Propozimet e Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë për ndryshimet kushtetuese i dërgohen për mendim Komisionit të Venecias

Komisioni i Posaçëm “Për Reformën në Sistemin e Drejtësisë” diskutoi draftin e ndryshimeve kushtetuese të hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë vendas dhe të huaj. Të pranishëm në mbledhje, ishin ekspertët e nivelit të lartë të cilët iu përgjigjën pyetjeve të anëtarëve të komisionit mbi detajet e propozimeve të përfshira në draftin për ndryshimet kushtetuese.

Në fund të mbledhjes, anëtarët e Komisionit të Posaçëm “Për Reformën në Sistemin e Drejtësisë” miratuan me konsensus vendimin që ndryshimet kushtetuese të paraqitura në draftin e ekspertëve të nivelit të lartë t’i përcillen për mendim Komisionit të Venecias ditën e martë në versionin elektronik. Krahas kësaj, komisioni vendosi që draftit të ndryshimeve kushtetuese, t’i bashkëngjiten edhe rekomandimet dhe komentet e partive parlamentare të cilat do t’i përcillen ditën e premte në një draft të vetëm Komisionit të Venecias.

Komisioni miratoi gjithashtu edhe projektvendim “Për disa shtesa në vendimin nr. 7 dt.23.01.2015 të Komisionit të Posaçëm “Për miratimin e Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm parlamentar” i ndryshuar.