancës së gjyqtarëve, instrumentet për zbatimin e ligjit, lufta kundër korrupsionit në të gjitha nivelet, besueshmëria e publikut tek reforma në drejtësi, organizimi dhe funksionimi i gjykatave administrative, zgjidhja e çështjeve jashtëgjyqësisht me ndërmjetësim dhe arbitrazh etj.

Dokumenti analitik dhe propozimet e grupeve të ekspertëve në procesin e Reformës në Drejtësi janë në fokus të konsultimeve me grupe të ndryshme interesi. Pas diskutimit që u zhvillua me aktorë të shoqërisë civile, kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, z. Fatmir Xhafaj iu përgjigj ftesës së Shkollës së Studimeve Politike në Tiranë, që mbështet nga Këshilli i Europës, në një takim të konceptuar si tryezë e rrumbullakët me synimin e tërheqjes dhe shkëmbimit të ideve për aspekte të reformimit të sistemit të drejtësisë shqiptare.

Z Xhafaj paraprakisht bëri një prezantim të punës që po bëhet për realizimin e reformës, komponentët kryesorë, fazat që po ndiqen, përbërjen e grupeve të punës, angazhimin e ekspertëve më të mirë sipas fushave, asistencën ndërkombëtare, strukturën teknike pranë Komisionit të Posaçëm, si dhe vizionin e sfidat e mëtejshme të këtij procesi mjaft të rëndësishëm për vendin.

foto_per_njoftimin_e_dates_12_maj_2015.jpgI ftuar në bashkëbisedim ishte dhe konstitucionalisti, prof. Luan Omari, pjesë e grupit të ekspertëve të nivelit të lartë pranë Komisionit të Posaçëm, në cilësinë e vëzhguesit të Komisionit të Venecias. Prof. Omari vlerësoi debatin në nivel profesional dhe efikas që po zhvillohet në këtë periudhë në tryezat e punës, në ndryshim të dukshëm nga metodologjia dhe filozofia e proceseve të kaluara, duke nënvizuar dhe domosdoshmërinë e ndryshimeve kushtetuese.

Pjesëmarrësit e Shkollës së Studimeve Politike ishin mjaft aktivë në tryezë me diskutime, komente e pyetje, të cilat lidheshim më shumë me etikën e ngritjen e nivelit të performancës së gjyqtarëve, instrumentet për zbatimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet, besueshmërinë e publikut tek reforma në drejtësi, organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative, zgjidhjen e çështjeve jashtëgjyqësisht me ndërmjetësim dhe arbitrazh, organizimin e prokurorisë etj.

Drejtori Ekzekutiv i Shkollës, së Studimeve Politike, z.Erjon Tase, dorëzoi për Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi, një dokument rekomandues të institucionit që drejton, i përqëndruar më shumë te efiçienca e gjyqësorit, përgatitur nga studentët e gjeneratës 2014.

Në përfundim të takimit, z. Fatmir Xhafaj, inkurajoi të gjithë pjesëmarrësit që të vijojnë të ofrojnë kontributin e tyre në këtë proces, me sugjerime e propozime konkrete për dokumentin analitik. Komisioni do të nisë materialet në versionin elektronik në email-et e studentëve, që dhe ata të kenë akses dhe të kontribuojnë realisht në kuadër të konsultimit publik të këtij dokumenti.