Nga konsultimi për ndryshimet Kushtetuese në Vlorë me grupet e interesit

Në kuadër të Reformës në Sistemin e Drejtësisë u zhvillua sot në Vlorë tryeza rajonale për prezantimin dhe konsultimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese me gjyqtarë, prokurorë, avokatë, përfaqësues të shoqërisë civile të pranishëm në këtë veprimtari. 

Ambasadorja e Sllovenisë znj. Lea Stançiç deklaroi nga Vlora se reforma në drejtësi duhet të rikthejë besimin e qytetarëve tek gjykatat.“Ndryshimi është i rëndësishëm për një shoqëri të drejtë. Kjo reformë duhet të jetë gjithëpërfshirëse, shumë e thellë dhe pa kompromise”, tha znj. Lea Stançiç.

Eksperti i Nivelit të Lartë për çështjet penale, z. Arben Rakipi kërkoi që kjo reformë të rikthejë funksionalitetitin e organit të akuzës.

Më pas, vendi iu la diskutimeve dhe pyetjeve të grupeve të interesit, të pranishëm në këtë konsultim, të cilat  u mbajtën shënim nga organizatorët, për t’u trajtuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë.

Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë ftuan gjyqtarë, prokurorë, avokatë, përfaqësues të shoqërisë civile të pranishëm që të jenë aktivë me propozime dhe mendime edhe përmes faqes on-line të Reformës në Drejtësi, www.reformanedrejtesi.al, apo dhe kontakteve të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën.