Prezantimi publik i dokumentit “Analiza e sistemit të drejtësisë në Shqipëri -2015”

Mbi bazën e kësaj analize tashmë ka filluar dhe hartimi i një Dokumenti Strategjik për misionin, shtyllat kryesore të Reformës, objektivat dhe masat per realizimin e tyre. Komisionin i Posaçëm me vendimin e tij ka miratuar strukturën e disa dokumentave mbi të cilat grupet e punës po punojnë gjatë fazës së dytë të veprimtarisë së Komisionit.

Në datën 8 qershor 2015, në mjediset e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, në prezencën e mbi 200 të ftuarve, zyrtarë të lartë të institucioneve kryesore të Shqipërisë, përfaqësues të trupit diplomatik e organizatave ndërkombëtare, deputetë, ekspertë vendas dhe të huaj në fushën e drejtësisë, aktivistë të organizatave joqeveritare, analistë të medias, gazetarë etj., u paraqit dokumenti “Analiza e sistemit të drejtësisë në Shqipëri -2015”.

Me këtë prezantim publik Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi dhe Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë përmbylli fazën e parë të realizimit të Reformës. Dokumenti Analitik i Sistemit të Drejtësisë është një përshkrim tërësor i mënyrës së organizimit dhe funksionimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe i rezultateve që ka dhënë sistemi që nga viti 1998 (vit kur u hodhën themelet e sistemit në Kushtetutë). Ky përshkrim përfshin të gjithë komponentët, duke filluar që nga organizimi i gjykatave dhe i prokurorisë, detyrat e tyre, mënyra sesi drejtohet, apo “qeveriset” gjyqësori dhe prokuroria, statusi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, mënyra e administrimit të shërbimeve gjyqësore dhe prokuroriale, financimi i sistemit, shërbimet e lira (avokati, noteri etj), si dhe zbatimi i vendimeve të gjykatave.

Dokumenti Analitik është hartuar nga një grup ekspertësh, vendas dhe të huaj, të angazhuar nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, ekspertë të atashuar në institucionet kryesore të sistemit të drejtësisë dhe një Sekretariat i Posaçem Teknik. Kujdesi i veçantë që është treguar në hartimin e Dokumenti është motivuar nga tre arsye kryesore: së pari, nevoja për të ndërtuar një plan reformash i cili përcaktohet nga problemet dhe nevojat reale të sistemit; së dyti, nevoja për të minimizuar efektin negativ të faktorëve të tillë si politizimi dhe korporatizmi, të cilët shpesh në të kaluarën kanë diktuar axhendën e reformave; dhe së treti, për të mundësuar përfshirjen e të gjithë aktorëve të fushës dhe të partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë në këtë proces historik.

E pranishme në prezantim, shefja e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, ambasadorja Romana Vlahutin, ka vlerësuar angazhimin dhe këmbënguljen e Komisionit të Posaçëm të Reformës, si dhe shprehu mirënjohje për ekspertët, të cilët sipas saj, kanë punuar në mënyrë aq të mirë që të gjejnë zgjidhje të duhura, të përafruara me standardet e BE-së. “Ne na vjen keq që anëtarët e opozitës ende nuk janë ulur në ato karrige, në tryezën e rrumbullakët dhe u bëj apel atyre edhe një herë që ta bëjnë këtë. Kjo nuk duhet të jetë reformë për një cikël zgjedhjesh apo dy cikle. Shqipëria nuk mund të ketë zgjidhje që zgjasin vetëm për katër vjet apo tetë vjet. Shqipëria ka nevojë për një dialog konstruktiv gjithëpërfshirës, për ndryshime të tilla të plota. Të gjithë në Shqipëri, të gjithë ata që janë zgjedhur për të përfaqësuar zgjedhësit, qofshin në qeveri apo në opozitë, kanë përgjegjësi të njëjta për rezultatet e kësaj Reforme”- tha mes të tjerave ambasadorja Vlahutin.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Donald Lu, duke e përshkruar si shumë ambicioze Reformën në Drejtësi tha se nëse realizohet, ajo mund të jetë një prej reformave më të rëndësishme që prej rënies së komunizmit. “Për ta realizuar ketë, duhet të marrin pjesë ekspertët më të mirë shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Opozita ka interes politik për të siguruar që sistemi i drejtësisë të mbetet i pavarur prej ndikimeve politike. Ajo ka ekspertët ligjorë më të mirë. Mund të ketë reformë në gjyqësor që ruan standardet ndërkombëtare pa opozitën, por reforma do të ishte më e mirë dhe më e qëndrueshme në Shqipëri me pjesëmarrjen aktive të saj. Ne besojmë në vlerën e kësaj Reforme. Ne shprehim zotimin tonë për mbështetjen e këtij procesi. Gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar duhet ta dinë se ndryshimi po vjen”- tha ambasadori Lu.

Shefi i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Florian Rauning, u shpreh se botimi i analizës së sistemit të drejtësisë në Shqipëri është një gur themeli për reformën demokratike. Sipas tij, analiza qëndron mbi themele shumë të forta, sepse bazohet jo vetëm në dy muaj punë të ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, por edhe në 24 vitet e tranzicionit. “Prezenca e OSBE-së si partnere tradicionale e Shqipërisë në reformën e saj për forcimin e shtetit ligjor, e kremton me krenari këtë arritje. Asistenca jonë për çdo akt ligjor në këto 17 vite ka mbështetur ekselencën në reformën ligjore. E kam fjalën në cilësi, jo thjesht të formulimit të një teksti, por njëherësh cilësi të procesit demokratik”.

Drejtoresha e Sekretariatit Teknik të Reformës në Drejtësi, znj. Albana Shtylla, informoi të pranishmit rreth disa prej aspekteve kryesore të dinamikës së Reformës, për parimet, për metodologjinë, për protagonistët e Grupit të Nivelit të Lartë të Ekspertëve, vendas dhe të huaj etj. “Mbi bazën e kësaj analize dokumenti, tashmë ka filluar dhe hartimi i një Dokumenti Strategjik për misionin, shtyllat kryesore të Reformës, objektivat dhe masat per realizimin e tyre. Komisionin i Posaçëm me vendimin e tij ka miratuar strukturën e disa dokumentave mbi të cilat grupet e punës po punojnë gjatë fazës së dytë të veprimtarisë së Komisionit.”- tha z. Shtylla.

Në përmbyllje të takimit prezantues, drejtues nga shtatë nëngrupet e punës informuan mbi gjetjet kryesore në komponentët e gjyqësorit, drejtësisë penale, edukimit juridik, profesionet e lira, masat anti-korrupsion, reformës kushtetuese dhe financimit në sistemin e drejtësisë.

Partnerë në këtë proces me rëndësi strategjike janë EURALIUS-BE, OPDAT-SHBA, Komisioni i Venecias, OSBE-ja dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë-SOROS.