Prononcim për mediat i Kryetarit të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, z. Fatmir Xhafaj pas mbledhjes

Sapo kemi mbyllur mbledhjen e Komisionit të Posacëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi e cila ka pasur në rend dite 3 cështje.

Pika e parë e rendit të ditës ka qenë një memo ose një relacion mbi tërësinë e gjithë projektligjeve, të shtatë shtyllave kryesore të reformës që do të shoqërojnë  projektin kushtetues dhe që përbëjnë gjithë procesin e reformimit, si nga pikëpamja kushtetuese dhe nga pikëpamja  ligjore. Pra, komisionit i është dhënë mundësia që nëpërmjet këtij dokumenti të përgatitur nga Sekretariati Teknik të krijojë një vlerësim më të plotë rreth përmbajtjes së projektligjeve që janë shqyrtuar apo që janë në procesin final të hartimit të tyre nga grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë lidhur me strukturën, përmbajtjen bazë të projektligjeve dhe metodologjinë e ndjekur në këtë proces.

Siç ju tashmë e dini janë rreth 40 projektligje që do të shoqërojnë paketën kushtetuese dhe që janë pjesë e procesit reformues të sistemit të drejtësisë. Nga këto 40 ligje, shtatë janë ligje prioritare të cilat janë të lidhura ngushtësisht me ndryshimet kushtetuese të bëra në sistemin e  ri të drejtësisë. Kjo ka qenë pika e parë e rendit të ditës.

Pikë e dytë e rendit të ditës është paraqitur dhe miratuar një kalendar mbi procesin që do të ndjekë Komisioni i Posacëm për shqyrtimin dhe votimin në parim, nen për nen dhe në tërësi të shtatë projektligjet prioritare.

Pika e tretë e rendit të ditës ka qenë paraqitja e projektligjit të parë në këtë kalendar që është projektligji për Gjykatën Kushtetuese dhe sot është bërë vetëm prezantimi në parim i këtij projektligji. Ditën e mërkurë do të jetë paraqitja nga relatori dhe shqyrtimi nen për nen. Në një ditë të mëvonshme, sipas kalendarit, do të jetë votimi në tërësi i projektligjit.

Pra ne do të shqyrtojmë përmes një kalendari të posaçëm, shtatë projektligjet kryesore që shoqërojnë paketën kushtetuese. Mund të pyesë dikush pse shtatë,  jo shtatëmbëdhjetë ? Sepse këto shtatë ligje kanë të bëjnë me detyrimin për ta bërë të zbatueshëm projektligjin  kushtetues. Pa miratimin e këtyre shtatë projektligjeve, institucionet e reja që ka parashikuar të ngrejë Kushtetuta me miratimin e paketës kushtetuese nuk mund të bëhen efektive.

Nga ana tjetër, me miratimin e paketës së re Kushtetuese krijohet një vakuum institucional për shkak se disa institucione ekzistuese pushojnë së ekzistuari. Kështu që do të duhet që të ngrihen institucionet e reja dhe institucionet e reja e kanë të domosdoshme pasjen e ligjeve kuadër.

Por gjithashtu, janë disa procese siç është procesi i “vetingut” dhe ngritja e Prokurorisë së Posaçme Anti-korrupsion, Njësisë së Posaçme Hetimore etj, të cilat, kërkojnë detyrimisht miratimin e projektligjeve përkatëse për t’u vendosur në normalitet të nisjes së procesit për fillimin e punës së tyre.

Të gjitha këto janë elementë shumë të rëndësishëm të cilat diktojnë nevojën që miratimi i projektit Kushtetues në parlament të shoqërohet nga këto shtatë projektligje. Të shtata këto projektligje tashmë kanë përfunduar nga grupet e ekspertëve të nivelit të lartë. Janë thjesht dhe vetëm për shqyrtim, për debat dhe për votim nga Komisioni i Posaçëm parlamentar për t’i kaluar pastaj seancës plenare në mënyrë që të votohet njëkohësisht në seancë plenare projekti kushtetues dhe këto shtatë projektligje.

Kur parashikohet që të përfundojë votimi në komision i këtyre shtatë projektligjeve ?

Maksimumi i parashikimit që është bërë është mesi i Korrikut për të shtatë projektligjet, sepse ka një proces të cilin ne do ta respektojmë. Është paraqitja në parim, shqyrtimi nen për nen dhe votimi në tërësi. Është një proces që edhe për shkak të përvojës shumë të mirë që ju keni në punën e Komisionit të Ligjeve, tashmë e njihni nga pikëpamja procedurale. Por dua të bëj një dallim, që është i rëndësishëm.

Ne kemi rënë dakord me opozitën. Ka qenë një dakordësi politike për t’i kaluar njëkohësisht edhe projektin kushtetues, edhe projektligjet. Madje, nën psikologjinë e dyshimit apo të ngritjeve të pikëpyetjeve edhe atje ku s’ka pasur vend për të tilla, opozita në mënyrë permanente ka insistuar që këto projektligje të hynin në kalendarin e punës së komisionit për të kaluar njëkohësisht në parlament.

Kjo është vlerësuar prej nesh si një gjë normale. Edhe ne kemi pasur dhe kemi ndarë të njëjtin mendim dhe kemi qenë të angazhuar plotësisht e të dakordësuar politikisht dhe procedurialisht për ta bërë njëkohësisht këtë procedurë.

Për fat të keq, sot opozita nuk mori pjesë në të. E bojkotoi Komisionin e Posaçëm parlamentar dhe unë jam i keqardhur për sa kohë që ndajmë të njëjtin preokupim, të njëjtin shqetësim për nevojën e shqyrtimit të njëkohshëm të projektit kushtetues me paketën e projektligjeve.

Natyrisht mbetet në çmimin e tyre. Ngelet në zgjedhjen e tyre. Por mendoj se është një zgjedhje e gabuar ky bojkot i opozitës ndaj komisionit të posaçëm parlamentar.

Keni pasur komunikimi me opozitës ?

Kemi pasur komunikim, por le të mbetemi këtu në këto momente. Fakti është që nuk kanë qenë në Komision, të tjerat janë të parëndësishme.

Mungesa e tyre ka të bëjë edhe me faktin që nuk është miratuar me prezencën e opozitës, me votën e opozitës projekti i ndryshimeve kushtetuese?

Kjo është një alibi qesharake dhe u bë një histori qesharake kjo që gjendet një arsye, një sebep  për të mos pasur arsye. Sepse opozita vetë përmes gjithë artikulimit të saj politik dhe në mënyrë të veçantë edhe përmes Kryetarit të Partisë Demokratike ka thënë qartazi që me 99% e projektit kushtetues është e dakordësuar dhe që ka vetëm një çështje për të cilën nuk janë dakordësuar duke kërkuar që të negociohet. Që do të thotë që ajo çështje e vetme e mbetur për projektin kushtetues është një çështje e hapur dhe ne e kemi bërë të qartë në momentin e miratimit të këtij projekti kushtues se jemi të hapur që në çdo moment të bëjmë reflektimin e nevojshëm. Por kjo nuk i efekton projektligjet. Në ato pjesë që mund të ketë ndryshim për efekt të këtij negocimit të kësaj pike, nëse do të ketë një rezultat pozitiv të këtyre negocimeve që janë duke u zhvilluar, atëherë padyshim është e thjeshtë fare. Siç do ta ndryshojmë dy-tre nene të projektit kushtetutues, mund të ndryshojmë një, dy, apo tre nene në projektligjet që po shqyrtojmë. Prandaj arsyetimi që është përdorur për të lidhur pjesën e negocimit me pjesëmarrjen në debatin për shqyrtimin e projektligjeve është një gjë krejt absurde.

Cila është zgjidhja që ofroni juve për dy institucionet pasi vetë kryeministri ka deklaruar se negociatat janë nga katër në dy institucione?

Kryeministri nuk e ka thënë tamam kështu. Por gjithsesi, zgjidhja është ajo që ka dhënë Komisioni i Venecias nëse e kuptojmë mirë të gjitha palët. Një gjë është shumë e rëndësishme dhe duhet kuptuar nga ju në radhë të parë, edhe si përçues të këtyre opinioneve në opinionin publik dhe nga qytetarët është më e rëndësishme për t’u kuptuar. Ka një diferencë midis asaj që thuhet nga mazhoranca dhe nga opozita. Ajo që ne themi është që të zbatohet besnikërisht ajo çfarë ka thënë Komisioni i Venecias, por jo për të krijuar në kapje të re politike të sistemit. Çfarë do të thotë ? Që është e vërtetë që të marrin pjesë grupet politike parlamentare të mazhorancës dhe opozitës në procesin e votimit, por jo duke i ngjyrosur apo duke i veshur kanidatët, profesionistët e pavarur me kapelen apo me kostumet e partive politike. Sepse ne nuk mund ta transferojmë, nuk mund ta kthejmë Këshillin e Lartë Gjyqësor apo Këshillin e Lartë të Prokurorisë në organe të ngjashme siç është KQZ që është pjesë e përfaqësimeve të pastra politike, arenë e debateve dhe pozicioneve të pastra politike.

Z. Xhafaj, do ta prisni opozitën të mërkurën apo mazhoranca do të vijë e vetme në votimin ne për nen e për të vijuar më tej në tërësi ?

Ne të presim opozitën ?! Ne jemi duke i bërë thirrje që opozita të jetë e pranishme. Ne kemi hyrë në një proces që zhvillohet siç veprohet në cdo Komision të Posaçëm Parlamentar, siç veprohet në Komisionin e Ligjeve. Çfarë bëjmë ne në Komisionin e Ligjeve kur mungojnë deputetë, që nuk duan të vijnë apo nuk duan të flasin apo nuk duan të kontribuojnë ? Vazhdojm punojmë !

Ju përmendët pak më herë projektin kushtetues, vutë edhe një afat brenda 15 korrikut..

Jo nuk kam vënë afat për projektin kushtetues. Në fakt komisioni ka vënë një afat për projektligjet. Janë shtatë projektligj dhe ka thënë, në përgjigje të pyetjes së kolegut tuaj, që ne kemi parashikuar që brenda 15 korrikut të mund ta mbyllim këtë proces.

Së bashku me projektin kushtetues?

Projekti Kushtetues ka shkuar drejt seancës plenare. Sa kohë që projekti kushtetues ka vajtur drejtë seancës pelagre, ai ka proces tjetër. E kam mbaruar detyrën unë si Kryetari i Komisionit me Projektin Kushtetues dhe komisioni bashkë me mua.

Do me thënë ia lini gjithçka lidershipit të PS që të gjejnë votat? Po votat që duan për të kaluar projektin kushtetues?

Më fal mos mendoni që unë jam Kryetar i Kuvendit apo Kryetar i Grupit Parlamentar? Unë jam kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi. Dhe ky komision ka përmbushur një nga detyrimet e rëndësishme që i ka caktuar Kuvendi i Shqipërisë dhe një nga obligimet që ka përballë qytetarëve shqiptar. Ka paraqitur Projektin e ri Kushtetues për sistemin e ri të drejtësisë në Shqipëri. Dhe e ka përmbushur detyrën e tij më së miri. Mbetet pastaj në vullnetin e forcave politike nëse do ta votojnë apo jo këtë vullnet popullor për reformimin e sistemit të drejtësisë.

Z. Xhafaj ju i referoheni Venecias, PD i referohet Venecias. Duket se problemi qëndron te interpretimet. Si e gjykoni propozimin që ka ardhur nga LSI që këtë interpretim final të Venecias ta japi vetë Brukseli?

Për mua janë interesante të gjitha interpretimet e interpretimeve të interpretimeve të bërë nga Venecia !