Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 87 vota pro projektligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë"

Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 87 vota pro projektligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë". Projektligji “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” përcakton rregulla për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, si dhe të Shkollës së Magjistraturës.

Ky projektligj ka për qëllim të garantojë pavarësinë, përgjegjshmërinë, cilësinë e përbërjes, transparencën dhe efiçiencën e vendimmarrjes së organeve të rëndësishme kushtetuese dhe përmes tyre mirëqeverisjen dhe pavarësinë e gjyqësorit dhe të prokurorisë, si dhe statusin, përgjegjshmërinë, llogaridhënien dhe paanësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në projektligj shprehen qartë parimet të cilat duhet ta udhëheqin sistemin e drejtësisë në Republikën e Shqipërisë. Sistemi i drejtësisë duhet të jetë i pavarur ndaj çdo lloj ndikimi, i paanshëm në funksionimin e tij, i përgjegjshëm, llogaridhënës, me integritet të lartë moral dhe profesional në të gjitha nivelet strukturore të tij, efiçient dhe profesional, i besueshëm, transparent dhe i aksesueshëm prej publikut, si dhe bashkëpunues në nivel institucional kur ushtrohet pushteti vendimmarrës për emërimin e funksionarëve të lartë të sistemit.